Suplenti Pena Shqiptare/ Ilmi S. Qazimi: Një Përmendore e gjallë për Ish-Heronjtë tanë të Punës

550
Sigal

Kurdoherë do të gjendet një penë për të shkruar për të ardhshmen, por asnjëherë nuk do të gjendet një gomë për të fshirë të kaluarën-

 Ditët e fundit doli në qarkullim një libër i veçantë, ndër të veçantët që shohim nëpër vitrina  të librarive në kryeqytet. Është libri i njëmbëdhjetë i gazetarit e shkrimtarit tashmë të afirmuar Dhimitër Shtëmbari, Nder i Qarkut të Fierit, titulluar “12 Shenjtorët e Punës”, me një parathënie vlerësuese të Prof. As. Dr. Gaqi Tanku. Kjo vepër me 160 faqe mban peshën e një monumenti të bronztë kushtuar dymbëdhjetë Heronjve të Punës Socialiste, dekretuar në vitet 1945 – 1990 për rrethin e Lushnjes. Është një përmendore e shkruar për tri gra e nëntë burra, lindur  dhe edukuar në truallin myzeqar, gjurmët e të cilëve janë sinqerisht, plotësisht dhe përfundimisht të shenjta. Motivet e jetës së tyre, nga mosha e njomë deri sa dolën në pension apo gjer edhe disa syresh u ndanë   nga jeta, ishin kilometra larg  motiveve të sotme që ushqehen tek brezi i ri për punën e dobishme shoqërore. Ata kishin tjetër njësi matëse për  veten, familjen, punën dhe  jetën në tërësi. Ata Të Dymbëdhjetë realisht janë simbol i fjalës PUNË; punë për të mirën më të fuqishme të shoqërisë së kohës që ata jetuan dhe për tërë brezat që do të vijnë; për vijimësinë e pandërprerë të kapërcimit të vështirësive, pa u trembur prej tyre. Punë të ndershme  në të mirë të zhvillimit harmonik të pronës së përbashkët, për rritjen e mirëqenies e për lulëzimin real të Shqipërisë sonë të dashur. Ata e  ‘harxhuan’ jetën e tyre me moton: Puno e jeto vetëm me nder! Eh, sa lart e larg janë ata Të Dymbëdhjetë me kohën e sotme! Ata janë male, majat e të cilëve vetëm shihen dhe u ndjehet madhështia, por nuk arrihen më!