Suplemet Pena Shqiptare/ Skënder Luarasi: Ismail Qemal Vlora,ati i pavarsisë

52
Në muajin janar atdhetarët shqiptarë kujtojnë Atin e Pavarësisë Ismail Qemal-Vlorën (16 Janar 1844 – 24 Janar 1919) duke vleresuar me nderim, mirënjohje e përgjegjshmëri sakrificat dhe meritat e tij të mëdha. Por çuditërisht ndaj Atit të Pavarësisë është mbajtur një qëndrim i çuditshëm. Regjisori Viktor Gjika (1937-2009) në kujtimet e tij “Vit pas viti” permend se në vitin 1981, kur po punonte mbi filmin ‘’Nentori i Dyte’’, “deri atëherë nuk ishte realizuar asgjë në këtë temë, nuk ishte shkruar asnjë dramë, roman apo tregim, as në lëmin e arteve figurative nuk kishte ndonjë portret apo tablo, e aq më tepër ndonjë vepër në fushën e muzikës së kultivuar. As në historiografinë shqiptare nuk ka pasur shumë materiale, studime e botime në atë kohë. Në duart e mia kisha vetëm librushkën “Ismail Qemali” të shkruar nga Skënder Luarasi.’’ Por edhe librushka e Skender Luarasit mbi Ismail Qemalin ishte ‘’qethur ‘’ me mbi 30 faqe, se kështu urdherohej dhe vepronte censura! Për këtë çështje, Skënder Luarasi, biografi i parë i Ismail Qemal-Vlorës, vërente që në diskutime, artikuj e botime historianësh e politikanësh, për shkaqe subjektive mbahej një qëndrim jo i drejtë ndaj personalitetit dhe veprës së Ismail Qemalit. Ai theksonte se për veprën e tij madhore, Ismail Qemali u bë njeriu më i luftuar dhe më i lëvduari në historinë e Rilindjes shqiptare, ndaj të cilit u sajuan shumë shpifje e intriga nga armiqtë e Shqipërisë, por që populli shqiptar duhet ti marrë si lëvdata për të, e t’i jetë mirënjohës për jetë. (S.Luarasi. Ismail Qemali,1972, f.10-11)
Ai shfrytëzoi rastin e përkujtimit të 50-vjetorit të Pavarësisë për të botuar monografinë e flamurtarit të saj. Botimi, ngjalli entuziazëm në Shqipëri dhe gëzim të madh në Kosovë e diasporë. Në Kosovë u botua menjëherë. 
”Në monografitë për figura të ndritura të kombit si Ismail Qemali e Isa Boletini lexuesi ndodhet përpara një njeriu me fuqira titanike, përpara një pune të madhe e të parreshtur, përpara një mjeshtri artist me zemër të madhe që farkëtoi e qëmtoi fjalën shqipe, që skaliti gjer në çastin e fundit fjalën dhe gjuhën tonë të lashtë e të madhërishme, me dashurinë për të parët tanë, për kombin e të ardhmen e tij”. (P. Jorgoni. Me forcë e guxim Prometeu, Drita, 16 janar 2000, f.6.) Duke shkruar biografinë e Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit, këtyre dy prijësve të njohur politike e luftarake, autori farkëtonte unitetin mbarëkombëtar. Jo pa qëllim autori jep një përshkrim historik të popullsisë së Kosovës, që u bëri ballë sulmeve të huaja për të mbrojtur truallin e tyre; si vazhdues të dardanëve, të parëve të tyre ilirë. Skënder Luarasi ndjehej i lumtur që mundi të paguajë këtë tribut të vogël të detyrës ndaj Varrit të Dëshmorëve. ”Ç’është e vërtetë për Ismail Qemalin, mund të thuhet edhe për shokun e tij të armëve Isa Boletinin, i cili bëri për atdhenë në fushën e betejave, atë që bëri Ismail Qemali në fushën e politikës e të diplomacisë”. (S.Luarasi. Isa Boletini: Jetëshkrim i shkurtër, Tiranë, “Naim Frashëri”, 1971, f.5.)