Suplementi Pena Shqitare/ Sami Milloshi: Akuarium

604
Gjashtë muaj më parë shoku im i zyrës, Brian Pettit, u diagnostikua me sëmundjen Sleep Apnea, që siç,ma shpjegoi ai ka të bëjë me çrregullime të frymëmarrjes gjatë gjumit. Kur ma tregoi fillimisht dukej i nervozuar dhe ishte i shokuar. Doktori i kishte thënë se nga çrregullimet e frymëmarrjes, mund të ndodhte që të pësonte paralizë ose larg qofte edhe atak në zemër. Por, me kohë, Brian u qetësua, sepse doktori i kishte dhënë një aparat frymëmarrjeje që e ndihmonte gjatë gjumit.Unë nuk e kisha parë ndonjëherë aparatin e tij, por nga mënyra se si ma kishte shpjeguar ai, e konceptoja njësoj me aparatet që ndihmojnë për dëgjimin apo diçka tjetër të kësaj natyre që dhuron teknologjia e sotme. Muaj pas muaji, Brian më dukej më i qeshur dhe, për çudi, ato qeskat që i vëreheshin çdo mëngjes nga pagjumësia, nuk po i dukeshin më. Madje, kisha ndjerë se ai kishte më shumë humor dhe, se me raste, tregonte edhe për jeten e tij seksuale. Mbrëmë ke qenë i shkëlqyer- i kishte thënë e shoqja, Jessica. Që kur kishte filluar të përdorte aparatin e frymëmarrjes, ai ndjehej shumë më mirë,dhe siç e thoshte shpesh, tanimë nuk i dëgjonte ankesat e Jessicës për gërhitjet e tij që e linin zonjën e tij pa gjumë. Meqë tashmë ai nuk gërhiste, Brian e kishte ftuar të shoqen të flinin përsëri në shtratin e martesës. Por, Jessica, kishte një ide tjetër, pakëz më romantike. – Le ta vizitojmë njëri tjetrin- I kishte thënë ajo- një natë në dhomën tënde,një natë në dhomën time. Të kujtojmë kohën kur këmbenim pozicionet… Brian kishte rënë dakord. Dhe ishte tepër i kënaqur që Jessica, jo vetëm nuk po ankohej më, por ishte përtërirë dhe nuk ia shihje më në fytyrë atë pezmin e verdhë të dëshpërimit. E gjitha kjo atmosferë paqeje dhe harmonie u trondit një ditë kur Brian u kthye nga farmacia pa shishen plastike që mbante ujin e distiluar. – Fuck them, I wanted to kill them -Të lutem qetësohu, i dashur – i qe përgjigjur Jessica dhe e kishte puthur në ballë. – Nuk gjeta ujë të distiluar për aparatin. A e kupton? Sonte do të rrij pa gjumë dhe do të gërhas. E kupton? Dhe ti do të ankohesh përsëri. As këtë nuk do ta kesh sonte… Kur kishte thënë fjalinë e fundit, kishte bërë atë shenjën me gishtin e mesit çka Jessicës i kishte shkaktuar një buzëqeshje me gulsha… – Po pse nuk vajte te farmacitë e tjera apo te WALMART?- pyeti Jessica. – Isha gjithandej, por nuk gjeta. Dhe a e di shkakun? -Po he pra, tregoma. – Njerëzit e kanë përlarë gjithë ujin e distiluar sepse është koha e ndërrimit të ujrave në akuariume. – Domethënë peshqit kanë marrë ujin që të duhet ty për aparatin e frymëmarrjes? -Po .Një grua, siç me tha farmacistja e CVS kishte blerë 12 gallone ujë për akuariumin e ri me peshq të artë… – Diçka duhet të bëjmë, të ankohemi diku në qeveri- tha Jessica. – UNË i telefonova doktorit dhe iu ankova, por ai nuk më dha ndonjë zgjidhje. Vetëm më kujtoi se taķimin tjetër me të e kam në javën e dytë të janarit, vitin tjetër. Kjo ishte pak a shumë ajo që më tregoi Brian. Gjithë natën kishte ndenjur pa gjumë, ashtu krah më krah me Jessicen. Edhe ajo nuk kishte vënë gjumë në sy dhe herë pas here e kishte puthur në ballë… – Brian të të them një proverb shqiptare? Ti e di se unë jam nga Shqipëria apo jo?- e pyeta . -Thuaje, brother, I love you. – Peshku i madh e ha peshkun e vogël. Qeshi vesh më vesh me lot. – Po si është e mundur që cironkat e akuariumit të më hanë mua? – tha Brian. – Këtë nuk ma merr mendja – I thashë. E tejkalon inteligjencen time… Të nesërmen, siç më tha vetë,Brian ishte ngritur që pa gdhirë të zinte radhën tek farmacia për të blerë ujin e distiluar. Asnjë peshk akuariumi, për be, nuk ishte në radhe.Të gjithë peshqit flinin për shtatë palë qejfe në akuariumet e qytetit tonë …
Sigal