Suplementi Pena Shqitare/ Flutura Açka: Më mirë një mijë ëndrra të zbrazura, se i paëndërrt

461
Sigal

 

Kjo është përshtatja e një prej shprehjeve më të famshme të Pushkinit. Në Shën Petërburg, kafe “Literatura” e ditëve tona, ēshtë vendi ku Pushkini pati hajën e tij të fundit, para duelit fatal në brigjet e Lumit të Zi, ku u plagos rëndë vetëm për të vënë në vend nderin e humbur të dashurisë së jetës së tij. Vdiq dy ditë më vonë në studion e tij. Ishin kohë të tjera, kur dashuritë shpreheshin më letra të gjata, madje edhe me poema që shkruheshin brenda natës. Jeta e Pushkinit më kujton Migjenin tonë, me ndryshimin që Migjeni ynë shkroi vetëm një letër dashurie, por edhe ai, sikurse Pushkini, ia ndryshoi konceptin përdorimit të gjuhës dhe përsosjes së saj nga arti i të shkruarit. Sikurse italianët e sotëm i falen Dantes për italishten e tyre, sikurse rusët i falen Pushkinit për rusishten e sotme, edhe ne kemi detyrimin t’i falemi Migjenit për shqipen tonë. Një shqipe në gegë që nuk pengon askënd ta lexojë, një letërsi që e theu drojën për te letërsia e madhe. Edhe Pushkini ia hapi derën letërsisë së madhe që do të vinte dhe mahniste botën pas tij.
Ajo kafe e atëhershme në Nevsky Prospekt, tani mban emrin ”Literatura” për nder të asaj dite fatale për letërsinë ruse, kjo pije quhet “Zhenka“, një tretësirë për eleksirin mental, një përzietje shampanje, vodke, e aromatizuar me sheqer të djegur e limon, pija më e preferuar e tij. Guidat turistike e përmendim shpesh një shprehje tashmë gati anonime se “Pushkini është gjithçkaja jonë”, pa e ditur se e ka thënë Grigoryevi. Tridhjetëeshtatëveçar, Pushkini la prapa një vepër që modeloi letërsinë e kombit të vet, i pari që shkroi për kohën kur jetoi, si ta ndiente përgjegjësinë për kohën e tij. I kufizuar shpesh për të udhëtuar nga pengesat cariste, krenar për origjinën e tij afrikane nga nëna, i censuruar (“Boris Godunov” u botua vetëm 5 vjet më vonë dhe u vu në skenë 170 vite pasi u shkruajt), Pushkin i dha artit të shkrimit dimensionin e lirisë, shqisën e profecisë, përgjegjësinë e kohës kur shkruhet, torfën e mbindjeshmërisë dhe gjithçka që gjenitë – jetëshkurtër të papërlyer – kanë ditur t’i japin botës, veçmas botës letrare.