Suplementi Pena Shqiptre/ Klodeta Dibra: “Pema e parë e Krishtlindjes”

498
Sigal

Prag Krishtlindje, pasdite vonë, Babagjyshi çapitej në pyll me thesin mbi shpinë, shumë i zemëruar…
Pas pak do t’i duhej të nisej me slitën e tij për t’u çuar dhuratat fëmijëvë të të gjithë botës, por diç e shqetësonte.
Po mendonte sesi shpirti i Krishtlindjes kishte ndryshuar vitet e fundit.
Pa dyshim, fëmijët ishin të lumtur kur merrnin lodra dhe ëmbëlsira, por ai do të kishte dashur që ata të këndonin e kërcenin me familjet e tyre për të festuar Krishtlindjen, gjë që për fat të keq tashmë ndodhte gjithnjë e më rrallë.
Do të kishte dashur t’u risillte gjithë atë gëzim fëmijëve, por ende nuk i kishte shkuar në mendje ndonjë ide e bukur.
“Do të flas me ndihmësin tim Xhimpin” mendoi ndër vete. “Duhet të takohemi për të organizuar shpërndarjen e dhuratave, ndoshta bashkë do mund të gjejmë një zgjidhje edhe për këtë gjë”.
Xhimpi po priste ndërkaq Babagjyshin e Krishtlindjes në shtëpizën në mes të pyllit nga ku niseshin të gjitha dhuratat. Sapo i zuri syrin Babagjyshin, u turr me vrap, por ndali befas çapin kur e pa ashtu të zymtë në fytyrë.
– Çfarë po ndodh, Babagjysh? A nuk je gati të shkosh e t’u çosh dhuratat fëmijëve?
– Nuk e di – gjegji Babagjyshi. – Këtë vit ndihem kaq i lodhur, ndoshta diç ka ndodhur që më ka bërë të humbasë ngazëllimin. Ushqimin dhe lodrat i kemi, por nevojitet të gjejmë diçka të re për t’i bërë vërtet të lumtur njerëzit, për t’i bërë sërish ata të këndojnë e gazmojnë…
– Edhe unë e kisha menduar, por nuk është aq e lehtë – tha Xhimpi mendueshëm.
– E di – vijoi Babagjyshi. – Dhe unë tanimë jam mplakur shumë. Nga dëshira për të shpikur diçka, u bëra me dhimbje koke. Nëse ecim përpara kështu, rrezikojmë që Krishtlindja të kthehet një festë si gjithë të tjerat, dhe kjo do të më trishtonte shumë.
Sakaq kishte zbritur mbrëmja. Hëna qe ngritur lart në qiell dhe koha kishte nisur të shtrëngonte, prandaj vendosën të bënin një shëtitje: ecja në pyll ndoshta do t’i ndihmonte të gjenin pak frymëzim.
Ec e ec, mbërritën në një lirishtë të madhe rrethuar nga bredha të shkurtër e të gjatë. Ishte një vend i mrekullueshëm. Dëbora shndriste mbi degët e pemëve dhe, nën dritën e hënës, dukej si prej argjendi.
Bredhat e errët për shkak të natës dhe të zbardhur nga dëbora formonin një peizazh magjepsës.
Por një bredh u bëri përshtypje veçanërisht: ehuj akulli që vareshin nga majat e degëve dhe shndritnin nga pasqyrimet e dritës. Kurrë më parë e kishtë parë një gjë të tillë. Xhimpi iu afrua bredhit dhe thirri: – Çfarë mrekullie! Babagjysh, a nuk është i bukur ky bredh?
-Po, vërtet….- u përgjigj Babagjyshi.
Qëndronin atje të magjepsur, kur befas Xhimpi foli: – Më jep ca mollë!
– Mollë? – pyeti i habitur Babagjyshi.
– Jepi, shpejt, më erdhi një ide. Duhet t’i lidhim me ca sixhimë e t’i lëmë të varen në degët e bredhit.
Babagjyshi ishte i ndërdymë, por zuri të rrëmojë në thesin e tij të madh dhe gjeti edhe ca mollë dhe një copë litarth.
Sajoi ca lidhëse me litarin dhe, pasi i bashkoi me mollët, ia dha Xhimpit. Xhindi i vogël i mori, i lustroi mirë e mirë deri sa shkëlqyen me të kuqen e ndezur dhe i vari në degët e pemës. Kur mbaroi buzëqeshi kënaqshëm.
-Jemi që jemi, le të vendosim edhe ca arra – vazhdoi bisedën Xhimpi.
Babagjyshi ishte gjithnjë edhe më i pështjelluar, nuk po arrinte të kuptonte se ku donte të dilte xhindi i vogël. Por e shihte aq të vendosur sa nuk i ktheu përgjigje.
Xhimpi i fërkoi arrat me një cohë të veçantë që e mbante gjithkund me vete deri sa shkëlqyen si të praruara.
Kur mbaruan edhe këtë punë, Xhimpi pyeti sërish: – Mos ndoshta në thesin tënd ke edhe drita, Babagjysh?
– Për fat të keq jo, por kam disa qirinj të vegjël dhe fije shkrepse për t’i ndezur.
– Përktyer! – briti Xhimpi ngazllueshëm. Kështu që morën edhe të gjithë qirinjtë e vegjël dhe i vendosën mbi degët e bredhit dhe në majë. E më pas i ndezën.
Shfaqja qe përrallore.
Në terrin e natës ai bredh i vogël shndriste si një yll, mollët lëshonin reflekse të kuqe dhe arrat e bënin të ndriçonte si të ishte i tëri i praruar. Xhimpi rrahte shuplakët dhe qeshte i lumtur, ndërsa Babagjyshit i ishte larguar zemërata.
Xhimpi, me pamje të menduar por i lumtur, vështroi Babagjyshin dhe tha: – Tash marrim bredhin dhe e çojmë në fshat kështu siç është.
Dhe kështu bënë. Mbërritën në fshat natën vonë, kur të gjithë po flinin. Xhimpi tregoi me gisht portën e shtëpisë më të varfër të fshatit, e hapi me ngadalë dhe ndihmoi Babagjyshin të sillte brenda bredhin.
E vendosën në mes të korridorit dhe Babagjyshi vuri poshtë pemës edhe mjaft gjëra të tjera të mira: ëmbëlsira, lodra, mollë dhe arra. Më pas, gjithnjë heshturazi, u larguan.
Mëngjesin e ditës tjetër, më i vogli i fëmijëve që jetonin në atë shtëpi u zgjua i pari dhe, siç bënte përherë, shkoi në korridor.
Merreni me mend sa habi ngjalli shfaqja e bredhit të zbukuruar!
Rendi me vrap për të zgjuar mamanë, babain dhe vëllezërit, dhe të gjithë, të mahnitur nga ajo e papritur e mrekullueshme, zunë të kërcenin e këndonin përreth pemës me duart shtrënguar me njëri-tjetrin.
Gëzimi qe aq i madh sa nuk I vunë re dhuratat: pema ishte dhurëtia e vërtetë për të gjithë.
Fqinjët, duke dëgjuar zërat që këndonin, vrapuan menjëherë dhe pak e nga pak i gjithë fshati u derdh në atë shtëpi
Të gjithë mbetën të mahnitur dhe dëshëronin të kishin një bredh të tillë në shtëpitë e tyre!
Shkuan në pyll të merrnin bredhin dhe e zbukuruan me mollë, arra e drita, njësoj si bredhi që kishin bërë Babagjyshi me Xhimpin.
Kur erdhi mbrëmja, në çdo shtëpi shndriste një bredh dhe mund të dëgjoheshin këngë të Krishtlindjes.
Në pak vite të gjitha familjet e botës filluan të zbukuronin një bredh për Krishlindje.
Por gjëja më e rëndësishme ishte se Babagjyshi kishte mundur ta shndërronte festën e Krishtlindjes të pashoqe dhe të paharrueshme.
(Shqip. K.D.)