Suplementi Pena Shqiptare/ Zija Çela: Timoni

148

ZIJA ÇELA

TIMONI

Në studion e tij, e cila ndodhet në njërën nga Kullat binjake të shëtitores Dëshmorët e Kombit, psikologu Eduard Progoni atë pasdite po shihte postën elektronike. Duke qenë ende i ri në profesion, e tërhiqnin më tepër adresat e panjohura, sidomos ato që premtonin pacientë të ardhshëm. Në adresën që hapi, ku bashkë me tekstin gjeti dhe një foto, atij i kërkohej vetëm një këshillë. Njëfarë Evelina S. i shkruante:
“Unë jam 21 vjeçe. Prej disa kohësh kisha një lidhje me shanse për t’u bërë e qëndrueshme. Nuk them se partneri im ishte ndonjë maço. Por as nuk dua të ankohem. Para se të bënte qejfin e vet, më paralajmëronte gjithnjë për orgazmën time. Por do ta shfaqte gjetkë egoizmin. Një ditë, na shkrepi të shkonim në liqenin e Ulzës. Meqë makinën e kishte në servis, u nisëm me timen. Ai kërkoi ta ngiste vetë, me shkasin se kishte zbuluar ca rrugica, që e shkurtonin daljen nga qyteti. Nuk u pajtova. Ndoshta, në krahasim me Audin e tij, i vinte turp ta shihnin në rrugët kryesore me Smartin tim dyvendësh. Duke përbuzur makinën time, mendova, ai po më fyen edhe mua. Dhe sikur m’u prish humori. Megjithatë, mania e fshehtë për dominim përsëri do të shpërthente gjetkë.
S’e harroj çfarë hoqa, derisa arritëm te Zogu i Zi! Sigurisht, përmes rrugëve kryesore kishte qarkullim të dendur. Por më i vështirë se qarkullimi u bë partneri im. Tri-katër herë brenda minutës do të më bënte ndonjë vërejtje ose për pedalin e gazit, ose për ndërrimin e marsheve, ose për mënyrën si qëndroja në ndenjëse. Sipas tij, unë qëndroja sikur të isha e këputur në bel, herë anohesha majtas, herë djathtas, duke marrë me vete paksa edhe timonin. ‘Ke shtyllë kurrizi a nuk ke, fol, Evelina?! Përse spostohesh në korsi, do të qethësh andej ndonjë makinë, apo do të dalësh këtej nga rruga?! Drejt, mbaje drejt timonin!’ E kisha aq pranë, sa s’ishte nevoja të këlthiste. Por ai për asnjë çast s’e mposhti egoizmin. Kulmi arriti kur nuk e hoqi më dorën nga timoni. Tani s’ishte fjala për korrigjime të vogla, por për përvetësimin e drejtimit. Çfarë isha unë aty, një manekin?! Edhe më zi se manekini, një thes me pelte isha, siç u shpreh i nervozuar. M’u kujtua si tërbohej herë-herë edhe kur lëviznim me Audin, sapo ndërrohej me ndonjë makinë. ‘E pe atë kurvën e verbër që kaloi? – shfrynte. – Për një çikë desh ma shkuli pasqyrën. Në industrinë e armëve dhe në atë të makinave femrat e kanë kot që hyjnë, zero me xhufkë mbesin tërë jetë!’
E ç’bëra unë pastaj? Pastaj, me të mbërritur te Zogu i Zi, gjeta një mundësi për ta ndalur makinën, e urdhërova të zbriste dhe vetë ndoqa unazën. Gjithë duf siç isha, në orët e vona vajta në Pab-in Ylberi i Rrumbullakët. E dija se atje mund të gjeja bar. Dhe ashtu doli. Gjeta madje edhe kokainë të pastër. Atë natë, prej revoltës, bëra seks me tre meshkuj të panjohur. Mirëpo, ndonëse ka kaluar ca kohë, ende nuk jam në gjendje ta përcaktoj me siguri. Prandaj ma thoni ju si specialist, ka qenë tradhti apo hakmarrje ndaj partnerit?”
Psikologu nisi t’i shkruante.
“E nderuara zonjushë Evelina! Për seksin e kam të vështirë t’ju përgjigjem, mbasi ndodhem në konflikt interesi. Sa për timonin, me gjasë, do t’ju duhet ta rishqyrtoni veten. Por kjo nuk do të thotë se jeni thes me pelte. Se çfarë jeni, do të më duhet mua ta analizoj situatën dhe t’jua them, kur të vini në studio për takim. Me mirënjohje dhe konsideratë të lartë, njëri nga tre meshkujt e asaj nate, juaji Eduard Progoni.”

Tiranë, shtator 2018