Suplementi Pena Shqiptare/ Zhuljeta Grabocka Çina: Viti i Skënderbeut! Legjendarizimi i epokës dhe i figurës së Skënderbeut në penën e Mitrush Kutelit

940
Sigal

Dy fjalë për eposin

I- Letërsia shqiptare për fëmijë ka lindur si një didaskali urtësie.  Më vonë është bërë pjesë formuese e teksteve të mësonjëtoreve  të para të ndriçuara nga idetë iluminizuese të Rilindjes Kombëtare. Ajo, në shpërgajt e rritjes, u ninullizua me mushtin e legjendave dhe subjekteve epiko dramatikë të anonimatit oral popullor.  Eposi heroik shqiptar me këngët e ciklit të “Mujit e Halilit” dhe këngët për kreshnikëve të veçantë, si Gjergj Elez Alisë etj, shënon pragun e kësaj letërsie. Aureola e tyre artistike është veshja më e bukur që njeriu i vjetër i Alpeve të Ballkanit ka lënë në pergamenin e shpirtit të kohërave të trazuara të ekzistencës së tij mijëra vjeçare.

Eposet lindën me formimin e kombeve e përvijuan vizionin e tyre artistik. Ato kanë vlera unikale e njëkohësisht universale. Të  gjithë popujt dhe në krijimin artistik bashkohen e ndahen në fatin e tyre vetjak e të përbashkët. Leximi i tyre e bën çdo brez   fëmijësh, të ndalet e të njohë rrënjët e etnosit dhe të ndjekë yllin e fatit të tij. Miti dhe legjendat nuk duan shpjegim shndrisin si fosfori i kockës! Njëkohësisht, ato shërbejnë në njohjen e pasurisë së vlerave të gjuhës së tyre artistike.

Eposi është ngrehina ku filloi të pasqyrohet nyja gardiane e fillit të virtyteve të gjinisë së gjakut iliro-arbëror. Krijimi i epokës legjendare nëpërmjet një proze legjendare me heronj legjendarë jo vetëm si prijës, por dhe si luftëtarë të thjeshtë, janë faqet më të bukura e më domethënëse ku lufta dhe paqja, puna dhe sakrifica lartësojnë njeriun në marrëdhënie me universin, dhe e ndihmojnë atë të njohë dimensionin e Atdheun. Gjeografia e tyre artistike pasuron njohjen e këndvështrimit të marrëdhënieve me popujt e tjerë, në rrjedhën e shekujve. Përjetësia e tekstit letrar qëndron në aktualitetin e ideve formuese. Tempulli i tyre, është realizimi i idealit të së bukurës shpirtërore në një të tashme të përjetshme. E tashme që e bën njeriun të ndihet i lirë e i barabartë në veprime. Eposi ynë dallohet për veprim edhe aksion të mirë menduar. Përgjithësim i mishërimit artistik të një stadi të përcaktuar etno-kulturor, social e historik. Kujtesa artistike e popujve nuk lejon ndërhyrje. Ajo është përjetësisht unike. E mbi të gjitha, e lirë në rrjedhën e pandalshme të kohës. Koncepti i lirisë, i nderit të familjes, veçanërisht ai i ruajtjes së nderit të gruas dhe i shtëpisë është i lidhur ngushtë me nderin e vendit të robëruar nga të huajt. Virtytet që mishërojnë heronjtë e personazhet  janë pjesë e qëndresës së konstitucionit të tyre shpirtëror. Çdo lexues e në veçanti, çdo fëmijë zgjedh heronjtë identifikues. Zgjedh të krahasohet me veten e me të tjerët. Letërsia për fëmijë ka fëmijërinë e vet. Dhe ajo është krijimtaria popullore. Prozodia shqiptare është e pasur, e përthyer si vetë relievi i tokës së saj. Fushë e mal, qiell e det, ku prej gjenezës presin e përcjellin ditëve lindjen e perëndimin e diellit!

II
Tregime të moçme shqiptare

Në mesin e viteve të shekullit të njëzet, më 1965, Mitrush Kuteli boton ”Tregime të moçme shqiptare”. Lënda e tregimeve të tij u brumësua nga dy qerthujt e mëdhenj epiko heroikë; ai i Malësisë së Veriut dhe i arbëreshëve të Italisë, me një synim të qartë ideoestetik, të mishërojë virtytet njerëzore deri në shenjtëri.  Kuteli ishte i ndërgjegjshëm në ekzistencën e këtij thesari, ndaj mori përsipër të evidentojë në tregimet e tij stilin dhe origjinalitetin e tij të papërsëritshëm. Një stil i shtruar e bisedor, që përshfaqet me të gjithë bukurinë sintetizuese e tipizuese, frazeologjike e toponimike, përrallore e legjendare! Në mesin e këtyre tregimeve “të moçme” spikatin dhe ato me temën nga epoka e Skënderbeut. Epokë, jo e largët historike për lexuesin e kohës, njëkohësisht dhe e dokumentuar historikisht. Imazhi i protagonistëve do të vishet me  kalkun legjendës. Në qendër të tregimeve është figura  e Skënderbeut,  qëndrestar e prijës, luftëtar i Atdheut, mik e shok i bashkatdhetarëve në kohë lufte e paqeje. Konceptim i kësaj figure, herë si figurë qendrore e herë si sfond historik, është bërë sipas qerthullës së vjetër të tematikave të baladave të rinjohjes, apo të besnikërisë së dashurisë motër vëlla. Një trajtim i tillë nuk e ka zbehur vërtetësinë përgjithësuese të karaktereve të heronjve, por ka ruajtur autenticitetin e tyre iliro ballkanik. Vazhdimësia e  konceptimit artistik është ‘ajëruar’ me idealin e Gjergjit, si prijës i formësuar me idealet e Rilindjes Evropiane dhe aktualitetit epokal që ai mbart në shekuj. Kuteli i mëshon domosdoshmërisë së ruajtjes së pontencialit intelektual e njerëzor përballë shpërfaqies së suvalave të njëpasnjëshme rrethuese, “Ku shkel turku nuk mbin bar” përmend ai, diku thënien e mbledhur nga goja e popullit prej Frano Bardhit. Në emër të jetës kjo sentencë e urtësisë popullore, sheh në brendësi të shpirtit njerëzor, aty ku duhen luftuar rrënjët e errtë të konflikteve të mëdha. Tregimet e tij shpesh janë motërzime të këngëve popullore dhe të baladave, që përjetësuan mynxyrat e një lufte të ndërkombëtarizuar prej më se një shekulli e që këndohen edhe sot e kësaj dite prej mërgatës arbëreshe. Plot dhimbje e reflektim tingëllojnë rastësitë e hidhura të fatit “Shega dhe Vllastar” “Rina dhe Radovani”. Mitrush Kuteli ashtu si edhe vetëdija arbërore sheh thellë në rrënjët e plagëve të hapura, përtej qëndresës midis dy palëve kundërshtare, jo vetëm si pamje e tablo të dy anëve të medaljes së kohës. Gjergj Kastriotit i dhemb plaga e vëllavrasjes midis shqiptarëve në fushën e betejës si palë ndërluftuese. Nëna e ati mohojnë të birin, kur vëllai lufton kundër vëllait, kur rrezikohet motra e nusja në pabesinë e kurthet e pushtuesit.  Shqiptarët ishin të detyruar të luftonin si ushtarë mercenarë. Përballja artistike e tejkalon përballjen fizike. Kutelit i intereson zgjidhja e tyre. Konfliktet zgjidhen në funksion të ruajtjes së pastërtisë së racës njerëzore.

III
Legjendarizimi, realiteti, përjetësia artistike

Gjithnjë kam qenë e bindur se në këto përpunime artistike autori nuk i drejtohet vetëm moshës së fëmijëve, por të gjitha moshave e shtresave të lexuesve. Kur flitet për modelim personaliteti në moshën fëminore, më mirë se sa në leximin e një teksti letrar ku mund të përthithet ai. Në kushtet e digjitalizimit të librit, rritet dhe mënyra e reklamimi i vlerave, që ato përcjellin. Rritet edhe aktualiteti i mesazheve që mbartin. Epërsia e së mirës ndaj së keqes, triumfi i drejtësisë e lirisë universiade në anën e një populli që është në të mirën e fatit të vet, zbërthehen përmes veprimit dhe realizimit të forcës së karakterit të luftëtarëve të thjeshtë si Milo Shini apo Nik Peta që luftojnë në tokën e të parëve të vet pa i pasur kujt borxh.  Në kohën e globalizmit e lëvizjes së lirë të njerëzve, kulturave e shpërfaqjes së vlerave që ato mbartin, tema e tradhtarit, e renegatit, e emërshuarit, e besë-shkulurit kutelian në epizmin e heroikes besoj se më tepër se folklorike tingëllon më bukur me prerjen e artë të zgjidhjeve të konflikteve: “Shpata me vend e fjala me vend”. Tingëllon artistike e hyjnore falja e “gabimeve njerëzore” kur garant bëhej vetë prijësi, simboli i qëndresës së kombit,  Skënderbeu. Si strategu i kohës së luftës, ai ndërmerr zgjidhje humane që do t’i shërbejnë kohës së paqes. Për të gënjyerit bashkëkombës, zgjidhje si brerja e ndërgjegjes, ndjenja e fajit, e turpit janë katarsisi për t’i shpëtuar tragjizmit të tyre shpirtëror nëpërmjet veprimtarisë së dobishme shoqërore.  Atmosfera e motit të zi, koha kur turku u derdh me shpatë e zjarr, mbi vendin e lulëzuar të Arbërit i ka brenda, të gjitha stinët e vitit, të gjitha stinët e jetës, por dhe stinët historike. Në çaste bunace armiku i thyer tërhiqej e atëherë arbërit merrnin pak frymë. Kapnin parmendën për të punuar tokën, çekanin e mistrinë për të ndrequr shtëpitë, dilnin për gjah, por asaj kohe i mungonte ende paqja e vërtetë. Ujërat e kohës rridhni të turbullta, e vinin në sprovë karakterin e fisit arbëror ndaj veprimeve të kobi të errësirës. Kontraste e fuqishme midis palëve nuk janë vetëm bardhë e zi, por janë dhënë me të gjitha ngjyrat ku mbahet nëpër dhëmbë një jetë, ku ka edhe më keq se vdekja, dhe kjo është humbja e nderit, e mbulimi me turp i njeriut!  Blerja e Gjin Bardhelës prej turqve ia nxiu faqen vetes e vëllait të tij, Milo Shinit, ia nxiu faqen gjithë arbërit, ai përfundon duke u mbuluar me mohim, për të mos iu dëgjuar më as emri. Përballë Gjin Bardhelës, përvijohet karakteri i gruas së tij të bukur. Ajo i kundërvihet lakmisë së Ali Begut, duke na dhënë një tablo dyluftimi; së pari me fjalë burrash për të drejtën e pastaj me armë. Tingëllojnë profetike fjalët, në majë të shpatës, nga goja e Ali Begut kokëprerë: – Kushdo që do të dhunojë truallin e tjetrit e t’i rrëmbejë gruan, le të shohë ç’pësova unë. Lengjendarizimi i situatave dhe heronjve, vjen natyrshëm e formëson filozofinë e personazhit. Ata formojnë një galeri të pasur portretesh, e të gjitha janë bindëse e realiste. Edhe kur portretizohet pala ndërluftuese, pena krijuese e Kutelit është realiste, por këtu ai nuk u ka shpëtuar moralizimeve të tepërta, që rrinë si mish i huaj në disa shpjegime të pa nevojshme të karakterit historik. Ka hyrje të zgjatura të tregimeve dhe ballafaqime të panevojshme ideo-emocionale. Siç është përshkrimi i zgjatur i karakterit heroik të “Valles së shpatave” në fushën e betejës në tregimin “Skënderbeu e Ballabani”. Përballja me superfuqinë më të madhe të kohës realizohet si  një përballje vlerash. Skënderbeu përballet fyt më fyt me Ballabanin e mbrohet krahas nga dymijë malësorë, që e kishin në krye trimin Dukagjin, që sulet bashkë me të si një zjarr flakë-madh, që bie kallamave të thatë. Prerja e veshit të djathtë të Ballabanit prej Skënderbeut. Është një dënim e mësim moral, për të gjithë të gënjyerit e tradhtarët e vendit, të vënë në shërbim të të huajve. Ballabani ishte betuar se di t’ia sillte Mehmetit, mbretit të madh, ngadhënjyesit të Kostandinopojës, Skënderbeun të lidhur ose të vrarë. Por kthimi i Ballabanit, kryeplagosur e atdhemohues është një fund i përligjur artistikisht! Mes legjendarizimit e vërtetësisë emocionale ka një masë, dhe kjo është masa e arritjes së pjekurisë artistike. Në atë mënyrë, ku elementët epikë e lirikë realizojnë një përshkrim, të detajuar e me gjetje të bukura artistike. Sprova kuteliane është sprova e një proze që do të kërkonte më tepër vëmendje në krijimin e unitetit artistik, në shtjellimin e fabulës më me ndjeshmëri bashkëkohore. Lexuesit, e në mënyrë të veçantë brezit më i ri i duhet një biografi artistike në kufijtë e ripërtëritjes shpirtërore. Tematika historike edhe rimarrja e tyre e vë krijuesin përpara ridimensionimit të ri të materialit me një frymëmarrje të shëndetshme e mbresëlënëse. Kultura e imazhit tek fëmijët sot është shumë e pasur.  Teknologjia e realizimeve filmike ka bërë punën e saj. Por edhe leximi edhe fjala kulturon, pasuron e gjykon në raport ndërveprues me simotrat e tjera të artit. Krijimi i imazhit nëpërmjet fjalës, të bën të përjetosh thjeshtësinë konkretizuese: “ I thoshte shoqes së saj që donte ta bënte nuse për vëllanë, në tregimin “Vasha e bukur dhe trimi  i ushtrisë së Skënderbeut”,”je e mirë si buka e ngrohtë”, e tjetra skuqej e më shumë , e “i vakeshin sytë e shkruar”…koncepti i së bukurës , thellohet, “kur qeshte vasha dukej sikur ishte gjithnjë pranverë, sikur shkrepte dielli majë maleve, sikur vezullonte vesa nëpër lule!”. Lirizimi i ndjerë buron nga dashuria për jetën, ai është oksigjeni për mushkëritë e asfiksuara të Atdheut të robëruar. Oksigjeni i artit i ngjan minierave të arit që gjenden kudo, në thellësi e sipërfaqe të tokës! “Tregimet e moçme shqiptare” janë përpunimet artistike më të arrira deri tani, në frymën e legjendës. Duke shpalosur një gjuhë letrare të përpunuar dhe frazeologji popullore të artikuluar midis tregimit edhe legjendës, ato kanë nënshkruar përjetësinë artistike. Letërsia për fëmijët shkruhet për edukimin estetik të ardhmërisë së kombit. Historia e fantazia nuk përjashtojnë njëra tjetrën, por u shërbejnë të vërtetave të jetës. Legjendat shkruhen për heronjtë!