Suplementi Pena Shqiptare/ Zef Serembe: Poeti i ndjenjave, idealeve dhe vetmisë

2389
Zef Serembe lindi më 6 mars të vitit 1844 në Strigari të krahinës së Kozencës, ishte poet lirik arbëresh. Studioi në Kolegjin e Shën Adrianit në Shën Mitër Korona ku pati mësues De Radën, me të cilin më vonë u bë mik. Varfëria dhe shëndeti i keq e detyruan Seremben të ndërpresë shkollën dhe të kthehet në fshatin e lindjes. Ra në dashuri në moshë të re me një bashkëfshatare të tij, e cila më vonë u shpërngul familjarisht në Brazil dhe vdiq pak kohë pasi kishte arritur aty. I pushtuar nga kjo humbje ai mori detin për në Brazil në vitin 1874 në kërkim të një jete të re si dhe me mendimin të gjente të paktën atje varrin e saj. Me ndihmën e një letre-porosi nga Dora d`Istria, ai u prit në oborrin perandorak të Dom Pedro II. Pas një dashurie këtu, ai u kthye në Evropë, i zhgënjyer e i pikëlluar nga jeta e oborrit. Me kthimin e tij më 1875 ai pësoi edhe një kthesë tjetër fati edhe më të keqe. Atij iu vodhën te gjitha paratë që kishte, me sa duket në portin e Marsejës. Iu desh të kthehej në këmbë për në Itali dhe thuhet se gjatë rrugës humbi shumë dorëshkrime. Në Livorno Dhimitër Kamarda e pajisi me një biletë treni për pjesën e mbetur të rrugës për në Kozencë. Hidhërimi dhe depresioni kohor ose forma të tjera të çrregullimit mendor apo shpirtëror e shoqëruan poetin gjithnjë dhe e kthyen atë në një vetmitar dhe njeri të pasigurt. Në vetminë e tij ndjenja poetike dhe në përjetimet e yij, Italia u bë për të gjithnjë e më tepër dheu i huaj. Në vitin 1866 ai shikoi ngulimet arbëreshe në Sicili, te Hora e Arbëreshëve, duke u lidhur më tepër me zakonet, me folklorin, me të folmet e ndryshme të arbëreshëve, me ndjenjat dhe ëndërrimet e tyre, me ndjenjën e madhe të çlirimit të atdheut të të parëve. Po nuk gjeti asgjëkund qetësinë e shpresuar. Gjatë këtyre shtegtimeve ai improvizonte poezi dhe i recitonte ato kudo që shkonte, si një poet popullor. Disa prej këtyre vjershave qarkulluan si poezi popullore. Në vitin 1893 udhëtoi për në Amerikë, ku jetoi për dy vite. Një vëllim i vargjeve të tija në italishte u botuan në vitin 1895 në Nju Jork. Në vitin 1897 ai emigroi nga Kalabria për në Amerikën e Jugut për herë të dytë dhe u përpoq të rifillonte një jetë të re në Buenos Aires Argjentinë. Në vitet që pasuan u sëmur dhe vdiq në vitin 1901 në Shën Pali, Brazili.

Veprat letrare
Shumë prej veprave (punëve) të Serembes (poezi, drama dhe një përkthim i Psalmeve të Davidit) që ai shpesh i rishikonte e i ndryshonte, humbën gjatë jetës së tij endacake. Sa qe gjalle ai botoi vetëm: “Poesie italiane e canti originali tradotti dall’albanese” (Poezi italiane e këngë origjinale të përkthyera nga shqipja), Kozencë1883 në italisht dhe shqip, “Il reduce soldato, ballata lirica”, 1895 Nju Jork (Kthimi i ushtarit, baladë lirike); vargje vetëm në italisht, dhe “Sonetti vari” (Sonete të ndryshme) Napoli 1891, një përmbledhje shumë të rrallë prej 42 sonetesh me një parathënie (hyrje), me një shkrim të imtë të ndrydhur në vetëm 4 faqe. Ja këtu një copë e parathënies : “ E ky është motivi për të cilin, o Rini e shkëlqyeshme Italiane, vendosa me zemër të thyer të jap për botim këtë vëllimth ku, së bashku me përkthimin fjalë për fjalë të disa këngëve të mia origjinale shqipe, kam futur edhe disa poezi të miat italisht, të diktuara pothuaj në mënyrë të improvizuar, sipas kërkesës së miqve, me shpresë që me të hollat nga shitja e këtyre të mund t’i grumbulloj mjetet që më janë të nevojshme për t’ia arritur qëllimit që i kam caktuar vetes.”Një poemë u duk edhe në revistën e Zef Skiroit (Giuseppe Schiro) Arbri i Ri me 31 mars 1887. 39 prej poemave te tij shqipe “Vjersha” u botuan pas vdekjes së tij në vitin 1926 në Milano nga nipi i tij Cosmo (Kozmo) Serembe. Punë të tjera tij u gjendën në arkiva të ndryshme dhe dorëshkrimet në vitet e fundit dhe disa prej poemave në të vërtetë mbijetuan në përcjellje gojore midis fshatarëve të San Cosmo Albanese. Kjo shenjë e popullaritetit te tij ne vendlindje është tepër për t’u habitur nga që ai pjesën më të madhe të jetës së tij e kaloi larg tij. Vjershat e Serembes kanë karakter të trishtë e melankolik, por shpesh janë patriotike e idealistike në frymëzim. Njohës të letërsisë e radhisin midis poetëve më të mirë lirikë që letërsia shqipe ka pasur ndonjëherë, të paktën para kohëve moderne. Temat e tij shtrihen nga lirika melodioze në dashurinë e evlogisë (fjalëve të ëmbla) për vendlindjen e tij (qoftë Italia, vendlindja e tij apo Shqipëria, toka e ëndrrave të tija), poema elegante mbi miqësinë dhe bukuritë e natyrës (amtyrës), dhe vjersha me frymëzim fetar. Ndër poemat e tij romantike të mallit kombëtar, të cilat fuqizojnë lidhjen letrare me ngritjen e brezit të poetëve të Rilindjes në shekullin e 19-të në Shqipëri, janë lirikat e kushtuara atdheut të tij të humbur, Ali Pashë Tepelenës , Dora d`Istrias dhe Domeniko Mauros. Megjithëse ai mund të ketë qenë atdhetar, ai nuk ishte një poet intelektual që mund të na afrojë kronika poetike mbi të kaluarën e Shqipërisë. 

FYTYRA E SAJ
Si vajza ime e bukur s’ka asnjë 
e prerë, e hollë si kumbull drejt me rri
Kur ecën shkon si zog e mbase me
zërin e saj ngre plotë harmoni.
I ndan flokët ne mes e rrethas ve
gërshetin që i shkëlqen krejt në të zi
i feks ballin që rreze zë
si gryka e detit nëe agimn e ri.
Të zez e tëë mend e mall të thellë
sytë e saja shkëlqejnë mëse hënëe
në mes faqes i qesh hunda e hollë.
Ka buzët si merxhan është faqe hollë
dorën dhe zverkun si alabastëer vënë
Edhe kur qesh sikur të ngre në qiell.
VASHËS SË LARGËT
Fati ynë është shumë i fort
Se na jep helme dhe mort
Posi hënës, posi diellit
Që kërkohen kot prej qiellit
Se i shkreti fat i zbon
Edhe kurrë s’i bashkon
Edhe i ligu mirë e di
Që është drita dashuri
E kur fatin tim kujtoj
Derdh un’ lot e psherëtoj
Plag’ e rëndë s’hiqet dot
Që më bëre ti qëmot;
Qenë ilaçe e qenë bare
Që s’më vlejtën mua fare
Nuk pushon ky helm i fort
Që na jep përdita mort.

KENGËTARI DHE BILBILI
Jam i vetëm në mesnatë
…si bilbili i pafatë
Që me zënë e tij i thotë
…sa mjerime ndjen dhe lotë
Trëndafiles dal nga gjembi
…q’e ka zëmërën si shkëmbi
Fërshëllimet që këndoj
…i rrëmbeu mali e përroj
Edhe un’, këngtar i mjerë
…vajtoj fshehtas heraherë
E këndoj e qaj si dua
…e me lotët bëj një krua
Vashë, syt’ m’i përvëlove:
…unë të desha, ti më zbove
Je si një tufan që shkrep
…që rrëmben e rreh e shqep
Flaka jote më rrëmbeu
…kurm e shpirt më dogji e preu
Shkove e zjarri që më le
…më bën hi, më fut në dhe
Ahet që mjerimi i sjell
…ngrijnë e larg era i shtjell.
Sigal