Suplementi Pena Shqiptare/ Zaho Vasili: Intervistë imagjinare me Dritëronë

546
Kam bërë lidhje të disa titujve të veprave të tua
“Në rrugë dola” me hapa gare
I hodhe “Hapat e mia në asfalt” me siguri,
Eci Dritëroi “Në shtigje malesh e trotuare”
Gjersa në “Mesditë” mbriti te “Nëna Shqipëri”.
Digjej nga dëshira “Fjala gdhend gurin”
Ndaj me shumë kujdes “Komisari Memo”, si shok,
I tha të shkonte te “Njeriu me top” si burri te burri,
Për t’i marrë topin, t’i dhuronte “Trëndafilin në gotë”
Ndale pak në Kinostudio, te “Apasionata”
Me “Maro Mokrën” dhe “Moshën e bardhë”,
Pastaj ngrite monumentin që le mbrapa,
“Shkëlqimi dhe rënia e Zylos” së rrallë…
DRITËROI:
Titujt apo emrat e librave, përherë
T’i gjej të bukur ma ka ënda,
I ngjajnë etiketës te shishja me verë
Që nuk dihet ç’verë ka brenda…
Si është puna e atyre njëmijë dollarëve?
Jashtë vendit unë mora një çmim
Ishin dollarë nga poezitë e mia,
Merri, nxirre librin, i thashë shokut tim,
Pa e marrë vesh akoma Sadija…
Të vërtetën, ke ndjerë gjë për turkeshën?
Sikur kishte dalë nga një pikë lot
Më ka pikur për turkeshën,
Ishte si gjithë femrat e bukura në botë,
Ç’të bëja, se e kisha dhënë besën!…
Një mësues të ka fyer në fëmijëri
Isha me këpucë të grisur
Tek Një Maji, në parakalim,
Midenë atij ia kisha prishur,
S’më la nga tribuna ai gjytyrim.
S’më zuri gjumi gjithë natën,
Isha rritur nëpër llucra,
Të nesërmen nxora “sopatën”
Shkrova vjershën “Opinga dhe këpuca”
Trasta me baltë në Lidhjen e Shkrimtarëve?!…
E bëra dhe s’më doli boja
Në vargje nuk doja të gënjeja,
Në lulishte,të mbillja ca jonxhë doja
Ca kuaj të lidhjes t’i ushqeja…
Thonë se specat i ha shumë?
I ha se kanë vitamina
Të veçantë e kanë vitaminën,
Zëvëndësoi gota e qelqurina
Se ishte kryegota për rakinë.
E dehe të zotin e shtëpisë në një fshat?
Donte të më dehte ai zuzari,
U çova për cigare në mesnatë,
Kur u ktheva hyra në kthinën e barit
Më gjeti në mëngjez mbi barin e thatë.
-S’u ngope në darkë, me kanë uji e pimë
Erdhe të pish prap kur pikoi vesa,
Këtu mbajmë tarabuzanat e rakinë
Si durove e s’u hodhe përpjetë nga pleshtat?!
Dhe ti pleshtat i ngrite në poemë?!
Po zhduket pleshti i ngratë
e doja kur vilja vreshtin,
Të isha pakëz i veçantë
ka një i dytë që shkroi pleshtin?…
Po me Zilo Kamberin, ç’pate?
Për Zilo ziliqar Kamberin?
Kisha një porosi nga Enveri,
Ai s’e mundi dot burokracinë
Dhe ia vuri detyrë vargut tim.
Burokracia është një kuçedër
Me gjuhë flake në çdo zyrë,
I pret një kokë, s’është si në letër
Ajo nxjerr tjetrën për të përpirë…
Ka ca krijime të fundit për ju, ja e para:
Secili një yll në qiell me emrin e tij e mbulon,
Qielli është shtrënguar nga yjet zjarre,
Një yll është fare pak për Dritëronë,
S’mjafton për të as Arusha e madhe…
DRITËROI:
Paska qenë shejtan ai lanet
Më pëlqen ledhatimi në gushë,
Arushën e madhe e dua vërtet
Kur flija netëve mbi bar në fushë.
Pa dëgjo të dytën?
Iku një trup i vogël për rrugë të gjatë
Po vendi s’mbeti bosh se u ngrit një mal,
Që kish filluar të lartohej pak nga pak
Në fund u gdhend maja me majat përballë…
Mbetesh rrezja e diellit që del çdo mëngjes
Me shkëlqim praron fusha, male e dete,
Le të bien shtroje vitesh si mbulesë
Rrezja nuk mbulohet,do dali mbi vete…
DRITËROI:
Të lutem mos ma nxini ballin
Për fjalën çdo kush ka dëshirë,
S’ngrihet dot kulti për së gjalli
Pas vdekjes le t’i thonë më mirë…
Thonë se ti je ndarë nga jeta apo bën shaka?
Të tjerët thonë, nuk kam ikur
Se kam lënë veprat pas,
Po unë do pres siç kam pritur
T’i fut mik Zotit mos më ngas’… 
Të pëlqeu intervista imagjinare?
S’futet në thes asnjë minare,
se është fort e gjatë, e shkreta,
Kush tha që është imagjinare,
të gjitha ishin të vërteta…
Sigal