Suplementi Pena Shqiptare/ Xhevat Mustafa: “Baladë për Josif Budon”, zhgënjimi për Shqipërinë e sotme

871
Një recension në vend të një opinioni
Në kuadrin e ceremonive me rastin e 8 dhjetorit, “Ditës së Rinisë”, me mbështetjen e Drejtorisë së Kulturës të Bashkisë së Kavajës, personalisht të zotit Genc Gjylsheni, u organizua promovimi i librit “Baladë për Josif Budon”, shkruar nga publicisti dhe poeti i njohur kavajas, Josif Doja. Ata që kanë lindur dhe po rriten në periudhën pas vitit 1990 ka shumë të ngjarë të mos kenë fare informacion ose ta kenë tepër të paktë e të mjegullt për “Martirin e Demokracisë”, Josif Budo. Ai është një nga djemtë e Kavajës që u vra nga forcat policore e speciale të regjimit komunist pas një proteste të qindra qytetarëve, me parullën kryesore “Liri e Demokraci”, më 10 korrik 1990, duke hyrë në histori edhe si martiri i parë i Demokracisë në mbarë vendin. Shprehja me zë të lartë dhe publikisht në rrugë e sheshe e pakënaqësisë dhe revoltës kundër regjimit komunist, sintetizuar shkurt e bukur në parullën “Liri e Demokraci”, ishte jo vetëm e guximshme deri në rrezikun e përfundimit nëpër qelitë e burgjeve të diktaturës, ferr tokësor, por edhe e parakohshme edhe për në Tiranë dhe shumicën e qyteteve të tjera të Shqipërisë. Megjithatë, qysh nga marsi 1990, Kavaja tashmë ishte mësuar me protestat e rinisë së saj, që kishin guxim qytetar e njerëzor të protestonin nëpër rrugë për “Liri dhe Demokraci”, duke e bërë këtë qytet të vogël, të madh, pararendës dhe flamurtar në maratonën drejt shembjes së regjimit komunist dhe fitores së Demokracisë. Një nga protestat më masive dhe më shqetësuese për partiakët dhe qeveritarët në Kavajë dhe shefat e tyre në Durrës dhe Tiranë, ishte ajo e 10 korrikut. Duke pasur informacion paraprak për organizimin e saj, drejt Kavajë u dyndën forca të reja policore dhe speciale, të ashtuquajtur sambistë. Për ato veprime që bënë në plazhin e Golemit mbi disa vajza e gra të reja, duke u shqyer recipete dhe rroba plazhi, si dhe mbi të moshuar dhe burra krejt paqësorë nëpër rrugët dhe kafenetë e qytetit, mund të mendohet se u kishin injektuar edhe doza droge, për t’i kafshëruar kur të ndodheshin përballë demonstruesve në Kavajë e “për t’u dhënë një mësim të mirë të gjithëve”. Edhe atë ditë Josif Budo ishte mes demonstruesve. Edhe atë ditë protestoi me guxim, pa u frikësuar nga shkopinjtë prej gome dhe tytat e armëve të forcave policore, speciale apo të sambistëve. Sepse, siç e karakterizon bukur autori i librit, “Josif Budo ishte përherë atje ku ziente shpirti i revoltës, ku shpërthente një protestë apo një demonstratë”. Jeta u ishte bërë ferr të gjithëve dhe kështu nuk shtyhej më tepër. E kishin duruar shumë gjatë e përtej cakut të durimit njerëzor diktaturën e Enver Hoxhës dhe të Ramiz Alisë, e karakterizuar me mungesa të mëdha në kushtet e jetesës dhe në të drejtat elementare dhe themelore të njeriut e të demokracisë. Djemtë e Kavajë u bashkuan dhe u ngritën në protestat e para, të 25 dhe 26 marsit 1990. Regjimi u befasua dhe shqetësua. Qytetarët e tjerë, disa prej tyre edhe me tesera të partisë së punës, përjetuan njëherazi frikë e admirim për të rinjtë që protestonin, si dhe rritje të guximit, shpresës, besimit…në vetvete. Por, më 10 korrik forcat e diktaturës kishin marrë urdhër që t’u jepnin një mësim të mirë rinisë së Kavajë. Kuptohet, nëpërmjet tyre edhe në qytete të tjera si Tirana, Shkodra…Në zbatim të këtij urdhri u ndalua në rrugë, jo larg shtëpisë së tij, edhe Josif Budo. E qëlluan barbarisht, në fillim më grushte, shkelma, shkopinj gome. Pastaj mbi trupin e tij u zbrazën 2 plumba. Ashtu i plagosur dhe i ndihmuar nga qytetarë aty përreth, Josifi arriti në shtëpi. Nënë Vasilika e mjekoi me çfarë iu gjend në shtëpi, me zemrën që i therte, me duar të dridhura, sy të përlotur… Ai duhej dërguar qysh në fillim në spital. Por jashtë, përreth shtëpisë kishte forca policore, në këmbë apo në automjete, që ruanin. Ata kishin urdhër ta arrestonin Josifin e plagosur sapo të dilte nga dera e shtëpisë së tij. Gjendja e tij rëndohej me shpejtësi. Kur e dërguan në spital ishte shumë vonë. Ai u shua. Por, sakrifica, shpirti dhe emri i tij ndezën shumë zemra shokësh dhe qytetarësh. Diktatura kishte treguar shpirtin dhe fytyrën e saj mbi një djalë të popullit. Varrimi i Josif Budos u shndërrua në një protestë mbarë qytetare dhe popullore, duke përcjellë në Tiranë mesazhin se brenda asaj dite ndarja mes saj dhe shumicës së qytetarëve në Kavajë ishte bërë humnerë e gjerë dhe e thellë. Pikërisht si homazh nderimi dhe mirënjohjeje për Josif Budon dhe rininë demokratike të Kavajë, për guximin dhe përpjekjet e tyre për “Liri e Demokraci” është ideuar, konceptuar dhe ndërtuar nga poeti dhe gazetari Josif Doja në librin e tij të ri, “Baladë për Jofif Budon”. Këtë libër Josifi e ka shkruar me shpirt dhe zemër poeti e qytetari kavajas, por edhe duke menduar t’i kapërcejë kufijtë e ngushtë gjeografikë e kohorë të këtij qyteti. Nëpërmjet poetizimit dhe përkujdesjes artistike në stil, figuracion, nëpërmjet gërshetimit të rrëfimit të vetës së parë dhe të tretë, si dhe të pasurisë së informacioneve për familjen Budo dhe Kavajën e asaj kohe, ky libër të trondit dhe emocionon fort me të vërtetat dramatike e tragjike; me rrëfimet apo kujtimet; fotografitë dhe fragmentet ilustruese…Si epilog epik është poema “Baladë për Josif Budon”, e shkruar, pa dyshim, me frymëzim, stil, mjeshtri dhe lirshmëri poeti të konsoliduar si vetvetja apo si individualitet krijues. Ky libër mund të cilësohet edhe si monument i ri dokumentar, historik, letrar për këtë martir të demokracisë. Njëherazi ky libër është edhe baladë për Kavajën dhe rolin e saj historik në fillimet e lëvizjes kundër diktaturës komuniste dhe për pluralizëm dhe demokraci Me këtë libër Josif Doja dëshmon se, di të shkruajë po aq bukur, si në poezi edhe në prozën monografike e letrare, duke na paralajmëruar se, jo shumë vonë ai mund të na dhurojë edhe një roman. Sot, pas 27 viteve, kur festojmë 8 Dhjetorin, “Ditën e Rinisë” apo të Demokracisë, nuk mund të themi me zemër dhe bindje se sakrifica e djemve të Kavajës, Shkodrës, Tiranës dhe e të gjithë martirëvë të demokracisë në mbarë vendin, të rënë apo të gjallë, kanë sjellë atë “Liri dhe Demokraci” që ëndërronin dhe dëshironin Josif Budo me shokë e shoqe në mbarë Shqipërinë. Vërtetë u rrëzua diktatura komuniste dhe prej 27 vjetësh jetojmë me liri dhe demokraci të gjerë, por, përsëri nuk mund të shprehemi para Josif Budos dhe martirëve të tjerë të vrarë apo të gjallë se e kemi bërë Shqipërinë siç e deshën ata. Fakti që në qeverisjen aktuale janë në majë të piramidës bij e bija, nipër dhe mbesa, dhëndurë e nuse të ish nomenklaturës komuniste, konkretizuar edhe me praninë në poste të larta të Gramoz Ruçit, Fatmir Xhafajt…; të skuadrave apo togave të veteranëve me portrete të Enver Hoxhës në duar në festimet e 29 Nëntorit; nuk të lejojnë të thuash me bindje të plotë se ka vdekur përgjithmonë komunizmi në Shqipëri dhe se vendi është për nga standardet në zbatim një demokraci e vërtetë, e plotë, funksionale. Shprehur në mënyrë figurative, atje në parajsë Josif Budo, ashtu si bijtë dhe martirët e Shkodrës, të vrarë më 2 prill 1991 nga forcat policore nën urdhrat e ministrit të brendshëm të asaj kohe, Gramoz Ruci, mund të përjetojnë zhgënjim, fyerje, keqardhje. Edhe pas 27 vjetësh ata që e mbajtën në këmbë diktaturën komuniste nuk e kanë çuar ndërmend as të ndjejnë faj, as vrasje në ndërgjegje dhe as të shprehin pendesë e të kërkojnë falje për krimet monstruoze, që kanë kryer mbi bashkëkombasit dhe bashkëqytetarët me mendimn dhe bindjen se ata që ishin “ndryshe”, të etiketuar dhe masakruar si “armiq të partisë e të popullit”. Pasardhësit apo trashëgimtarët e tyre kanë rrëmbyer në Demokraci të gjitha pushtetet dhe janë të bashkuar e të vendosur t’i mbajnë fort, me mashtrime e demagogji, të kthyera në art e shkencë, me armë dhe me miliarda korrupsioni, kanabisi, krimi…Nga ana tjetër, PD-ja dhe opozita në përgjithësi, po përjetojnë një periudhë të tejzgjatur kukullzimi, formaliteti apo kome, duke mbetur shumë larg vetvetes dhe pritshmërive ndaj tyre. Harresa, braktisja apo nëpërkëmbja e idealit dhe sakrificave të Josif Budos dhe të martirëve të tjerë të demokracisë nga politikanë dhe qeveritarë të këtyre 27 vjetëve shpreh mosmirënjohje, zbrazëti ideali, morali, përgjegjshmërie… Ndërsa diskriminimi shumëformësh dhe i lehtëkuptueshëm i Kavajës dhe Shkodrës, përmbytja e tyre nga papunësia e varfërimi, shpreh hakmarrje tinzare për kontributin e tyre historik për shembjen e komunizmit dhe për fitoren e demokracisë.



Sigal