Suplementi Pena Shqiptare/ Xhevahir Spahiu: “S’kanë fytyrë dhe fjalë por vetëm skafandra dhe dhëmbë”

868
Xhevahir Spahiu lindi më 1 mars të vitit 1945 në Malind të Skraparit, është shkrimtar i njohur shqiptar. Studioi në Fakultetin Histori-Filologji, dega gjuhë-letërsi shqipe. Që nga viti 1968 ka punuar si gazetar në gazetën “Zëri i Popullit”, redaktor në revistën “Nëntori”, mësues dhe libretist në Teatrin e Operës e Baletit në Tiranë. Është i nderuar me çmimin “Migjeni” dhe dhe është fitues i Çmimit të parë në konkursin e 45-vjetorit të çlirimit të Atdheut
“Këto poezi u shkruan në periudhën e trazirave dhe ia kushtoi “studentëve të uritur për LIRI”. Më gjashtë mars Xhevahir Spahiun e ndalën në rrugë dhe e goditën barbarisht ata që, siç thotë ai në poezitë e tij, s’kanë fytyrë dhe fjalë por vetëm skafandra dhe dhëmbë.”
Kur sheshet ishin zbrazur
Kur gjysma bënte kafe
dhe gjysma pinte kafe
– po unë s’qeshë aty –
Kur sheshet ishin zbrazur
(kamxhiku prehej pakëz)
një lot kërkonte sy.
“MALI I VETËTIMAVE” 
Gjideti pa peshk,
Ullinjtë në zi.
S’ka as sy e s’ka veshë,
Ka vetëm Uri.
Mbi retë bokërima,
Një mal i vetmuar
Gatuan Vetëtima.
Digjen qirinjtë
Digjen qirinjtë në shuplakën e mbrëmjes,
Shëtitoret tiranase shtrirë si shandanë,
Qirinjtë lotët si fshehin,
Qirinjtë njerëzisht mund të qajnë.
Flakët luhaten
si fjalët e firomës së fundit,
i flasin erës
i flasin gurit.
Sa të rrimë e të nëmim orë e çast errësirën
më mirë, thanë njerëzit, të ndezim qirinj
në kujtim të shpirtrave të atyre që s’janë
përshpirtje për të vdekur, paqe për të gjallët
që treten pak nga pak si qirinjtë shpirtbardhë
Digjen qirinjtë shëtitores së Tiranës
digjen dhe qajnë
për ata që s’janë;
por dalin nga terri ca terre mbi terr
dhe nisin ti fikin qirinjtë, për tmerr.
Fiket i pari, rrëzohet dhe një
vdesin po asnjëri prej tyre s’nxjerr zë. 
Qirinjtë me mijëra – me mijëra shpirtra.
Fikësit s’kishin kohë,
fryma po u sosej, – 
pastaj pas një gjëme
do ndiznin tjetër gjëmë.
Atëherë, siç shtyp fëmijët një tank
i shtypën me këmbë.
Vetëm njërin, ah, njërin s’arritën ta fikin
Qiririn hyjnor të Naimit.
* * *
tri kafshë
mbi katër rrota
m’i gëlltitën sytë.
(vdekje,të theri zemra?)
qajnë gishtërinjtë e mi si stalaktitet
për ju o shpella,
ç’paskëshit mbajtur brenda!
* * *
Kur shkon dhe kokën e kthen pas,
Kur hyn dhe derës i vë lloz,
Mos do të thotë: vdekja tu qas
Dhe ti s’arrin të klithësh: – mos!
Ballë për ballë
Unë dal në rrugë,
me tufa mimozash në duar,
ti me shkopinj dhe me plumba.
ti me qen
unë me pëllumba.
Unë kam fytyrë –
ti skafandër,
ti dhëmbët –
unë fjalën.
Unë kërkoj një grusht jetë
ti më kërkon edhe vdekjen.
Të dy
sy ndër sy
sy ndër sy
të dy.
Pëllumbat e mi pasurojnë
hapësirat.
Ikën qentë prej teje, morën
malet
përpjetë.
As qentë nuk të duan.
Nuk të duan as qentë.
“DIL”
Kur s’i qesh buza buzëqeshjes,
Kur dhe vetmia zë vetmohet
Ti rri ngujuar brenda heshtjes
Po tjetër kush për ty ngujohet.
Je gjeth i degës hijerëndë
Je dru i pyllit që nuk sos
Nga zëra njerëzish rrafsh iu
Shembën
të lashtat mure Jerikosë.
Dikush për ty përbluan urinë
Mos ndjejnë uri as zogjtë, as ti.
Ti – një shushamë në suferinë, – 
ngujuar brenda vetes rri.
Dil sa pa rënë nata e gjatë.
sa pa të marrë harrimi osh,
Në këtë botë të pamatë
Të rrosh, përkthehet të luftosh!
Marrë nga Revista PËRPJEKJA Nr.10
Sigal