Suplementi Pena Shqiptare/ Xhevahir Spahiu, Poeti i lirikave moderne

616
Xhevahir Spahiu ka lindur në 1 mars 1945 në Malind të Skraparit. Shkollën fillore dhe atë shtatëvjeçare i mbaroi në vendlindje dhe në Vlorë, shkollën e mesme Pedagogjike në Berat dhe në Vlorë. Studimet e larta i kreu gjatë viteve 1963 – 1967 në Universitetin Shtetëror të Tiranës, Fakulteti Histori – Filologji, dega Gjuhë-Letërsi Shqipe. Ka punuar: gazetar, nëpunës, redaktor letrar, mësues, libretist në: gazetën “Zëri i Popullit”, minierën e Valiasit, revistën “Nëntori”, shkollat e mesme, TOB etj. Në vitet 1993-1998 u zgjodh Sekretar i Përgjithshëm dhe në vitet 1998-2000 Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Ka punuar disa muaj në shtëpinë Botuese “Mësonjëtorja e Parë” dhe gjatë muajve maj- gusht 2002 Këshilltar i Ministrit të Kulturës. Prej vitit 2003 është Këshilltar i Jashtëm për Kulturën i Presidentit të Republikës. Drejton gazetën e përmuajshme “Dielli i Tomorit”. Është anëtar i Komitetit Shqiptar të Helsinkit. Ka përfaqësuar kulturën dhe poezinë shqipe në shumë veprimtari kulturore dhe poetike ndërkombëtare. Poezia e tij është çmuar, por dhe kritikuar për rebelizëm; kritika e huaj ka parë tek ky poet “Një nga zërat më të fuqishëm të modernitetit në poezinë shqipe”, një “zë i mbijetesës”. (Dr. R. Elsie). Poeti dhe akademiku Ante Popovski ka shkruar se “Me Xhevahir Spahiun edhe vetë poezia evropiane fiton në origjinalitet dhe modernizëm”. Gjatë 30 vjetëve e kanë larguar disa herë nga puna dhe është ndëshkuar për “gabime ideologjike” dhe frymë antikomformiste. Më 1979 libri i tij “Zgjimi i thellësive” u ndalua nga qarkullimi dhe u bë karton.

Libra me poezi:
“Mëngjes sirenash”-1970, “Vdekje perëndive”- 1977, “Zgjimi i thellësive” -1979. “Agime shqiptare”-1981, “Nesër jam aty”- 1987, “Heshtje s`ka”- 1989, “Kohë e krisur”- 1991, “Ferrparasja”-1994, “Pezull”- 1996, “Rreziku”-2001.
Përmbledhja e zgjedhur në kolanën “Poezia Shqipe” është botuar në 1990. 
Përmbledhja tjetër e zgjedhur “Udha” është botuar në vitin 2005.
Në Kosovë kanë dalë dy përmbledhje të zgjedhura poetike: “Vdekje perëndive”(1981) dhe “Tek rrënja e fjalëve”(1988).
Libra me poezi për fëmijë:
“Ti, qytet i dashur”, (1973), “Zambakët e Mamicës” (1981), “Ekrani i kaltër” (1982), “Kitaristët e vegjël”, (1983), “Kryeartëzat”, (1987), “Dielli i lodrave”, (1990), “Zogj të kaltër”, (përmbledhje e zgjedhur,1999).
Përmbledhje me eseistikë dhe reportazhe letrare:
“Dyer dhe zemra të hapura”, (1978), “Bashkëkohësit”, (1980). “Plaku i këngës”, monografi (bashkautor, 2002).
Libra me përkthime nga poezia botërore:
“Zemra pa mure” (1992), “Këtej nuk kalon askush”, (1997), “Përtej meje”, (1999), “Zotit”, (2004).
Poezia e tij është përfaqësuar gjerësisht në të gjitha antologjitë e poezisë shqipe të botuara gjatë 20 vjetëve të fundit në Shqipëri dhe në gjuhë të huaja.
Çmime
Çmimi i LSHA për “Kitaristët e vegjël”, si libri më i mirë për fëmijë i vitit 1983.
Çmimi Letrar Kombëtar “Migjeni” për librin më të mirë të vitit 1987 “Nesër jam aty”
Çmimi i parë në Konkursin Letrar Kombëtar për librin “Heshtje s‘ka” – 1989.
Çmimi Letrar Kombëtar “Migjeni” për librin më të mirë të vitit 1991 “Kohë e krisur”
Çmimi Letrar Kombëtar për librin më të mirë të vitit 1994 “Ferrparajsa”, (dhënë nga Ministria e Kulturës).
Çmimi Letrar Kombëtar “Velija” për librin më të mirë të vitit 1996 “Pezull”.
Çmimi i parë për tekstet poetike në Festivalet Kombëtare të Muzikës së Lehtë në vitet: 1976, 1979, 1989, 1995.
Çmimi Letrar i Karrierës: “Një jetë poetike”, 2001 (nga LSHA)
Çmimi Special në Konkursin Ndërkombëtar “Les muses d`Or”, Paris 1993.
“Diploma de Excelenta” akorduar nga Ministria e Kulturës e Rumanisë në Festivalin Ndërkombëtar “Netët e Poezisë të Curtea de Arges”, 2003.
Instituti Amerikan i Biografisë e ka shpallur kandidat për Medaljen Amerikane të Nderit, (2003).
02 mars 2005 – Presidenti i Republikës, i jep urdhrin “Mjeshtër i Madh” poetit Xhevahir Spahiu 
Është dekoruar me: Medalja e Punës (1972), Medalja “Naim Frashëri” (1974), Urdhëri “Naim Frashëri” i Klasit II, (1982).

POEZI Nga XHEVAHIR SPAHIU

Parlamenti
Atje brenda,
pas mureve të trasha,
pas perdeve të rënda,
atje brenda,
thonë natën e varrosnin,
thonë ditën e përsosnin,
sa shpresa,
sa ëndrra,
atje brenda.
Atje brenda?
Një mëngjes u gdhinë të tmerruar,
panë se vetveten e kishin harruar
dhe nisën vetveten
nga gjumi
ta zgjonin,
ta miklonin,
të kërkonin:
kush vila, kush plazhe, kush paga të larta,
kush blloqe të reja, avionë, parajsa;
duart dhe këmbët
si në ethe i shtrinin.
Përjashta, të uriturit ulërinin.

Përvëlimi i fjalës së pathënë
Ulej në shkallë
dhe thinjej çdo ditë nga pak;
diçka desh të thoshte,
u bë gati,
po s’e tha.
Një muzg s’ishte më:
në mur nekrologji germëzeza.
Vdiq fjala e pathënë;
mbi gur ishin ulur pikëllimi dhe heshtja.
Ç’ish ajo fjalë që s’ma tha ai plak?
Fjalë e pjekur nën saç të një jete,
fjalë e thënë vetëm kur flokët zbardhen.
Të ngrihet nga varri,
të ma thotë atë fjalë,
në mos po kam për të plasur
siç pëlcet një gjinkallë.
Ma thoni atë fjalë.
Pa ndodhur eklipsi
Unë po iki, i thashë,
dhe ty po të lë muzikën.
Sa pak, tha ajo, sa pak!
Unë po iki, i thashë,
dhe ty po të lë kujtimin.
Gazavaj, tha ajo, gazavaj.
Unë po iki, i thashë,
dhe ty po të lë universin.
Fare pak, tha ajo, fare pak.
Duhej ikur.
Doemos duhej ikur.
Po kur? Në shkurt a në maj?
Pa ndodhur eklipsi i diellit të saj.
Poeti
Më veshët raso, rason ua grisa,
më lypët këngë, këngët s’ua dhashë;
ju prisnit trëndafilë, u hodha hithra,
me thikat e sarkazmave ju rashë.
Kur patë se goditja keq u theri,
ju shpikët heshtjen, si një mur të ftohtë;
një ditë gjithëçka mund të ma merrni,
po penën kurrë nuk ma merrni dot!
gusht 1977
Sigal