Suplementi Pena Shqiptare/ Xheladin Çelmeta: “Bisedë” me nënën dhe ditarin…

683
Nga Mirela XHANI, Gjenova (Itali)

Pjesë nga romani “Hijet që vodhën Dashurinë”
Nis të shkruaj sonte, në këtë natë vjeshte të trazuar për shpirtin tim, për një histori të vërtetë, të përjetuar, e të trazuar ndër vite… Dua të shkruaj për shpirtin e dehur nga dhimbja e trishtimi, nga malli e pikëllimi, dua të shkruaj për jetën, për botën, për jetën time, për tënden, për hidhërimin, drithërimin, dhe për këngën. Ah, shpirti im, që lot lëshon pa pushim, e s’ngopesh, e s’ndalesh, nga trishtimet e pendimet, për mëkatet e shkruara e të pashkruara, me emër e pa emër, të jetës sime, të jetës sonë. Do të tregoj për dashurinë, më të shtrenjtën e kësaj bote. Linda me të, e s’e kuptova kurrë vlerën e saj; sa e kisha, sa më rrethonte. Kot s’thonë, “më mungon dielli, vetëm atëherë kur më pushton nata e kur bie shiu”. .. Ditari im! Tek ti fleta ime e varfër, dua të hedh mallin që kam për ty, për dashurinë time, që ty s’të rezistoj dot, por që shumë të deshi ime më’. Dua të ëndërroj, dua të hedh urrejtjen për gjithë mëkatet, ligësitë që atje në vendin tim, ndër vite munduan aq shumë zemra njerëzore… Mllef për jetën e prindërve të stërvuajtur sa më s’ka, për jetën time që shkoi mes jo pak mundimesh, e për foshnjën e sapolindur, që nuk di se ç’të ardhme ka për t’i ofruar bota… Është e vështirë, që ty rinia ime, megjithëse njëzetvjeçare, të kam përzënë pa ardhur, që në atë tranzicion të vështirë; pak ditë qesha e në kopshtin tënd më pas, derdha lot e të përzura; e të thashë “shko, ti s’je për mua”….Tranzicioni i djeshëm (kur po degradonte sistemi), dhe tranzicion i sotshëm(!). Vitet shkuan, ato që shkuan…Shkuan….Dhe vetëm me vdekjen e satanait në Shqipëri për ca kohë u duk se doli dielli, e ishim të lumtur sa më s’ka. Veç atëherë për ne e prindërit u duk se nisi jeta; ishim të lirë, një det i tërë lirie për ne, e pamë botën, punuam, e ndërtuam jetën për të flakur larg hijet e së kaluarës; të kaluarës gjakatare, të kaluarës mëkatare; megjithëse ato ndenjën pak e sërish i shtrinë krahët e tyre në çdo skaj të vendit….E filluan të shkatërrojnë sërish e të paralizojnë gjithçka. E unë i mallkoj deri në rrënjë, i mallkoj për gjithçka bënë dhe që vazhdojnë po njëlloj. I mallkoj Hijet,-Hijet që më vodhën dashurinë time…. O nëna ime, që nuk je më! E tranformuar në një fotografi mbi mermer… O Lulja ime, që nuk çel më…Vështroj. Që nga pllaka varrit më sheh, e të shoh… E nuk çmallemi dot… Rrëkeza e lotit më djeg e më përvëlon…E vështirë kjo ndjenjë e gjatë kurbeti, këtë radhë edhe më i vështirë ky kthim sa më s’ka. I rëndë trishtimi që mbi qepalla më ulet e të shkoj s’di; kur në këtë mëngjes të portit, përqafime malli shoh kudo. E unë, si statujë e heshtur para tyre, kaloj, e pa vështruar vazhdoj deri sa përdhimbshëm ndalem para vendit tënd, vendit tim, para teje nëna ime, që heshtur më pret e s’më përqafon dot, s’më prek dot, s’më flet, e palëvizur qëndron…Por unë do të të flas, dua mallin ta ç’përmalloj, se kam vite që s’të kam parë, se kemi kohë që jemi ndarë!! Por i kotë edhe shfrimi im. Unë të flas, e kur përgjigje ti s’më kthen, një rrugë me trishtimin marr, e zhgënjyer larg e më larg do të shkoj. E di se është e kotë se dashurinë, ngrohtësinë, më kurrë s’do mundem ta gjej e sa herë kështu do vij e do shkoj… Me shpresë do të vij, e me shpirt të ftohur, veten do ta largoj, se ngrohtësinë që dikur pata, kurrë më në udhë s’do ta takoj. E unë vuajtjes time dua edhe më keq t’i largohem e shpirtin në fund të Botës ta mërgoj. Ti nënë më s’je, asgjë më s’më ngroh. Nëna ime! Gjëja më e shtrenjtë në Botë, krijesa më e ëmbël që të fal shumë, e s’lyp asgjë…


Sigal