Suplementi Pena Shqiptare/ Vullnet Mato: Rrufepritësi që goditet nga toka

665
Sigal

Jetoj në një ndërtesë prej guri, vigane,
ngritur mbi shkëmb, e lartë sa një mal.
Kur pronarët ndërtuan shtëpinë e madhe,
vunë një rrufepritës, prej çeliku special.

 

Rrufetë qiellore, tejet nevrastenike,
lëshuan vetëtima zjarri të tërbuara,
por rrufepritësi, me shtizën metalike,
i priste duke i çuar në tokë, të blozuara.

 

Ndjeja veten të sigurt në këtë mjedis,
si vet ndërtesa, me rrufepritës mbi krye,
që thithte shkarkimin qiellor të energjisë,
me një fuqi të përbindshme, gjer në yje.

 

Mirëpo sa kaluan pesë a gjashtë vite,
çeliku special, po digjej dhe copëzohej,
duke mos i ndjerë fare vetëtimat stoike,
sa kur goditej prej tyre, shtiza flakërohej.

 

Banorët e ndërtesës, të rrezikuar,
protestuan para pronarëve me vila.
Shanin egërsisht, duke i mallkuar:
-Kriminelë! Hajdutë! Shpirtkatila!…

Pronarët e ndërtesës nuk u tutën,
bënë veshin të shurdhër, pa siklet.
Deri në kohën, kur toka e ngarkuar,
depozitoi brenda shumë elektricitet.

 

Shkëndijat e tokës dukej sikur thoshin:
-Hiqni çelikun e djegur në krye, sa më parë,
se jo vetëm banesën, por dhe banorët,
tashmë i ka vënë, në rrezik të paparë!

 

Rrufetë tokësore, filluan të godasin,
çelikun e dëmtuar, duke krijuar tërmete.
Muret e banesës së vjetër, zunë të plasin,
teksa njerëzit u gjendën, në rrezik jete!…

 

Shumë nga banorët filluan të largohen,
të kërkojnë banim, kudo ku gjejnë strehë.
Tani jo veç rrufepritësi, duhet të ndërrohet,
por duhet ngritur patjetër, ndërtesë e re!…

 

Përndryshe vonesa, shkakton katastrofë,
duke ndodhur apokalipsi i murit mbi mur,
banesat mbi njëra-tjetrën, do bien ndërkohë,
dhe do e kthejnë vendin në gërmadhë e gurë!…