Suplementi Pena Shqiptare/ Vullnet Mato: Rreziku prej syve jeshil

606
Sigal

(Për moshatarët e mi)

 

Në rrugën tonë, me pallate profil,
vezullojnë dy yje, ngjyrë jeshil.
Kur sytë jeshil, fiksohen tek unë,
flokët e bardhë më bëhen brun.

Unë tashmë, s’kam punë me sy,
se punoj me trurin në thellësi,
po s’di pse sytë jeshil te rrugica,
shpesh trurin ma bëjnë me xixa?

Detyrohem të shikoj përpjetë,
sytë jeshil, mos t’i shoh drejt.
Por ata sy, ngjiten mbi mua,
t’i shoh padashur, dua, s’dua?

Kur më shikojnë, nën ballkon,
gjithë lagjja përqark jeshilon,
ngjyrat e tjera, m’i heq kastile,
sikur më vë, syze jeshile.

Kur dredhoj, mos dal përballë,
jeshilon diellin, në mëhallë,
qiellit i jep ndriçim behari,
retë i jeshilon, si tufa bari.

Vërtet s’jam i asaj moshe,
po kam ndjenja, që joshen.
Syve jeshil, nuk u them dot,
pse sytë e mi, vështrojë kot.

Sepse sytë, janë meteorë,
godasin me urdhër qiellor,
dhe lirinë e tyre pa kufi.
nuk e ndaloj dot, kurrsesi;

Veç t’i pres në lule të ballit,
të duroj goditjen, prej hallit.
Por duhet të duroj shumë,
se jeshilojnë dhe në gjumë.

Nuk jam dem për mëshqerra,
të vijnë pas, se u pëlqen era,
ndofta ajo peshkon për para,
të më zhvatë, si qejfli budalla!

Mund të më thotë dikush:
pse trembesh kaq, o rrush,
pyete çfarë kërkon nga ty
dhe jepi, sa ke mundësi!…

Trim, si mashkull jam boll,
por i bëj vetes autokontroll,
të shmang rreziqet e nepsit,
që më sjell lakmia e seksit.

Kam frikë se shkrep celularin,
në albumin e saj ma bën varrin,
ta përdorë, po të ketë nevojë,
sikur jam babush që e provokoj.

Atëherë të hapet dheu të futem
se as qielli s’mi pranon lutjet,
më bëjnë pluhur nipa e mbesa,
pastaj të më fshijë fshesa…

Ndaj pres kohën, të shpëtoj fare,
derisa sytë jeshil, të asaj zuzare,
të mbyten brenda syve të zi,
të ndonjë kokoroçi, djali të ri…