Suplementi Pena Shqiptare/ Vullnet Mato: Një poeteshë me përmasa gjeniale

114
Për krijimtarinë e poeteshës Mimoza Çobo
Gjenialiteti i saj nuk është një shprehje formale, por vlerësim i menduar mirë, me dëshmi reale, e cila bëhet plotësisht e besueshme, pasi të kesh lexuar nga faqja e para, deri tek e fundit, këtë vëllim të katërt voluminoz, të dalë së fundi në dritë, nga pena e artë e Safos lirike shqiptare, Mimoza Çobo. 

Epiteti “Safo shqiptare” i përdorur prej meje edhe më parë, për këtë autore me talent të spikatur, gjen mishërimin e plotë, në ketë botim të ndritshëm, me lumineshencë drite të bardhë, në pjesën më të madhe të poezive të këtij libri të ri të ri. 

Ndonëse Safoja, mbretëresha e poezisë lirike greke të lashtësisë, i këndoi dashurisë para dymijë vjetësh dhe Mimoza myzeqare i këndon sot, kur sillen rreth globit një varg satelitësh, që përhapin mendimet e freskëta të njerëzimit, këto dy gra poetesha, i krahasoj me njëra tjetrën, pasi kanë të përbashkët në poezi, shpalosjen e ndjenjës drithëruese të zemrës, aq bukur e me aq ëmbëlsi, sa krijojnë emocione të forta tek lexuesit e të gjitha kohërave. Sepse dashuria është një ndjenjë e pandryshueshme, që nuk vjetrohet kurrë, për aq kohë sa të dashuruarit trokasin në zemrat e njëri-tjetrit, për të krijuar vijimësinë e jetës së brezave njerëzorë.

Ky libër i ri, është një kënaqësi e veçantë estetike për lexuesit e artit poetik dhe një arritje cilësore e poezisë shqiptare, pas daljes nga censura e realizmit socialist dhe autocensura personale e çdo krijuesi, në kushtet e shprehjes së lirë të mendimeve dhe ideve artistike.

Mimoza Çobo zotëron dhuntinë magjike, për të hyrë mjeshtërisht në atomet dhe molekulat ndjesive njerëzore, sidomos në ato sfera të imta të botës femërore, ku zor se mund të operojmë me penën tonë, ne poetët e gjinisë tjetër.