Suplementi Pena Shqiptare/ Vullnet Mato: Më duhet edhe mua!

493
Sigal

Shpesh dyndemi në urbanin ngjeshur,
djaloshi ulur, plaku i sëmurë, vuan…
Me sy shpërfillës, krejt të heshtur,
mendojmë: “S’ka ç’më duhet mua!”

Gruaja thërret, me klithma e kuje,
nga burri egërshan, për të shpëtuar.
Krejt shpërfillës, ne shkojmë tutje,
mendojmë: “S’ka ç’më duhet mua!”

Adoleshenti arrogant, klith me egërsi,
zbraz plumba fjalësh mbi të moshuar.
E lëmë ta shkrehë fyerjet breshëri,
mendojmë: “S’ka ç’më duhet mua!”

Tingujt e dehur terrorizojnë mesnatën,
pleq të sëmurë, fëmijë të tmerruar.
Stepemi të trokasim te dera e shamatës,
mendojmë: “S’ka ç’më duhet mua!”

Ushqimet thithin pluhurat e rrugës,
bakteret shpesh, na kanë helmuar.
Skadimi na vret flegrat e hundës,
mendojmë: “S’ka ç’më duhet mua!”

Qeskat e plehrave fluturojnë nga lart,
ndotin mjedisin, udhën e asfaltuar.
Rrudhim hundët nga pisllëqet përqark,
mendojmë: “S’ka ç’më duhet mua!”

Po blihen votat, përballë te komshiu,
me një grusht para, sa për të frymuar.
S’na bën përshtypje, se shitet njeriu,
mendojmë: “S’ka ç’më duhet mua!”

Hajdutët zyrtar, dalin në përgjime
me zëra mafiozësh, në pazare fiksuar.
Na vjedhin e na hedhin baltë syve,
ne lidhim sy e veshë, krejt të qorruar.

Kur popujt protestojnë dhe për një cent,
ne, para televizorit pimë kafe shtruar.
Presim nga partitë politike, krejt indiferent,
duke u bërë memecë, hipokritë të maskuar?

Ky qëndrim primitiv, vazhdon na njollos,
fytyrën shqiptare në botën e qytetëruar.
Pse të mos jemi dhe ne, njerëz kurajozë,
të themi me plot gojën: “Më duhet edhe mua?!”