Suplementi Pena Shqiptare/ Vojsava Nelo: Saranda, kënga ime e detit

102

Poema, “Saranda, kënga ime e detit” që botohet sot në gazetën tonë është shkëputur nga libri i ri që Vojsava Nelo ka bërë gati për botim.

Libri i ri mban titullin e poemës, “Saranda, kënga ime e detit dhe vjen një vit pas botimit të suksesshëm të librit “Muzgjet e Bostonit”, poezi, 2018. Ky libër i ri i Vojsava Nelos është konceptuar në tërësi me motivet e detit, vendlindjes së saj, e më tej; pa harruar udhëtimin e përhershëm të autores në botën e njeriut, në shpirtin e tij.

Për më shumë, ju ftojmë të lexoni poemën “Saranda, kënga ime e detit” që përveç vlerave artistike, emocionale, ndjenjave që të zgjon, përjetimeve, imazheve, të grish të rendësh për në Sarandë, këtë qytet në jug të vendit, i quajtur ndryshe, sikurse dhe autorja në poemë “Diamanti i Jugut”, një nga destinacionet turistike më të bukura të vendit tonë.

 

Lexim të këndshëm!

 

“Për mua deti është mrekulli që s’ka mbarim.”

Uollt UITMAN

 

Saranda, kënga ime e detit

Poemë

 

Dikur, kur isha e vogël, fëmijë… Kur shkela për herë të parë në Sarandë, mbaj mend se, atë çast, m’u duk se hyra në një përrallë. E nisa të eci… ngadalë, ngadalë, si në përrallë, e duke ecur e duke u magjepsur…

 

Saranda – ky qytet vezullues,

ku imagjinata lodron si askund. Pastaj nis fluturimin mbi valë,

bashkë me pulëbardhat,

si një pulëbardhë,

Imagjinata ime poetike,

e magjepsur,

si askund.

Si rrallë.

Saranda – si një qytet i rrëshqitshëm

buzë ujërave, ku dritat notojnë e dalin sirenat

e këndojnë, e vallëzojnë, e dehin, e frymëzojnë…

Qyteti im i magjepsjes, Saranda,

ku dritat notojnë përmbi valë…

Ku sirenat këndojnë bashkë me njerëzit,

e dehin, e frymëzojnë çdo qenie të gjallë.

Poetin,

poetin si askënd tjetër.

Poetin,

si rrallë.

Saranda, e gjitha në dashurinë time.

Me të gjitha tingujt, ritmet,

valët,

dhe dallgëzimet e furishme të poezive.

E gjitha në frymëzimit tim,

si një anije me vela të bardha, të hapura,

që niset në detin e kaltër,

që herët,

në agim.

Saranda, – në frymëzimin tim!

Magjia e saj e papërsëritshme.

E shndritshme.

e çon imagjinatën time,

përtej çdo orbite.

Saranda – muzë e fantazi. Qielli i hapur,

ku shkëlqejnë me mijëra e miliona yje

nga pikojnë

me mijëra e miliona poezi.

 

Përjetësisht e shndritshme: toka, deti,

qielli me yje.

Të gjitha në muzën time.

Saranda, si fara e bekuar e bukurisë,

që mbin në çdo vargun tim.

Në çdo këngë.

Që nga ajo që lind herët, në agim,

e deri tek ajo që lind natën, vonë,

nënë qiellin prush me yj’

 

* * *

Lidhja ime me ty është e hershme.

Që kur isha e vogël, fëmijë.

Është e përjetshme.

Sarandë,

përralla ime e mahnitshme,

me çdo grimcë, me çdo dallgë,

me çdo valë lozonjare,

që mbërrin në bregun tënd.

e që më deh,

që më grish,

e shpesh herë, më lë pa mend.

Unë e sodis dhe magjepsem.

Unë e sodis dhe mbushem me emocion.

Dhe ndiej se si filloj të dehem.

Dhe ndiej se si më frymëzon,

Saranda!

Shpirti im ngujuar këtu.

Përjetësisht këtu këndon…

Këtu, ku mund të arrish të prekësh qiellin me dorë,

diellin po deshe, hënën,

dhe çdo yll që feks e farfurit aty.

si të dojë të të bëj magji.

 

Unë këtu, ngujuar.

Mbërthyer nga ky qytet.

Nga trajtat e tij të magjishme.

Nga çdo yll që farfurit e feks.

Nga ky det me valë,

e ngujuar,

si të dua të prek tërë thesaret e saj

mrekullitë pa skaj,

ku imagjinata ime fluturon si një pulëbardhë,

si një pulëbardhë mbi detin me valë,

e rrok të gjitha tingujt, të gjitha ritmet, të gjitha meloditë,

e të gjitha i shndërron. i bën poezi,

si askund tjetër, si askund,

as në tokë,

as lart, në qiejt prush me yj.

Si të jesh yshtur prej Perëndive.

Si të shohësh një ëndërr aluminate.

Si të kesh hyrë në botën e madhe të poezive.

Sarandë!

Qyteti im i ndritshëm,

Madhështor.

Si të jesh bërë me diamante.

Si të jesh stolisur me inxhi.

Mbushur me sirena që dalin netëve,

si për të marrosur çdo qenie të gjallë,

çdo njeri

shpirtrat, dhe frymëzimet e çartura të poetëve.

 

Dhe unë, unë, që këtu ngujuar rri,

mbërthyer nga një frymëzim, që më vjen veç nga ty.

Një frymëzim përrallor,

si një simfoni që mund të pushtojë çdo shpirt njerëzor.

 

* * *

Çfarë simfonie?!

Heshtni, ju lutem!

Ju lutem, dëgjoni pak!

Çfarë simfonie ndihet?!

Dhe shpirti im,

dhe shpirti im,

që e shndërron, e bën poezi.

e bën varg.

Si një bekim qiellor kjo simfoni!

Dhe ajo melodi,

ajo melodi që valëzat e mërmërijnë

ndërsa vijnë në breg

e japin shpirt aty,

duke të magjepsur me atë vetflijim

për këngën,

për këngën dhe njerinë?!

Realitet apo ëndërr e gjallë?!

 

* * *

Unë këtu, ngujuar.

Unë këtu, si një peshk i kapur në grep.

Këtu, në këtë breg.

Këtu, në këtë qytet,

që të deh, që të magjeps, që të mbush me frymëzim.

Je apo s’je poet?!

Saranda ime mbushur me romanca.

Me njerëz, me jetë, me pulëbardha.

Me fluturimet e tyre poetike

që imagjinata ime i ndjek në të gjitha kilometrat…

Në çdo skaj të qiellit, që nuk ka fund.

Dhe janë ca fluturime të përjetshme…,

Dhe janë ca fluturime të mahnitshme…,

Dhe unë…, dhe unë…

Mbërthyer këtu.

Këtu, në këtë botë të magjishme.

Në këtë botë të shndritshme,

si ta kem rrokur të tërë,

me tërë thesaret dhe mrekullitë e saj,

misteret pa skaj!

Dhe ti që shkon drejt aktit të krijimit,

si në ekstazë,

përfshirë prej frymëzimit.

Pak nga pak,

Çast pas çasti,

deri sa përpihesh e tëra nga flakët.

Flakët ngjiten nëpër trup.

Nëpër shpirt,

në mish,

në gjak

Digjesh e tëra.

Shkrihesh.

Akti i madh i krijimit ndodhi.

Ndihet.

Flakërojnë të gjitha horizontet,

të gjitha ndjesitë.

Trup e shpirt.

Tokë e qiell.

Dhe ai diell që perëndon i kuqërremtë

bashkë me aktin e tij të kryer.

Aktin e madh të ndriçimit që pulson në ajër.

në tokë e në qiell,

në shpirtin e njeriut,

ai diell që shkrihet për t’u rilindur nesër,

nënë këtë qiell.

Nesër,

një diell i ri do të shkrep aty.

 

* * *

E përjetshme këtu ekstaza,

I përjetshëm frymëzimi yt!

I përjetshëm frymëzimi im!

Kjo ditë. Kjo natë. Ky diell. Kjo hënë.

Ky mister. Kjo magji.

Këtu unë jam ankoruar përjetësisht,

përjetësisht këtu, unë shkruaj poezi.

 

* * *

Më lini këtu!

Këtu dua të rri.

Të frymojë me këto valë.

Të vozis gjithë kënaqësi.

Të thur këngën time e dehur në frymëzim.

Nën kupolën e këtij qielli

zhytur në dritë e vezullim.

 

Më lini të mbushem me frymë!

Më lini në përjetimin tim!

Më lini të këndojë! Të derdh shpirtin tim!

Të qaj,

të lotoj.

Më lini të shkruaj vargjet e mi

përpirë nga kjo natë

kjo natë magji, kjo natë mrekulli!

Më lini, kjo natë të më përpijë!

Të më tresë, po deshi,

po deshi,

le të më shkrijë!

 

* * *

Më kishte marrë malli për këtë natë,

për këtë muzë.

Për këtë qytet, frymëzimi im i pamatë.

Saranda ime!

Dashuria ime e pafund.

Shpirti i çdo vargu,

i çdo tingulli, i çdo poezie.

Më kishte marrë malli

për këtë qiell që shkëlqen në përjetësi

tek ty, veç tek ty.

 

Kjo natë, oh, kjo natë!

Kjo natë kaq e bukur, e mistershme.

e artë!

 

* * *

Gjithçka sikur hesht sonte.

Sikur nuk merr frymë. Sikur nuk është gjallë.

Kjo natë-magji,

si një himn madhështor që zbret nga qiejt, lart,

dhe pushton çdo njeri.

Saranda!

 

* * *

Kam lotuar sa herë…

Po kurrë nga një bukuri.

Nga një natë si kjo, sonte.

Ekstazë, mister, magji,

dhe njerëz që duket sikur nuk frymojnë

pushtuar nga një supermrekulli:

Sarandë!