Suplementi Pena Shqiptare/ Vojsava Nelo: Alaska ime

511
Sigal

Ai horizont aty, miniera ime.
Prej andej nxjerr mineralet e çmuara.
Alaska ime, ajo e viteve të para,
sot, e në vazhdim,
Alaska ime me thesare të rralla.

Ai horizont aty, ku perëndon dielli mbrëmje më mbrëmje.
Për të lindur një i ri të nesërmen.
Mëngjes për mëngjes.
Duke ndezur imagjinatën time,
imagjinatën time, që nuk e bëj dot zap.
Nuk e frenoj dot.

Sapo vjen mbrëmja e zhytem aty,
në minierën time të artë,
në Alaskë.
Ai perëndim dielli aty, në Sarandë.

Prej andej nxjerr thesare: vargje, poezi.
Të gjitha të arta, thonë,
me një shkëlqim që vezullon kraharorëve,
shpirtrave të njerëzve,
duke i tallazitur.
Duke i dehur.
Duke i çmendur, ndoshta,
sikur t’u jetë bërë magji atyre dhe mua
nga ai horizont i flakëruar,
ndërsa dielli varet për të perënduar…