Suplementi Pena Shqiptare/ Vladimir Muça: Zija Çela “Ora e Zooparkut”

593
Shmangia e kodeve letrare dhe arkitektura e re e një romani

( Disa vëzhgime letrare mbi romanin ” Ora e Zooparkut” e Mjeshtrit të Madh Zija Çela)
“Vlerat në letërsi, sikurse në jetë,
më së shumti kanë të bëjnë me të
veçantën fshehtë, atë që e kalon 
cakun e të zakonshmes, të tepërtën
prej së cilës merr jetë kuptimi.”
Harold Bloom ” Përse të lexojmë?
Mehr Licht nr. 36, 2008
1-Të jesh vet-vetja në dy jetë krijuese

Me qenë i sinqertë që në fillim të këtyre përqasjeve kritike, shkrimtarin Zija Çela, para viteve ‘ 90 e kam njohur si një tregimtar të përkorë, i cili me risitë e sjella në eseistikën dhe stilistikën e prozës tregimtare, ishte renditur denjësisht, ndër më të njohurit, si nga vëzhgimi kritik por dhe nga lexuesit e shumtë. Ai ishte dalluar për guximin e një trajtimi të ri estetik të prozës tregimtare, futjen e dukurive moderne më stilin e veçantë mozaik me një shumti nëntekstesh.

Në filozofinë narrative të Çelës që atëherë gëlonin problematika, subjekte, shqetësimet e dramacitetit social, e jo siç ishte bërë rëndom tabú, tematikat e servirura nga diktantët demagogë të soc-realizmit, ( sureal do ta quaja).

Një përqasje të tillë, si një rreze drite, e ndjeja në tregimet e botuara që në vitet 70-80 në gazetën “Drita”, në revistën ” Nëntori”. Në qenien time tek këto krijime ndjeja diçka moderne që lëvrinte mes paragrafëve tregimtare, si një vezullim i ri, si inovacion, diçka moderne e perceptuar dhe në prozën e Ismail Kadaresë, Faik Ballancës, Dhimitër Xhuvanit, Kasem Trebeshinës.

Ndjeja një mbartje ekselente të re, atë ndjesi që kisha përfituar tek “Netët moldave” të Mitrush Kutelit. Siç duket, në procesin e investigimit të estetikës e stileve narrative në letërsinë botërore, që në ato vite zanafilla, e më pas ngulmëtar i lirë, autori është njëmendësuar me letrarizimin romanesk të koncepteve estetike të Henri Xhejmsit i cili definon:

” Më duket se askush kurrë nuk ka bërë një përpjekje artistike serioze pa u bërë i vetëdijshëm për një rritje shumë të madhe- një lloj zbulimi- të lirisë. Atëherë njeriu ( lexuesi, V. M. ) ndien- në dritën e ajrit qiellor- se fusha e artit është e gjithë jeta, gjithë ndjenjat, të gjitha vrojtimet, të gjitha takimet.” ( Çështje të romanit, Prishtinë, 1980, f. 82).

Ky integrim letrar, përqasur në eksperiencat botërore, i mbartur në një substanciale të re kohore, më krijoi bindjen se autori kish bërë një luftë jo vetëm me vetveten, por dhe, me një pjesë të mirë me “kritizerë” që e rrethonin. Ai kishte përzgjedhur të ishte vetvetja në atë çfarë kërkonte arti i të shkruarit.

Kur mora librin “Ora e Zooparkut ” dhe evidentova një raport produktiv të krijimtarisë pas viteve ’90, thashë me vete: – nuk qenkam gabuar në perceptimet e mija të kahershme: se ky shkrimtar jo vetëm do të mbijetonte në dy jetë krijuese, por do të sillte në tregimet dhe romanin shqiptar diçka të re, pas ” përmbysjeve” në letrat shqipe.

Ajo çka perceptoja në vitet 70-80, si një lirshmëri narrative, pa tutelë tematike, pa pragje perceptimi; ngarkuar me metafora, alegori, grotesk, qëndisur bukur në gjergjefin e një filozofie të re tregimtare, që më tundonte për ta marrë si model, kish shpërthyer si lule aguliçet pas një dimri të cingërt, në një jetë të dytë krijuese pas viteve ’90.

Në lirshmëri e me një bollëk krijues, me mbi nëntëmbëdhjetë vepra, gjithçka qëmtohet me mjeshtërinë e një dukurie të re, duke zhbiriluar labirintet prozadorike.

Gjithnjë, sipas mendimeve të mia të shprehura dhe në librin “Unë mendoj”, në tërësinë krijuese shqiptare, pas viteve ’90, Zija Çela radhitet ndër të paktët, që jo vetëm e mbajti ndezur pishtarin e dukurive të reja në prozën shqiptare, por si shumë pak të tjerë, më atë pishtar ndezi një zjarr bubulak, ku të ngrohen jo vetëm krijuesit e ” mërdhitur” nga soc-surealizmi dogmatik i së kaluarës, por dhe lexuesit.


Sigal