Suplementi Pena Shqiptare/ Viron Kona:”Kapedani”

667
Sigal

     Kapedani

  -Rrëfenjë në vargje-

1.

Në Dhërmi bëhej ulliri,

dhe limoni degët plot,

portokaj e mandarina,

veç vreshti s`bëhej dot!

 

Jo se vendi nuk e bënte,

toka ish plot ujë e dritë,

por sa mbilleshin fidanët,

i hanin lopët, delet, dhitë.

 

U mblodhën një ditë banorët,

vendosën shpejt  e sy më sy:

“çdo bagëti që hynë n`vresht,

bekçiu ta vrasë, pa një pa dy!”

 

2.

Kur s`ishte tharë boja në letër,

erdh`bekçiu lajmëroi një gjëmë,

një lopë n`vresht ai kish kapur,

lastarët e rinj i kishte ngrënë.

 

-Të vritet lopa!  – tha kapedani,

vetëm kështu të keqen ndalim!

-Është lopa jote, – i tha bekçiu,

ç`faj ka e gjora, them ta falim!

 

Të gjithë veshët në përgjim,

dhe me bisht t`syrit shihnin,

çfarë do të bënte kapedani,

do e zbatonte dot vendimin?

 

3.

Dëgjoni, tha kapedani, fajtorët jemi ne,

por vendimin që morëm do ta zbatojmë,

kjo ngjarje e hidhur të na bëhet mësim,

robëreshën me ceremoni do ta flijojmë!

 

Banorët e flijuan lopën dhe e bënë theror,

por askush s`ndihej i qetë e diç mendonte:

“Përderisa kapedani veten e tij ndëshkoi,

kush do t`guxonte vreshtin ta dëmtonte?”

 

Më tej punët vijuan mbarë dhe për bukuri,

lastarët e rinj hovën e bënë shpejt përpjetë,

bagëtia shkonin për lezet n`kullotën e tyre,

hardhitë u bënë prush, vreshtat u bënë det.

 

Me disiplinë të fortë, prodhimi goxha u rrit,

tradita me nam e t`parëve t`vendit u përtëri,

gjithkush që dhe sot do rrush e verë të mirë,

të provojë të shkojë sa më shpejt në Dhërmi!

 

4.

Prej atëherë  kanë rrjedhur shumë vite,

veç për një gjë banorët të paqartë janë:

lopa e kapedanit u fut  vetë  në vresht,

apo qëllimisht ai e futi për ta bërë kurban?