Suplementi Pena Shqiptare/ Viron Kona: Qyqja hileqare

1049
Sigal

Fabul

E lëshoi vezën te një fole shqiponje,

dhe u largua vjedhurazi si përherë.

“Ia hodha shqiponjës, tha me vete,

fëmijën tim nga veza ajo ta nxjerrë!”

 

Shqiponja e ngrohu vezën e qyqes,

e nxori kopilin në jetë dhe e mësoi,

sesi të gjuante dhe të gjente ushqim,

sesi të mbrohej, sesi të mbijetojë.

Zogu i qyqes u rrit me krahë të fortë,

u bë guximtar si “vëllezërit” e vet,

i fuqishëm si “nëna” shqiponjë,

sa shihte gjahun i sulej shigjetë.

 

Një ditë ndihej shumë i uritur,

gjahu s`i kishte vajtur mbarë,

andej – këndej duke u vërtitur,

dëgjoi ca klithma si në të qarë.

 

Ishte një zog i plagosur në një lis,

dukej që s`mundej të fluturonte,

kuk-ku, kuk-ku, klithte pa reshtur,

e kish zënë halli dhe po vajtonte.

 

E gjeta ushqimin, tha “kopili” i uritur,

dhe iu sul viktimës, shpejt e copëtoi,

pastaj e gëlltiti me uri dhe i babëzitur,

i ngopur e i kënaqur te çerdhja fluturoi.

 

S`e mori vesh kurrë zogu “kopil”,

se qyqen, nënën e tij kish gëlltitur.

S`arriti ta mësonte nëna qyqe,

se grabitqari ish biri i braktisur!

 

Ndonëse hilja i del keq e më keq,

qyqja s`heq dorë nga zakoni tinëzar,

lëshon vezët herë këtu, herë atje,

kuk-ku, kuk-ku i shkon jeta duke qarë.

…………..

1).Qyqja është zog shtegtar i pyjeve, me pendë ngjyrë hiri në të zezë,me sqep të përkulur e me këmbë të shkurtra, që “klith” përvajshëm kuk-ku, kuk-ku. Nuk bën fole,por i lëshon vezët në çerdhet e zogjve të tjerë.