Suplementi Pena Shqiptare/ Vepror Hasani: Kur na pikonte çatia!

876
Sigal

Befas filloi një shi i tmerrshëm aq sa dukej sikur nuk do të kishte të pushuar kurrë. Nëpër rrugët e qytetit vërshonin lumenj të terë. Kolegu që ishte më afër meje më tha:

  • Andrea, ka mundësi që sot të përmbyset bota!

Askush nuk kishte kohë t’i kthente përgjigje atij që fliste për apokalipsin. Në atë kohë ishim në një ndërtesë tepër të lartë duke ndërtuar një çati. Lamë sqeparët, çekanët, gozhdët, dërrasat dhe zbritëm që të gjithë poshtë për t’u fshehur poshtë një ballkoni, ku edhe mund të shihnim çfarë do të ndodhte. Në çatinë e saponisur na kishin mbetur xhaketat varur nëpër trarët e saj. Ishte vjeshtë. Atje na kishte mbetur edhe buka që kishim marrë me vete, por askush nuk u kujtua për to. Gjëmonte dhe vetëtinte. Ishte një tmerr i vërtetë. Gjithkush mundohej të zbriste i pari. Më në fund i kishim shpëtuar shiut të tmerrshëm. Rrinim në heshtje poshtë ballkonit dhe shihnim ujin që sillte gjithçka me vete sikur kërkonte të pastronte gjithçka të vjetër. Qiell më të ngarkuar se atë ditë nuk më kishin zënë sytë ndonjëherë. “Diçka do të ndodhë”, thashë me vete, edhe pse nuk e mbaj veten për supersticioz.

Befas u dëgjua zilja e një celulari. Që të gjithë ngritën kokën lart, andej nga vinte zëri i telefonit, por askush nuk guxonte të ngjitej për t’iu përgjigjur thirrjes. Celulari kishte mbetur në xhepin e një xhakete të varur në trarin e çatisë.

  • Do të pushojë, – tha njëri prej nesh.

Sigurisht, kështu shpresonin të gjithë, sepse askush prej nesh nuk kishte guximin t’i ngjitej

ndërtesës së lartë nëpër shiun e tmerrshëm që po përmbyste botën. Por në të vërtetë nuk ndodhi ashtu; zilja e celularit nuk pati të pushuar. Heshtte një çast dhe niste sërish nga e para.
“Dikush na kërkon për punë”, të paktën kështu mendova unë, por besoj se të njëjtën gjë po mendonin edhe të tjerët. Zilja që nuk pushonte, po na bënte të lëviznim të gjithë nga vendi.

  • Më duket se është celulari yt, – më tha një nga kolegët.
  • Ndoshta, – i thashë, – por nëpër këtë shi nuk kam ndërmend të ngjitem lart.

Pastaj mendova: “Kush mund të më kërkojë me kaq këmbëngulje vallë?”

  • Po shkoj unë, – tha ai që ishte më i riu nga ne.

E pamë një çast si hodhi diçka mbi kokë dhe u nis të ngjitej nëpër shkallë si një fantazmë,

që herë dukej dhe herë zhdukej. Kur arriti në krye nisi të thërriste me forcë:

  • Është Jonida… Jonida… Andrea të kërkon Jonida!..

Nuk po u besoja veshëve. Kolegu im vazhdonte të thërriste: Është Jonida, Andrea të kërkon Jonida…

  • Kush? – e pyeta

Nuk mbaj mend në pyeta veten apo kolegët e mi.

  • Është Jonida, – më thanë ata.

Jonida ishte ime shoqe, por me të kisha kohë që isha ndarë. Kishim kohë pa e parë njëri -tjetrin, aq sa mund të them se e kisha harruar. Edhe ajo patjetër që do të më kishte harruar, s’kishte pse të kujtohej në një ditë shiu që po përmbyste botën…

  • Kush më kërkon? – pyeta sërish.
  • Është Jonida, – më thanë ata.

“Përse më kërkon vallë”, pyeta veten. Atë çast u kujtova se numrin e saj nuk e kisha fikur

nga celulari. Prisja që kolegu im të zbriste nga ndërtesa dhe të më sillte celularin. Zilja nuk kishte të pushuar. Ndoshta kur të mbërrinte kolegu im, zilja do të ishte duke rënë akoma, ndoshta Jonida mund të hiqte dorë nga këmbëngulja e saj. Nuk e dija ç’mund të ndodhte. Megjithatë po bëhesha kurioz, përse më donte atë çast, kur po binte një shi i tmerrshëm i paparë ndonjëherë. Pastaj ne kishim kaq kohë pa folur me njëri-tjetrin. Unë dhe Jonida kishim pak vite që kishim jetuar bashkë.

Që ditën që u martuam u vendosëm në një shtëpi me qira. Atë shtëpi na i kishin lëshuar dy pleq milionerë që jetonin në Angli. Paratë e qirasë ia jepnim një të afërmi të tij që nuk ishte varfër. Banesa jonë ishte e vogël dhe këndshme, por kishte vetëm një të metë: I pikonte çatia. Ngjitesha herë pas herë në çati për të vendosur një tjegull të re, por nuk kalonte shumë dhe çatia na pikonte sërish. Kjo gjë po na ndodhte aq shpesh sa kur kishim nevojë për njeri-tjetrin, thoshim: “Po na pikon çatia”, dhe kjo ndodhte edhe kur çatia pikonte vërtet. Në raste të tilla rrëmbenim njëri-tjetrin dhe përplaseshim atje ku pikonte pika e shiut. Herë qëndronte Jonida sipër meje dhe herë qëndroja unë si për ta mbrojtur nga pika e shiut, por ishte e pamundur. Pika e shiut herë i qëndronte mbi buzë, herë mbi vetull, herë mbi gushë, herë, mbi ballë dhe herë diku tjetër. Ia mblidhja të gjitha pikat e shiut përmes puthjeve të mia.

  • Nuk të lë të lagesh, – i thosha dhe kështu vazhdonim gjatë

Ndodhte që ajo më thoshte, “Andrea, ngrehu se pushoi shiu”, por për mua vazhdonte të

pikonte çatia… Ndodhte që isha unë i pari ai që thoshte:

  • Jonida, pushoi shiu… por ajo ma kthente:
  • Andrea, mua më duket se bie akoma…

Pas përfundimit të shiut ngjitesha sërish në çati për të vendosur një tjegull të re, por nuk kalonte shumë dhe sërish çatia jonë pikonte. Kështu do të vazhdonim për shumë kohë deri sa një ditë dy pleqtë milionerë që jetonin në Angli u kthyen në shtëpinë e tyre.

  • Do të qëndrojmë vetëm 40 ditë në shtëpinë tonë, – na thanë ata,- ju gjeni një shtëpi tjetër,

më të bukurën në qytet, sepse qiranë do t’jua paguajmë ne. Pas 40 ditëve kthehuni sërish këtu, sepse ne prapë do të ikim në Angli.

Sigurisht që ne pleqtë milionerë i morëm për të çmendur. Ata mund të jetonin në shtëpinë më të shtrenjtë të qytetit dhe jo ne, sepse ata nuk kishte asnjë arsye të jetonin në një shtëpi që pikonte vazhdimisht

  • Kjo shtëpi pikon,- u tha Jonida
  • Pikon! – tha plaka, – qenka ashtu siç e kemi lënë dikur. Më pëlqeka që pikoka, – tha ajo.

Nuk na mbetej rrugë tjetër vetëm të gjenim një shtëpi tjetër, ndoshta do të gjenim atë shtëpi që kishim dëshiruar gjithë jetën. Për të gjetur një shtëpi të shtrenjtë nuk ishte e vështirë. E vërteta është se vizituam të gjitha vilat e qytetit, por nuk po na mbushej mendja. Ndiheshim si dy mbretër. Më në fund Jonida tha:

  • Mua më pëlqen kjo me oborr, shatërvan dhe plot lule

Nuk kisha pse ia bëja fjalën dysh. Njeriu që do të na jepte shtëpinë, për vetën e tij kishte dhe

një vilë tjetër ngjitur me të. U vendosëm atje.

  • Kjo është ëndërr, – më tha Jonida, kjo është parajsë, kjo është e pamundura, kjo është…
  • Këtu nuk pikon çatia,- i thashë duke qeshur.

Befas vura re se ajo nisi të ujiste lulet, të ulej pranë shatërvanit dhe të luante me ujin, pastaj

ngrihej dhe fshinte xhamat që ndrisnin dhe nuk kishin nevojë për asgjë. Hynte sa në njërën dhomë të tjetra dhe nuk ngopej nga kënaqësia. Qëndronte një çast në dhomën e gjumit dhe nxirrte pasthirrma të habitshme. Ndihej tejet e mrekulluar.

  • Ah, sikur ato 40 ditë, – më thoshte, – sikur të mos mbaronin kurrë.

Më të lumtur se ato ditë nuk e kisha parë kurrë. Në mëngjes nisesha për në punë, ashtu si

gjithnjë, për të bërë punën e ustait dhe kthehesha vetëm në mbrëmje.

  • Të pikon çatia? – e pyesja, kur kthehesha
  • Jo, – ma kthente, këtu çdo gjë është e përkryer!

40 ditët e pleqve po mbaronin. Befas morëm vesh që pleqtë kishin vdekur. Na u duk e

pabesueshme. Si ishte e mundur që të vdisnin të dy brenda një dite. Pavarësisht nga habia jonë ata kishin vdekur. Shkuam në varrim. Mbaj mend që në varrimin e tyre pati shumë njerëz, ashtu siç mbaj mend që Jonida qau vërtet me lot të sinqertë. Ai që merrte lekët e qirasë tonë na tha të ktheheshim sërish te shtëpia që pikonte, sepse nuk kishte më milionerë që të paguanin qiranë tonë për shtëpinë e shtrenjtë.

  • Do të vijmë nesër,- i thamë

Vura re që Jonida u mërzit shumë, por për ne nuk kishte rrugë tjetër. Gjithë natën qëndruam

të menduar. U gdhi dhe nata e fundit në atë shtëpi.

  • Ikim, – i thashë Jonidës.
  • Ik ti, – tha ajo,- unë nuk vij, do të qëndroj këtu
  • Si? – e pyeta
  • Ik, ti, unë nuk do të vij më!

Mbeta i befasuar. Nuk po kuptoja çfarë kishte ndodhur me time shoqe. Ndoshta i kishte fajet

ai që na kishte lëshuar shtëpinë me qira dhe që shtëpinë e tij e kishte ngjitur me ne. Nuk kisha ç’të bëja tjetër. Mbylla derën dhe dola. U ktheva atje, ku kisha banuar vite më parë…

Që të gjitha këto po më kujtoheshin atë çast, kur kolegu im ishte ngjitur përmes shiut për të marrë celularin që nuk donte të pushonte me zilen e tij. Pas një çasti duke gulçuar nga vrapi nëpër shkallë më zgjati celularin duke më pyetur:

  • Do t’i flasësh?
    E mora celularin dhe iu përgjigja:
  • Urdhëro!
  • Jam Jonida, – më tha, ajo, sot po bie një shi i tmerrshëm, më duket sikur është

Përmbysur bota. Desha të të pyes, të pikon çatia?..

Ndenja një çast i menduar, nuk dija çfarë t’i thosha. Ndihesha krejtësisht i hutuar. Nuk e prisja të ndodhte kështu…

  • Nuk e di,- i thashë.

Në atë moment edhe mua më dukej sikur gjithë bota ishte lagur.

  • Nuk kam shkuar akoma në shtëpi që të të them a ka nisur të pikojë çatia e shtëpisë apo jo,

po sqaroja Jonidën.

  • Por nëse pikon do të më thuash? – më pyeti Jonida
  • Nëse pikon, sigurisht që do të të them, ia ktheva.
  • Unë prisja të kthehesha në shtëpi, ndërsa Jonida priste të merrte vesh a pikonte çatia jonë…

Por. a pikonte vallë?!..