Suplementi Pena Shqiptare/ Veç bilbilin do bëj shok

782
Nga Gaqo Veshi
Shënime për librin me vjersha “Lirikat e një kamerieri” të Spiro Mantho Vasilit
Dyzet e ca vjet më parë, kur vizitoja shpesh restorantin “Peshku” e “Donika” në Tiranë, ku shërbente kamerier Spiro Vasili, i lutesha të më tregonte ndonjë nga vjershat e tij, pasi edhe miku im Dritëro Agolli, që në ato vite drejtonte rrethin letrar të Pallatit të Kulturës “Ali Kelmendi”, më thoshte se kamerieri Spiro Vasili shkruan vjersha të mira lirike.. Kur i lutesha Spiros të më tregonte ndonjë nga vjershat e tij, ai, duke vënë buzën në gaz, më thoshte: -Kam hequr dorë prej tyre se na kanë dalë ca ngatërresa! De ja tani, pas shumë vitesh, kam në dorë librin e tij “Lirikat e një kamerieri”., ku janë përmbledhur vjershat e tij, që në moshën e rinise e deri sa ndërroi jetë. Duke lëçitur këto vjersha, të shkruara në frymën e këngëve popullore, me një lirizëm të këndshëm, na del përpara një tablo e gjatë e jetës së tij, që fillon nga Gjerakara e Shqerisë të Leskovikut, kur mori rrugën për të gjetur punë në kryeqytet me njëzet franga në xhep, që me lot në sy i “nxori nga xhepi nëna” e ia dha duke e uruar: “Bekim paç gjithë jetën,/ Shën Mëria qoftë me ty”. Vjershat e Spiro Vasilit, të këtij kamerieri çapkën, dallohen nga sinqeriteti. Ato me një gjuhë të thjeshtë, plot ngjyra e muzikë, i këndojnë natyrës së fshatit, dashurisë, luftës për liri, punës në të gjitha aspektet. Spiroja nuk i ka fjalët të kërkuara e të rëndomta, shumë e për lumë, por të thjeshta. Frymëzimi i tij është spontan Ai si bir fshatari, do t’i këndojë me mall e dashuri Gjerakarës së tij e nuk do ta harrojë kurrë natyrën dehëse të saj, ku 

“Te plehrishtja me fletë,
gjithë lule borzilok,
shkoj të zë bilbila vetë,
veç bilbilin do bëj shok”. 

Ai di ta pikturojë peizazhin fshatar, që me ritmin e këngëve popullore, gjithë hijeshi e kontraste, do të kujtojë pranverën plot lule e stoli e do ta prekë atë nga afër. “

Ç’u enda sot nëpër zallishte,
në zemër këngët më kumbuan,
bilbilat lart në shelgjishte,
nga gjumi i dimrit seç më zgjuan”. 

Se fshati i Shqerisë, me bukuritë që i ka falur natyra ia mban “shpirtin prush të përvëluar, “Dhimbje mall e zjarr në gji” se “nga kjo baltë është gatuar” dhe “aty ka për të përfunduar”. 

“Rrëzë malit në Luharë,
ku bilbili bilbilon,
plot bukuri në çdo anë,
uji i freskët gurgullon.” 

Vjershëtori Spiro Vasili është aq i lidhur me fshatin e tij sa: 

“Çdo këngë që shkruaj,
frymë marr atje,
te vendlindja ime.
dhe guri më njeh.”. 

Ai është një lirik me ndjenja të holla, që i këndon me aq pasion e ndjenjë dashurisë. Që në moshën adoleshente ai do do të shprehë dashurinë e brengën e saj, kur i drejtohet vashës me vargje të thjeshta: 

“Nastasi, moj Nastasi,
lermë të të puth njëherë,
Me prushin në gji,
të çel sytha në pranverë”. 

Edhe pse kalojnë vitet “afshi që ajo i ndezi thellë në zemër, nuk u tret” e nuk do ta harroje deri “kur të venë në Parajsë, bashkë do të jemi të dy, moj Nastasi”
Dashuria e tij nuk është abstrakte, e shprehur me sllogane e më fjalë të mëdha, ajo është e thjeshtë, konkrete, që e sheh me sy dhe e prek me dorë. Ajo është atje: 

“Lart në male, ku fryn era,
te burimi vajzave,
Faqekuqja, vetullzezë,
lule midis luleve,” 
Ai e gjen atë 
“Atje sipër te burimi,
rreth i madh i vajzave,
bilbili me ligjërime,
ç’u këndon të mirave”. 

Spiro Vasili në vjershat e dashurisë të sjell ndërmend lirikat e Çajupit e të Ali Asllanit, kur porosit vajzën: 

“Ndaj të lutem mos rri vrejtur,
çelja portën dashurisë,
pse të rri kështu i çmendur,
me vështrimin përmbi sisë..
Fjala jote moj Merushe,
s’është plumb e të rëndon,
bukuria e asaj gushë,
dhe të vdekurin tërbon”. 

Në librin e tij “Lirika të një kamerieri” ai do t’i këndojë atdheut “fole shqiponjash” që qëndron “mes yjeve më të ndritur”, si m’i zjarrti yll që “sikur t’i jepen njëqind jetë për të do t’i flijonte me gaz e krenari. Do t’i këndonte “Nëntorit të lavdisë, rrugëtar mes historisë. Nëntorit çerdhe e lirisë, lavdi e Shqipërisë” Si dhe një cikël të tërë për miqtë e shokët e deri te temat familjare, që nga nëna e gjyshi flokëbardhë e deri te nipat e stërnipat, duke lënë porosi “nga stërgjyshi Spiro krenari,/ shqiptar e bir shqiptari.. U mundova të hedh ndonjë gur në pemët e kopshtit të vjershërisë të mikut tim të vjetët, të paharruarit Spiro Vasili, se pemët e kopshtit të tij, i ka selitur e u ka shërbyer, që kur ishte djalë pa shkuar brisk në faqe e deri sa ndërroi jetë. Pemët e kopshtit të tij të vjershërisë, kanë më shumë kokrra se fletë. Dhe ato që nuk i shijova dot unë le t’i provojë ndonjë kritik i “specializuar”, ashtu si porosit pronari i tyre: 

“O miku im, kritiku im,
Kur të punosh me vjershën time,
Ndreqi gabimet me durim,
Se veç natyra s’bën gabime!”. 
Sigal