Suplementi Pena Shqiptare/ Vaso Papaj: Zemra ime

499
Sigal

Erdhëm bashkë në këtë botë. Ish janar e kishim ftohtë.
Pa më thuaj pas kaq vjetësh, a nuk ndjen ndopak të ngrohtë?
Zemra ime, vogëlushe, varkë në detet me tufan,
Rreze dielli në mes pyjesh, zjarr mes dimrave kallkan.

Gjuha ime, ora ime, shpesh të ndjej, kur godet fort.
Zogëza ime, drita ime, tërë këtë kohë qershi mbi tortë.
Si plakushe, dhimbja ime, në s’tërhiqem, ti më ndjen.
Të më mbrosh e rrallon hapin e kështu asgjë s’më gjen.

Kur vogëlushe, kur plakushe, s’u dorëzove asnjëherë.
Po të lagesh, s’e bëjnë lotët, është shi, vazhdon të bjerë.
Kur shërohem, kur sëmurem, ti je mjekja ime, xhan.
Shoqja ime, mikja ime, bashkë me ty ndjehem titan.

Erdhëm bashkë në këtë botë. Bashkë do ikim përsëri.
Mos më thuaj pas kaq vjetësh se nuk mbetëm prapë të rinj.
Besa ime, shpresa ime, dhe pse natë që sjell mëngjes,
M’u zoto, të dua fort, mos më le kurrë të pashpresë.