Suplementi Pena Shqiptare/ Vaso Papaj: Ti s’ia del kurrë pranverës

548
Sigal

Në jetë s’kërkuam shumë, vëlla.
Deshëm vetëm dritë dhe pak zemër.
I përbuzëm thëniet ‘hosana’,
Ndaj krenarë mbajtëm emër-mbiemër.

Kërkuam vetëm ajër dhe dritë,
Siç kërkojnë ëndërrimtarët në këtë botë.
Por me to s’u ngopëm asnjë ditë
E prapë gjallë mbetëm jetë e mot.

Kërkuam në çdo zemër vetëm dashuri
Dhe ajo na mbrojti fshehur, thellë në gji.

Por dashurinë kuçedra kurrë s’mund ta donte
Dhe zemrat si të qenë lodra i mashtroi.
Me gjithë këtë, ajrin, dritën, s’mundi t’i nënshtronte
Veç… njeriun e rrënoi, e rrënoi, e rrënoi…

Thonë na mori fëmijërinë…
Na vrau edhe kohën.
Thonë na vodhi dhe rininë,
Na rrëmbeu edhe lojën.

Po Zotin s’na e mori dot.
Ai na dha shpirtin e lirë
Dhe i tha kuçedrës së humnerës:
“Rri urtë, ti s’ia del kurrë pranverës!”