Suplementi Pena Shqiptare/ Vaso Papaj: Peisazh jugor

541
Sigal

E zuri reja Llogoranë,
Si mike, s’e lëshon.
Me erën pika shiu vanë,
Gjer poshtë, te bregu Jon.

 

E bredhat nisën të vallëzojnë,
Mbërthyer me ullinj.
U fshehën zogjtë nën strehën tonë,
Gjinkallat në qetësi.

 

E tundu-shkundu këta ullinj,
Si t’ishin balerinë.
S’di ç’po shikonin sytë e mi:
Peizazh apo vegim?

 

Mbi supe pika shiu ranë,
Nis era të buisë.
I mbyllëm çadrat, brenda vamë,
Me freskun mbi kurriz.

 

Po dielli reve u shpëtoi,
Anuar përmbi det.
Ca rreze si shigjetë lëshoi,
Ia puthi faqet qetë.

E dalim, çadrat hapen prapë,
Ky deti si pasqyrë.
Na lidhin rrezet në çdo hap,
Kemi ndryshuar ngjyrë.

 

Nuk ndërrohen këto ditë këtu,
Me muaj nëpër botë.
Gjithçka lëviz mbi një skenë blu,
Të kemi afër, Zot!