Suplementi Pena Shqiptare/ Vaso Papaj: Do të kalojë edhe kjo

669
Sigal

(Djalit, në një ditë pa punë)

Do të kalojë edhe kjo, biri im,
Si kaluan të tjerat.
Se ata që jetën e patën mundim,
Më mirë se kushdo lirisë ia dinë vlerat.

Do të kalojë edhe kjo, është tërbim,
Gjueti si përherë.
Ata po e vrasin çdo ditë vendin tim.
Sa e largët më duket pranvera!

Do të kalojë dhe kjo plagë, ndonëse dhemb.
Është veç plagë, e ç’gjë tjetër?…
Më qeshet, se dhembja as ty nuk të tremb.
Histori tashmë shumë e vjetër.

Do të kalojë edhe kjo, biri im,
I ke vitet përpara.
Përbuze pa reshtur këtë krim pa ndëshkim,
Veç Atdheun ta kthesh nga e mbara.

Do të kalojë edhe kjo, do t’kalojë,
Zemërhapur lufto për të mirën!
Bota është sferë e vjen rrotull njëlloj.
Bëju diell edhe vrit errësirën!