Suplementi Pena Shqiptare/ Vangjush Saro: Kodi profesional dhe ai i emfazës

510
Sigal

Të shkruarit është një mënyrë për t’u shprehur, për të ‘vizatuar’ botën e rrëfyer përvojat; është njëlloj mjeti për të komunikuar me të tjerët përmes kodit artistik. Në këtë lëmë, ka një ‘vërshim’ të paparë, qasjesh gjithfarësoj. E thënë me thjeshtësi, vështrimi mbi pamjen është subjektiv. Megjithatë, parimet themelore janë shpallur me kohë; nga ata që bënë letërsi, përkthime e gazetari të mirë. Po sjell më poshtë ndonjë mendim e vëzhgim, sa dhe si iu përmbahemi atyre.

Ku mund t’i gjejmë përgjigjet që mungojnë…

Xh. Stejnbek, shkrimtar i njohur amerikan, thotë: “Një libër apo një histori mund të shihet në aq shumë versione, sa ka lexues… Kushdo merr atë çka do prej saj dhe për rrjedhojë, ndryshon matja e saj.” Mirëpo Gëte na kujton: “Të shprehesh me përpikëri, kjo është nisja dhe mbarimi i çdo arti.” Po ashtu, Floberi: “T’i shohim ato që duam të shprehim për një kohë aq të gjatë dhe me aq vëmendje, sa të zbulojmë një aspekt që të mos ketë qenë parë e thënë nga asnjë tjetër. Në çdo gjë, ka diçka të pazbuluar… Le të përpiqemi ta gjejmë.” Ndërkaq, O. Uajld i bie shumë shkurt: “Librat janë të shkruar mirë ose keq. Kjo është e gjitha.” Kurse Çehovi thoshte: “Nuk ka asgjë më të shëmtuar, më fyese dhe më depresive, se sa banaliteti”. F. Kafka: “Je i lirë, prandaj dhe je i humbur.” Më në fund, diçka nga L.H. Borges, që fokusohet në raportin me lexuesin: “Nuk doja që librat e mi të lexohen me detyrim, sepse lexim dhe detyrim janë dy fjalë kundërshtuese; leximi duhet të jetë një kënaqësi dhe një kënaqësi nuk duhet të jetë e detyruar; ajo duhet të jetë diçka që kërkohet vetvetiu.”

Meditim rreth fjalëve të “frikshme”; mediokritet e grafomani

Tani, vijmë në ‘hallet’ tona. Ka një amulli në letra, përkthime e publicistikë, por edhe në mendimin letrar; duke u përpjekur të gjej a ftilloj diçka në këtë terr, fillimisht po hedh sadopak dritë mbi disa terma. Përtej letërsisë së mirë, shtrihen apo zbresin shkallë-shkallë ‘zanate’ që përdorin fjalën si mjet. (Duke tërhequr vëmendjen e kujtdo që është i interesuar në këtë temë, shpresoj të kuptohet që letërsia, gazetaria, përkthimi, janë punë serioze, punë të rëndësishme me përgjegjësi, por tek e fundit vetjake; që do të thotë: Lum kush kupton dhe mjerë ai që nuk e mposht dot delirin).

Mediokritet është një nga termat që përdoren më dendur në këtë temë; shpesh keqkuptohet. Mediokritet do të thotë të shkruash në mënyrë kallpe, termi ka lidhje me nivele mesatare dhe më pak se kaq, me vështrime pa interes, shije dosido. Por nuk është fundi i botës. Në letërsi e, jo vetëm në letërsi, mediokriteti s’është fatal. Një shkrimtar ose një poet mediokër jo se nuk dinë të shkruajnë apo shkruajnë keq; dhe po ashtu, jo se nuk lexohen. Mund të thuhet vetëm që ata shkruajnë në një mënyrë (le të themi) të mërzitshme, krijimi vjen

  • pa ndonjë gjetje të veçantë,
  • pa shumë strukturë,
  • pa pretendime artistike bindëse,
  • mesazhet përcillen pa ndonjë mund të madh stilistik.

Pra, poezi a prozë qoftë, krijimi mediokër vjen si një rrëfim i rëndomtë; që nuk të rrëmben dot, nuk zgjon emocione te një lexues pak a shumë i kultivuar; shkurt, është një gjë e shkruar pa klas. Një shumicë krijimesh, të çdo kohe, në atë ‘baltë’ ngecin…

Pas termit mediokritet, mendoj që e ka radhën termi Grafomani. Ndonjëherë këto dy dukuri mund të njehsohen. Sidoqoftë, një krijues mediokër qëndron më lart se një grafoman. Me termin grafomani, përveç kuturisjes për të shkruar e publikuar vend e pa vend – sido t’i vijë ‘muza’ krijuesit dhe sido ta kenë ngjyrën paratë për botuesin – me këtë term pra, unë kuptoj një letërsi boshe, që rrëfen e rrëfen si çdokush në kafene a në hartimet e dikurshme, që është e mbytur në letrarizma. Me këtë term, kuptoj gjithashtu të shkruarën me patetizëm, zhytur në melankoli dhe mbytur me tropin më të thjeshtë, që e përdorin edhe fëmijët, epitetin dhe, në poezi, me shumë rima foljore. Grafomania përcjell ndonjëherë përshtypje të gabuara, që përforcohen nga shkrues apo simpatizantë të aksh autori, shfaqet si të jetë kinse… i thellë, rrëfen ngjarje të rënda, personazhet vizatohen shumë të ‘ngjyrosur’, përdoren vend e pa vend eufemizma, ndonjëherë autori vjen anës e anës si kau në lëmë, thur bindje më shumë se sa letërsi; por më në fund, ai thjesht është i lodhshëm dhe i mërzitshëm. Për fat të keq, grafomania po fiton gjithnjë e më shumë terren. Falë situatës teknologjike dhe berihajt të rrjeteve, dalëngadalë, njerëzit po i nënshtron e shkruara dosido, lexuesit e, me raste, edhe shumë asi që mbahen për shkrues të ‘emancipuar’, po ndihin në mënyrën më të turpshme në këtë fushatë banale të tjetërsimit të vlerave letrare, artistike, edhe atyre mediatike, duke shkelmuar kodin profesional, term që po zëvendësohet me një shpejtësi të frikshme nga EMFAZA. Çfarë është ajo? Ngutje, llafazanëri pa vlerë, pamundësi për t’u ngritur mbi të rëndomtën dhe letrarizmat, dalje nga realiteti për të klithur soj-soj, duke shkruar me oh(!) edhe ububu(!) dhe me frymëzim të rremë, por (paradoks njëfarësoj) edhe… padurim për të kapur majat e, më në fund, pandjeshmëri ndaj gabimeve në sintaksë (formim i fjalive dhe drejtvendosje e gjymtyrëve), në drejtshkrim dhe në pikësim.

Mund të shkruhet… edhe kështu?

E di se shumëkush mund të thartohet; por nga ana tjetër, prandaj ca vargje e copëra tekstesh do të përdoren pa i cilësuar se kujt i takojnë:

E para, që të mos përjashtohet mundësia e perceptimit jo të mirë nga autori i këtyre radhëve;

E dyta, për të mos lënduar askënd, përkundrazi, për t’ua lehtësuar punën e shëndoshur dëshirën dhe pasionin më tej. Por është fakt, që një pjesë e madhe gazetash dhe TV, për fat të keq ndiqen nga publiku, vazhdojnë të shkruajnë: “Kush janë pedagogët në grevë…” (Kurse, e thënë njëqind herë, duhet ‘Cilët’.) Ja një gabim tjetër, që tregon nivel të ulët kulturor dhe gjuhësor: “G. D. ka dalë për të folur mbi ekonominë, ku ka treguar se cilat janë kambanat e alarmit…” Etj. (E para, nuk thuhet ‘mbi ekonominë’. Por ç’është më keq, nuk thuhet ‘ku ka treguar’, por më e pakta ‘duke treguar’ ose ‘për të treguar’.) Dhe ja prapë një rast flagrant: “…pasi është shprehur se do që të ndërtohet një teatër të ri.” (‘do që të ndërtohet një teatër i ri.’) Gabimet sintaksore e drejtshkrimore, por sidomos letrarizmat dhe skematizmi, po bëhen gjithnjë e më të dukshme. Ndonjëherë, krijuesin e rrëmben subjekti dhe kaq. Por ndodh që letrarizmat dhe emfaza e marrin përpara edhe një subjekt në dukje interesant. Gjithsesi, në shumicën e rasteve, ndjesia gjuhësore dhe ajo letrare janë pak të kultivuara; shumëkund shfaqen thjesht edhe pakujdesi letrare. Etj. (Kështu nuk mund të themi se është bërë më e mira, kur shkruhet: “E shtyn M. me zor në apartamentin e saj me forcë. E ka kapur nga krahu dhe e shtrëngon fort si me darë hekuri.” (Disa herë, e njëjta gjë: ‘me zor’, ‘me forcë’ ‘si me darë hekuri’.) Ose: Kapërdiu me nxitim lëngjet e gojës. Dëgjoi zhurmën e rrokullisjeve të tyre drejt pusit të stomakut.” Apo: “Hymë brenda dhe u ulëm në divan, nisem të llafoseshim dhe të tymosnim. Shkëmbenim shumë fjalë, ndonëse sepse ditët e lindjes i kishim të njëjta.” Dhe: “Qetësinë e kishte humbur. Humori kishte marrë arratinë. Me njerëzit e familjes më tepër zbatonte teorinë e heshtjes.” Tjetër: “V. pronari i lokalit, një burrë babaxhan, rreth të pesëdhjetave, me flokë të kreshpëruar, trup të hedhur e duar të ashpra, shenja të një pune të lodhshme ndërtimi.”) Një lodhje e madhe është gjithashtu t’u hedhësh një sy recensioneve të fryra ose të shkruara gjithë në emfazë, madje edhe disa përkthimeve. (Ja pjesë nga një shënim letrar: “I nxjerr librat një pas një si simite të ngrohta.” Nuk e besoj se kjo fjali i bën nder autorit të ‘simiteve’.) Ja edhe një përkthim nga… Esenini(?!)

“Kalon një fshatare.

Si një lloj rryme të ftohtë

Ndiej gjatë shpinës

Një rrëqethje të pashprehshme dot.”

Mendoj se këtu poeti i madh nuk është; për të mos thënë, që gjendet i bastarduar. Por, ndërkaq, mund të thuhet se… edhe kështu shkruhet, pra nuk mund të pengohet a limitohet asgjë, është e pamundur; sikundër është e kotë të hysh në diskutime me këdo që nuk kupton. Për më tepër, me botues jashtë çdolloj integriteti.

Ka edhe më zi se mediokriteti e grafomania…

Në kushtet e një lirie pa cak dhe dëshirash – histerike pothuaj – për të shkruar e për t’u shfaqur me doemos, lind e shkruara keq, por që mund ta quajmë edhe përçartja. (Ndjesë që nuk gjeta term tjetër, më të butë.) Kjo është, si i thonë fjalës, e keqja s’ka fund. E them këtë, sepse çdokush që ka dëshirë të shkruajë, do respektuar; por edhe ndonjë këshillë duhet ta marrë në sy. Gjithë sa u veçua më sipër me rezerva, pra mediokriteti e grafomania, por sidomos të shkruarit keq dhe përçartja, shkojnë ndonjëherë deri te e pamundura; domethënë e pamundur ta lexosh, e pamundur ta kuptosh, e pamundur ta publikosh; (sepse duhet të ketë një përgjegjësi të dyfishtë, edhe nga autori, edhe nga publikuesi).

Ja një titull apo një ‘prezantim’ përçart: “Kure vargu prek ku dhembe llemballa, kete bene poetja”, etj. S’ke nga ta kapësh: nga përmbajtja, nga ndërtimi sintaksor, nga lëndimi gjuhësor… (kure/ kur, dhembe/ dhemb, llemballa/ dhëmballa, kete bene/ këtë bën). Ja edhe një episod tjetër, që pretendohet të jetë pjesë e një… recensioni: “Nder kohe une prisja te me dergonte nje perrua (disa poezi), por ai nuk me dergoi, jo perrua, as lume por nje det te tere sa me “mbyti.” rreth nje qind i botuam ne liber, e tjerat mbeten jashte sa per nje liber te plote me poezi.” Siç shihet, edhe këtu nuk di nga t’ia nisësh. Duke përjashtuar mospërdorimin e zanores ë, le të themi mosdije teknike, gabimet janë gjithfarë, nuk mbarojnë. Sintaksë: ‘por ai nuk me dergoi jo perrua, as lume por nje det te tere sa me “mbyti”. Drejtshkrim: nder kohe (‘Ndërkohë’) Pikësim: rreth njeqind i botuam ne liber, etj. (Fjalia fillon me shkronjë të parë të vogël, jo kapitale) etj.

Ja edhe një fragment nga një tjetër ‘shënim letrar’: “Romani me karakter historiko-social, që ngërthen në vete të kaluarën shoqërore. Ky romani i poetit të lartësuar tani me namë jo vetëm në botën shqiptare por gjithë andej në europën dhe boten e civilizuar , është shkruar në trajtë rrëfyese dhe në mënyrë kronologjike , përcjell dhe spikat ngjarjen.” Nuk ke nga ta kapësh(!)

Duke mbyllur këto radhë, përsëris që subjektivizmi është i pashmangshëm në çdo episod, mbase edhe në këtë shënim; pra çdokush do të vazhdojë të ‘krijojë’ e të ‘publikojë’ sipas mendjes së vet, paçka se ‘hallet’ dhe pamjet e përcjella më sipër mbeten po ato. (“Nuk shkohet vetëm me brohoritje.” Molier)