Suplementi Pena Shqiptare/ Vangjus Saro “Stuhi në pjatë…”

Në të perënduar sytë për gjumë, Dauti ndjeu një sëmbim në ije. T’ëmën! Do të vdesëm dhe Bot’e tërë do të bjerë në dëshpërim, tha me vete. Nuk ishte asfare dëshira e tij, t’i trishtonte mijërat dhe milionat e lexuesve; ca më pak botuesit e tij, përkthyesit, kritikët, kineastët… Dhe kur, tani që ishte në kulmin e suksesit. Libri i tij më i fundit, “Stuhi në pjatë…” kishte thyer të gjitha parashikimet dhe njerëzit, në të gjithë Planetin, ishin bërë si të marrë pas asaj vepre brilante. Dy regjisorë, nga më të njohurit në Hollivud, kishin përfunduar në gjyq, pasiqë nuk e zgjidhnin dot se kush do ta xhironte atë gjë që pillte vetëm lavdi. Në Australi, disa botues, gjithashtu ishin vënë në sherr, për shkak se gjithsecili e donte për vete të drejtën e botimit të librit “Stuhi në pjatë…” Medet! Një përplasje e paparë ishte shënuar edhe në Gjermani. Atje, dy botues kishin zënë për fyti njëri-tjetrin. 

-Ti të ma marrësh mua Dautin! Dale pa e shikon… 
-Ore, kaq ta bësh dhëmbin, nuk të fal, do ta botoj vetë! 

Ishte krijuar, me të vërtetë, një situatë shpërthyese. Bibliotekat e disa shteteve në USA, prej kohësh kishin dërguar kërkesat e tyre për librin dhe tani i qenë drejtuar me ankesa Ministrisë së Thesarit. Në Britaninë e Madhe, flitej, në disa molle, ishte zënë radha që në pikë të mëngjesit; për ta blerë. Atë de, stuhinë… Në Kanada, thuhej, diku ishin thyer xhamat, ngaqë njerëzit shtyheshin për të blerë kush e kush më parë këtë prurje të bekuar. Zot i madh! Në Universitetin e Sorbonës, studentët kishin kërkuar me forcë që asaj shkolle të lavdishme t’i vihej emri i Dautit. Mirëpo administrata po vonohej në vendimet e saj; dhe kështu, siç thashethemohej, studentët së shpejti do të ngriheshin në demonstrata. Slogani kryesor i tyre, pritej të ishte fjalia: “Daut, na ndriço!” Hë! Zallamahia më e madhe kishte ngjarë në Shqipëri. Net të tëra, njerëzit e kishin gdhirë në pragjet e librarive, madje duke ndezur zjarr përgjatë natës. Një biznesmen, ndër më të pasurit, që kishte disa gazeta, jahte, vila, kishte vendosur të hapte një librari; vetëm e vetëm për të përballuar kërkesat për librin “Stuhi në pjatë…” të Dautit. Botuesit ishin ndarë sakaq në dy, madje në tre shoqata, sepse secila e donte për vete shkruesin e madh. Thuhej se në zënkë e sipër, njëri që drejtonte shoqatën më të re, kishte thënë: -Nuk kanë lindur as dje dhe as sot, ata burra që të na rrëmbejnë neve Dautnë… Perëndi, ç’kaos! Autori i gjorë i do të gjithë, por s’mundet t’i kënaqë dot… Dhe kështu, duke pritur e përcjellë kaq shumë bujë e ngjarje, zu të mendohej se si mund të shpëtonte nga gjithë ajo lavdi. I shkoi mendja sakaq ta ndante një pjesë të saj me miqtë dhe kolegët. Më së pari, telefonoi një shkrimtar kokulur, që jetonte në Austri. Si je tek je, ia tha copë Dauti. Për sa lavdi ke nevojë, ti byrazer? Tjetri vuv. O shoku - thoshte stuhia në pjatë, ashtu, autori i stuhisë në pjatë - që do të të dërgoj lavdi, kjo nuk diskutohet. Ta jap me gjithë zemër. Problemi është si ta nis. Me avion? Me det… 

“T’ëmën! Pse më duket sikur po më zë deti?” Dautit i doli gjumi. Ishte në të gdhirë dhe zogjtë po këndonin. Dukej se dita do të kishte diell mirë. Dikush nga fqinjët ndezi makinën. 

Daut! Ngrihu pi ilaçet…