Suplementi Pena Shqiptare/ Valter Dauti: Mozaik Myzeqeje

991
Sigal

…Shkas shtigjesh shkaras, heshtur shkelem,

Zgjas gjurmë që gjoksin gjarpërojnë,

Fundrrugësh, vetëm prapë ngelem,

Ç’përshkova, djajtë ma gllabërojnë…

Tej hëna hundët shfryn mbi male,

Dhe mbytet, vdekur përmbi pellgje,

Herë shkel mbi fusha si sandale,

Herë, cirkash thyhet nëpër shelgje.

Po ç’natë! Ç’natë e pamëshirë,

Ç’zgërdhihet hëna-elefant!

Se, ja, mëngjesi që pa gdhirë,

Tjerr shpargun trim edhe pedant…

…jam konstruktor, ndërtoj, zbatoj projekte.

Djersij, dhe duart s’i përgjak më kot.

Shpërblim-buzëqeshje më jep e imja shefe,

Eh,ç’kam një shefe! Me flokë si hëna plot!

Dhe ç’farë ndërtoj- pallatet gjer te retë,

quan të saj. Me zulm hipotekon

Turmës,  shkëlqen si të jetë hëna vetë,

Në hije nxin…dhe mburret…kërcënon…

Eh, ç kam një shefe, që ndrin si hënë partish!

Nga mbiu, s’e pashë, dhe pse jam konstruktor.

Vetëm se, di që pëlqen rrugë dhish,

-Këtë ma thotë,  i saj zë baritor…

Hëna tutje mbi Bosfor,

Lëpin detin Marmara,

Veç, një cep përmbi Tomor,

Teksa treti, s’di pse la.

Krah rënkon Deti i Zi:

-E pabesë, eja këtu!

Shfryn në çast- e merr- e nxi,

Nxin zullumi gjer mbi gju.

-Paske ardhur, teksa jam

Mbi  urën “Sulltan Selim!”

Myzeqe mbi supe kam,

Myzeqenë, ti merr e nxin…