Suplementi Pena Shqiptare/ Valter Dauti: Motiv Kafkian

110

Tani, s’mbaj dot peshë, më gërviqin kryqet,
Dhe hapat i hedh sikur më rrahin me dru,
Surratin,paqshmërisht ma kanë pushtuar myshqet,
Dhe …(s’di si s’të pashë , nga më hyre kështu…?!)

Tani, vesh rënkimshëm këpucët me lidhësa,
Vijnë mizat në qejf, pinë gjak dhe pëgëjnë…,
Vjetëruar nga djersët, ngërdheshet këmisha,
Më s’nxehem si dikur, ç’të duan le të bëjnë!

Tani, të mbaj syrit, si një stemë mburracaku,
(Në ëndërr, më qëllon ndonjëherë, dhe të zhvesh…!)
… Paturpshëm, puthen drurët, atje tej, te parku,
Vajzërisht, pisha gjoksin brenda plepit e ngjesh…

Tani,jemi kohë, që përtypim çfarë ngjau,
(Tatëpjeta e ecjes, s’ka qenë projekti yt !)
…sigurisht…veç një puthje qe ajo që s’na ndau,

…sigurisht, veç një puthje, është ajo që më mbyt…