Suplementi Pena Shqiptare/ Valter Dauti Baladë për Petro Nini Luarasin

797
“Luarasi i shkretë vete tym e flakë;
Bën dava Dhespoti me Petro Dhaskalë;
Për një kartë shqipe njëqind lira vanë;
Hahet ky Dhespoti me Petro Dhaskalë;
Dhespoti i Kosturit, bëj davanë mirë…!”
Popullore, kolonjare.
-I-

S’paska shpirt Sofra e Dijes?
Hesht Kolonja! Rron a s’rron?!
Ç’bëjnë legjendat përmes vitesh?
Sofër-dija, s’ka më fron?!
Djeg Varishtës,vapë e gushtit,
hesht Gramozi hijerëndë!
Nëpër pemë, shija e mushtit,
rrëmben gushtin, e bën këngë…
Djeg Varishtës vapë e ecjes,
kohët, lindin një legjendë.
Që nga vitet, del prej heshtjes,
Petro Nini. Bëhet këngë!
-II-
Lina pret e gdhihet vetëm,
-I të gjithëve burri i saj!
Mjegull derdhet mbi Ersekën,
qaj Kolonjë! Luaras, qaj!
Ta helmuan Petro Ninin!
Tradhtisht! Helm në mikpritje?!
Në Kostur, Dhespotët pinin:
-Ish helmuar gjuha shqipe!
Në Ersekë, andart-zaptijet,
kalërojnë nëpër sokakë,
venë e vinë, zhduken si hijet,
Moj Kolonjë? Pse s’ndizesh flakë?!
Ç’ke Mulla Nasuf? Përlotur,
e tret syrin nëpër male…
Thua: “Ku je Çerçiz Topull,
na ka ndodhur gjëmë e madhe…?!”
Dhe vështron…se mos vallë era,
i çon fjalën-gjëmë mikut.
…”Petros i ka rënë kolera”!
Çirret gryka e armikut.
Çirret zë i spicer Janit,
Filloretit e Kirilit.
S’fiket drita e pishtarit,
ti, Kolonjë, bëji nderin trimit!

-III-
Luaras, po sjellin djalin,
të helmuar nga temjani…
Që nga librat, djemkat dalin,
del nga pyjet Kapedani.
-Do ta djegin me gëlqere?!
-Çkishërim në përtejbotë?!
Malet tunden me potere,
fusha uturin në shqotë.
“-Jo”, thanë miq, armiq! Të prerë!
“Trupi i Shenjtit s’mund të preket!
Ju, Dhespotë, jini kolerë!
Ju, armiq, ju presin vdekjet!”
Ndaj, betimin para trimit,
e ndezën mijëra pishtarë.
…dridhej fletëza e “Këndimit”
nëpër breza kolonjarë…!

-IV-
Nuk dremit Kolonja Plakë,
në përhumbjen e kujtimit.
Çdo pishtar që lëshon flakë,
është nga drita e Petro Ninit.
Nga Vakëfet, gjer në Korçë,
Luaras …e në Ersekë…
Ndodh që vijnë fshehtas Dhespotë,
Spicer, turq, a… qofshin grekë.
Nuk dremit Sofra e Parë,
qëndron shtruar, nëpër shekuj.
Nxjerr nga gjiri luftëtarë,
Rrit në prehër të Saj, Dishepuj!
Sigal