Suplementi Pena Shqiptare/ Tregim nga Tomorr Shasho

867
Sigal

Unë Zaçe fallxhori…

Më në fund, vendosa: Po, po, vendosa përfundimisht. As pushka nuk do t’ma luante dot vendimin.
Ecja lart e poshtë në dhomë, në korridor, në dhomë, në ballkon. Dhe kudo flisja me vete: “Po, po, e vendosa!
Kur kalova në korridor e do të hyja në banjë, sepse banja, apo më shqip, nevojtorja, ose haleja , (që ta kuptojnë edhe ata të zonave rurale), është vendi ku hidhet falli më mirë. Aty dalin të gjitha dhe nuk të merr njeri mësysh.
Në këtë moment më dëgjoi gruaja.
– Çfarë ke vendosur të bësh ?-  më pyeti e shqetësuar.
U ktheva nga ajo e i thash prerë:
– Sill shpejt stolin dhe atë karrigen e vjetër!
Kur dëgjoj ç’i thash, qëndroi si e ngrirë para meje. Me sa kuptohej, kujtoi se më kishte ikur mendja.
– Lëviz!- i thash – se na erdhi fati në derë.
Ajo vazhdoi të zgurdullonte sytë.
– Do të zgjidhim hallet e popullit, por do të fitojmë edhe para.
– Po ç’ke ndërmend të bësh, more, që u bëfsh sukull! Ç’do të  bësh, se më plase!
Ia ngula sytë në fytyrë dhe ngrita zërin:
– Do të filloj të hedh fall. E dëgjove tani?
– Fall?! Ti do të hedhësh fall?!
– Po, po fall! Pse qesh?
Gruaja pruri stolin dhe karrigen nga një lloj frike, se kujtonte që më kishte ikur mendja. Dhe mbylli derën e iku.
Vendosa që fallin ta hidhja vetëm me bathë. Dy javë brodha nëpër fshatra, derisa sa gjeta bathët. Ndërkohë, njerëzit e afërt më nxorën namin si fallxhor.
– Hë, – u thash një ditë teksa numëroja paratë, – vërtet u mbyllën lotari, por doli fati në anën tjetër. Si të gjesh, se cila skuadër fiton, si t’i “gjesh” dikujt fatin që ka; fjala vjen, do të mbesë apo jo me barrë, njëlloj është. Bixhoz, apo fall – një muhabet është.
Përvoja qenka gjë e madhe. Hidhja fall me filxhanë, me letra e, sidomos, me bathë, por të gjitha ishin fitimprurëse. I martë të keqen fallit tim bixhozi me lotari! Sepse kur hedh fall, nuk paguan asgjë, por vetëm merr….
Tani jo vetëm që hedh fall, por jam aktivizuar edhe në televizione si analist. A kam licencë? Po,more! Licencë nga bashkia, bile edhe nga ministria përkatëse.
– Po gruaja ç’thotë? – më pyeti një axhami që nuk merr vesh nga këto fallet.
Iu përgjigja shkurt hallemadhit, që nuk di tjetër por çdo ditë vrap e në punë!
– Gruaja më është bërë tifoze e madhe! Rri e rri e më thotë: “Sa i zgjuar paske qenë, more Zaçe!

Ndërsa unë i përgjigjem: “Si të mos jem i zgjuar, kur më besojnë trushkulurit!”