Suplementi Pena Shqiptare/ Tre arsye pse duhet të lexojmë “Qyteti në jug” të Ardi Stefës

666
Sigal

Nga Ersa Bekteshi                                                       

Libri më i ri i Ardi Stefës, “Qyteti në jug”, është nga librat surprizë të vitit. Nuk dua të bëj një shkrim të mirëfilltë për librin në fjalë, por do të dëshiroja t’ju jepja tre arsye përse duhet lexuar.

 

1-    Për karakteret interesantë

Ardi Stefa është poet kur kundron Qytetin e tij. Si gjithë të tjerët. Si askush tjetër. Kalon në rrugët e Qytetit të tij dhe herë- herë kalon kontrabandë nga jetët e njerëzve, me të cilët kryqëzohet; histori të përditshme, heronj të portës ngjitur, karaktere të rrezikshme në naivitetin dhe brutalitetin e tyre, zogj të burgosur dhe zogj që arratisen.

Të gjithë takohen. Duke i parë ata nëpërmjet syve të Ardi Stefës, duhet të kujtohesh, përse asgjë në këtë jetë nuk duhet të konsiderohet, që e ke kuptuar me vështrimin e parë…

Qyteti, lagjet, e përditshmja memece, e ardhmja dhe e shkuara janë heronjtë kryesorë të romanit. Personazhet ndoshta takohen me njëri- tjetrin, bashkëbisedojnë, por nuk komunikojnë. Në thelb ngelen memecë, të largët dhe të huaj…

Heronjtë e tij. Çfarë i bën ata të largët? Problemet e tyre personale e kolektive. Çdo njeri vuan ndryshëm. Një pjesë e madhe e tyre i gëlltit dhembjen dhe mungesat ose i shtyn për më vonë. Është shumë e vështirë të pranojë ndokush dhembjen e tij dhe në një farë mënyre ta dojë…

Ardi Stefa nuk ngurron të hedhë një sy të mprehtë në gjërat e thjeshta e të përditshme, të dëshmojë për plagë të fshehura, e njëkohësisht të gjalla, të thotë të vërteta që nuk pëlqejnë. Libri i tij është shkruar në një gjuhë shumë aktuale, të prerë, therëse dhe sfiduese, me humor, në disa raste sarkastike dhe një dozë të thellë melankolie. Copëzat e mozaikut të librit të tij nuk lënë askënd indiferent. Është nga ata autorë që, ose adhurohet,  ose adhuron t’i urrejë ndokush…

 2-    Për humanizmin e tij

Qyteti është mjeti më i mirë, objekti më i mirë, mënyra më e mirë, për të folur për humanizmin.

Histori, dashuri të humbura, ëndrra të zverdhura, largim, rreziqe, kujtime, mohim, arratisje!

Në radhët e tij takon të gjitha ato që të rrethojnë, brenda e jashtë vetes, të gjitha ato që ke mësuar të parakalosh, e të anashkalosh me një vështrim të thjeshtë, për të arritur të jetosh. Asnjë hero apo personazh i tij nuk është i mirë apo i keq. Pasi Stefa përkulet përpara tyre si baba i dhembshur apo mik i shtrenjtë dhe digjet vetëm që t’i kuptojë…

Në romanin “Qyteti në Jug” bashkëjetojnë në mënyrë krijuese letërsia, tradita, piktura, muzika, historia, besimi, shpresa, e kaluara e tashmja dhe ndoshta, edhe ndonjë gjurmë nga e ardhmja. Dirigjent dhe nxitës i këtij takimi është dashuria e thellë, e sinqertë për njeriun, të drejtën dhe ëndrrat e tij. D.m.th forca, që lëviz, mishëron dhe lëviz botën. Dhurata juaj? Të udhëtoni me ta. Të kujtoni, të pyesni veten, të mallëngjeheni, të zbuloni, të imagjinoni, të mendoni dhe të vendosni për cilat arsye, drejt ku dhe si do të vazhdoni. Si do të ecë secili veç, e njëkohësisht të gjithë bashkë…

 

3-    Për stilin e tij

Ardi Stefën e njohëm nëpërmjet “Refleksioneve të heshtjes”, dhe “Rekuiem për një ëndërr”. Dhe që atëherë nuk ka pushuar së emocionuari me stilin e tij. Antikonformist, adhurues i heronjve të heshtur, thellësisht emotiv, me fraza të shkurtra e të ngjeshura, Stefa  na merr në një udhëtim në mendimet më të thella e të fshehta dhe fantazitë e njeriut.

Ndërton një libër pa subjekt, personazhe kryesore. Ndërton një histori nga ndërthurrja e historive të Qytetit dhe karaktereve e fateve të njerëzve, të lidhura aq pazgjidhshmërisht me njëra- tjetrën. Dhe i gjithë ky mozak pjesësh, përbën të tërën, uniken e kompakten. Copëzat në dukje pa lidhje janë tejet unike në poezinë e tyre, saqë libri nuk mund të qëndrojë po t’i heqësh qoftë edhe një pjesë.

Çdo gjë me masë, madje edhe në hiperbolizimin e vet.

Gjuha e librit të tij është shumë e veçantë, e gjallë, shprehëse. Heronjtë flasin në vetën e parë, pavarësisht se është autori që tregon. Kjo mënyrë origjinale rrëfimi e lë lexuesin pa fjalë. Pa diskutim është një libër surprizë!

Një roman ku takohen humori, realizmi magjik, gjendja surrealiste e, ndonjëherë edhe depresive e shkrimtarit. Stefa është një përrallëtar bashkëkohor që rrëfen variante origjinale, të deformuara, të çuditshme të botës, historive, realitetit e imagjinatës. Rrëfimet e tij u largohen kornizave dhe stereotipeve dhe e bëjnë leximin e librave të tij një përvojë të këndshme.

Ndërmjet frazës prozaike dhe fjalës poetike, Stefa arrin të fitojë edhe lexuesin më kërkues…

Mbresa pas leximit të romanit “Qyteti në Jug”

Artemisa Bushi, redaktore

A kanë kujtesë qytetet? Apo kanë vetëm njerëzit? Apo qytetet, ashtu të heshtur e të zhurmshëm, u ngjallin kujtimet njerëzve për të qenë dëshmitarët e jetës së tyre?…

Sapo lexon fjalinë  hyrëse të romanit, të nguliten në mendje fjalët: qytet – njerëz – kujtesë. Duket si një tercinë mistike, që përbën gjithë boshtin e romanit.

Hyrja, një sintezë mjeshtërisht e realizuar nga autori, aspak e rastësishme, se në maj 1969, tetë muaj e dy javë pas kësaj dite, katërmbëdhjetë vjet më vonë, njëzet e gjashtë vjet më pas dhe se  tridhjetë e gjashtë vjet pas atij maji gjëra të çuditshme kishin ndodhur në Qytet, krijojnë tek lexuesi një kureshti të ethshme për të kuptuar se çfarë mund të ketë ndodhur vallë?

Parakalojnë para syve të lexuesit personazhe të shumta, që tregojnë se jeta në këtë qytet ka qenë më se e zakonshme për vetë banorët e tij, edhe pse me ngjarje të pazakonshme për lexuesin kohës së sotme.  Autori ka dëgjuar të flitet për ta ose i ka vëzhguar dhe gjithçka i është ngulitur në kujtesë, me të vetmin qëllim: që të na i rrëfejë. Mund të jenë edhe personazhe të sajuara, por gjithçka ata rrëfejnë mbartin të vërteta. Trilli romanesk vjen vetëm si një zgjedhje e autorit, për t’i lejuar personazhet e tij të tregojnë edhe të pathënat. Ata thithin të njëjtin ajër, përshkojnë të njëjtat sheshe dhe të njëjtat rrugë, përziejnë vazhdimisht tensionin dhe gëzimin për të jetuar në një mjedis kaq ngacmues, por janë kaq të ndryshëm. Një përzierje trillimi me të vërtetën, i vrazhdësisë me dhembshurinë, i kujtesës me “përroin e ndërgjegjes”, një rrëfim mahnitës, sa i thjeshtë në dukje për t’u lexuar, aq i gjurmë-lënës për t’u perceptuar.

Tërë ato histori të treguara, tërë ato jetë, ngjarje, mrekulli, vende, rrëmuja, të gjitha të ndërthurura, një shtresim i së pamundurës dhe i së përditshmes së një Qyteti.

Nuk mungojnë në roman edhe elementet autobiografikë, edhe pse ato janë të tërthorta dhe të fshehura. Jo rastësisht, mes ndodhive, autori bashkon të gjitha grimcat e mendimit, kujtimet ndjekin njëra-tjetrën me një rregullsi të menduar deri në detaje, që reagojnë ndaj ngacmimeve të jashtme (asaj që ndodh) dhe ngacmimeve të brendshme (atë që ndien) dhe ne lexojmë (më saktë, dëgjojmë) monologun e tij të brendshëm.

Histori të tëra brenda një historie…

Rrëfimi i ngjarjeve të vërteta, të cilat kanë lënë vraga në kujtesën e një shoqërie, edhe pse na vijnë herë me një satirë të hollë, herë-herë në kuptimin metaforik, na tregojnë se një qytet fsheh në vetvete të pathëna.  Të vërteta që një brez i caktuar, në një kohë të caktuar i ka parë, i ka jetuar, dikush ende ndien në lëkurë vragat që ajo kohë ka lënë tek ai….

Janë copëza historike, që e kthejnë shiritin e kujtesës në një kohë të afërt për brezin që i pa, dëgjoi, ndjeu; në atë kohë kur tragjeditë dhe dhimbja e një individi a shoqërie kishte të tjera përmasa. Por, ndoshta, në një kohë tashmë të largët për brezin e sotëm, një kohë që vetëm fjala e shkruar mund t’ia rrëfejë bëmat.

Një roman tërë trishtim, humor dhe humanizëm, për të na kujtuar se deri në ç’pikë E KALUARA është e domosdoshme për KUJTESËN.

“Njëzet vjet më vonë nga dita kur hodha rreshtat e parë në letër, u ktheva në Qytet dhe shëtita në vendet që i kujtoja të fshira nga koha dhe nga kujtesa. Nuk e njoha dot. As rrugët e sheshet. Nuk ishte më i njëjti Qytet. Nuk takova askënd nga të njohurit e mi. Edhe ata që takova nuk më mbanin mend. Ndërsa unë… I kujtoja të gjithë ashtu siç ishin, i kujtoja të gjitha ashtu siç kishin ndodhur, apo ashtu si mendoja unë se ishin apo kishin ndodhur. Qyteti ishte ende atje, i humbur në mjegull”, shprehet autori.

Është Qyteti i tij, që ai ka vendosur ta skalitë me germa e fjalë dhe ia ka dalë më së miri.

Ata që e jetuan atë kohë, e dinë që kjo është E VËRTETË.

Ata që do ta lexojnë do të mësojmë gjëra që deri tani i kishin të panjohura – madje do të mësojnë pak më shumë se kaq – si një “shtojcë të shpirtit”: të njohin vetveten. Sepse fasadat e qyteteve ndryshojnë, por njerëzit në thelb mbeten po ata.

Një roman i magjishëm. Plot art dhe forcë, mendjemprehtë dhe tronditës.

Ps. I dashur mik! Qyteti ku ti jeton, është kaq befasues, mbresëlënës dhe i ëndërrt për vizitorët kalimtarë (dhe për mua).

Në këtë roman ti e ke marrë në duar si një foshnjë dhe ke treguar e rrëfyer për çdo detaj të trupit të tij, mjeshtërisht, plot fantazi, dashamirësi, frymëzim, trishtim, krenari, humanizëm, dhembshuri, herë-herë edhe me nota ironie.

Për më tepër, që unë (e lexuesit e shumtë që do të ketë) ta njihja akoma më shumë Qytetin tënd s’e pata të vështirë. Sepse ti, pasi e njëjtësove atë me veten, rrëfeve gjithçka, shumëçka për Të. Ju ngjani shumë. Sepse pavarësisht asaj që shfaqni dhe asaj që duket, brenda jush ka të fshehta, të vërteta të hidhura, çudi përtej së çuditshmes.

Lexova në romanin “Qyteti në Jug” për qetësinë, trazimin dhe thellësinë e një Qyteti, por mbi të gjitha lexova oqeanin e mendimit tënd.

Urime dhe shumë suksese!