Suplementi Pena Shqiptare/ Tomorr Shasho: Unë dhe policët

651
Sigal

Prilli i vitit 1972. Ngrohtësisë shpirtërore që ndjenin qytetarët nga gjelbërimi i pemëve dhe i aromës së luleve në lulishten para shtëpisë së kulturës, Çorovodë i bashkohej edhe melodia e këngëve që këndonin fëmijët, të cilët përgatiteshin për zhvillimin e festivalit të këngës për fatosa e pionierë. Përgatiteshin këngët, por duhej edhe uniforma e pionierit. Gjetëm të gjithë bazën materiale. Na mungonte doku i zi. E tillë ishte uniforma e pionierit: bluzë e bardhë, shalli i kuq, fund e pantallona të zeza. Gjetjen e materialit për uniformën ma ngarkuan mua. Me autorizimin në xhep u nisa drejt e në Kombinatin e Tekstileve në Berat. Aty mora dokun. U gëzova aq shumë, sa s’fluturoja! Sa të kthehet autobusi i linjës, mendova, kam kohë të ha e të pushoj, ndaj zbrita nga mjeti urban te gjashtëkatëshi dhe u nisa për te shtëpia e djalit të xhaxhait. Afër konvikteve të vajzave kombinatase dëgjoj që dikush thërriste: – O Shaban, o Shaban! Ecja krenar me dengun në krah, sepse s’e kisha unë emrin Shaban që të qëndroja. Në çast ndjeva një dorë që më kapi nga dengu i dokut! Qëndrova. Dy policë me biçikleta më rrethuan. Ula dokun te këmbët e po vështroja policët.

– Çfarë ke në atë dëng? – pyeti njëri nga policët.

– Dok të zi, – iu përgjigja qetë – qetë.

– Ku e more?

– Në magazinën e Kombinatit.

– Na jep faturën dhe pasaportën! Nxora faturën dhe pasaportën. Njëri fliste e tjetri rrinte ngjitur me mua. E panë pasaportën. Shiko foton në pasaportë, shiko fytyrën time.

– Do të vish në Degë, – foli ai që kishte faturën dhe pasaportën në dorë.

– Ku dyshoni? – i pyeta.

– Eja, eja, – vazhdoi të fliste polici, duke e shoqëruar fjalën edhe me lëvizje të dorës. I sqarova se ku banoja e ku punoja dhe përse na nevojitej doku. Mund të telefononi Komitetin e Rinisë, apo Seksionin e Arsimit në Skrapar , u thashë.

– Po këtej nga do të shkosh? Rruga për në Çorovodë s’kalon nga Velabishti, por nga Uznova, – dëgjova të fliste njëri prej tyre.

– E di. Por po shkoj te djali i xhaxhait. Është shoku juaj.

– Si e quajnë djalin e xhaxhit? – foli polici që rrinte afër meje, i gatshëm për t’më mbërthyer në qoftë se do t’ia mbathja vrapit. U tregova emrin e kushëririt, i cili punonte po në Polici. Policët u bindën se s’isha unë personi i kërkuar. Sakaq, ikën të gëzuar se kryen detyrën, por edhe unë që shpëtova nga biruca. Më vonë mësova se ishte në vëzhgim një magazinier, punonjës i Kombinatit. Vitet rrodhën njëri pas tjetrit dhe më 1990 u bëra qytetar Tirane. Punë në profesionin tim nuk gjeta për arsye “objektive”, sepse kishin filluar të qarkullonin zarfet e mëdhenj. Meqenëse nuk e gjeja dot këtë zarf, fillova të tregtoja në rrugë, aty te cepi i Urës së Tabakëve. Edhe këtu policët s’m’u ndanë.

– Mblidhi këto materiale dhe zhduku! – më urdhëroi njëri nga policët. Patjetër do të ishte komandanti, sepse dy të tjerët rrinin pas tij e nuk hapnin gojë. Pashë ç’pashë, i mblodha.

– Hapi këtu në bordurën e shkallëve! Nuk më pengojnë, – po më thoshte çifti që tregtonte rroba të gatshme.

– Dyqan është e s’besoj të të bëjnë fjalë! Ashtu bëra. Pa përfunduar hapjen, shoh se materialet fluturuan poshtë shkallëve të dyqanit, ndërsa dora e një polici më kishte kapur prej jakës së xhupit. U mundova t’i sqaroja, pasi, mbi të gjitha, po më vinte turp nga kalimtarët në rrugë, si dhe nga tregtarët e dyqaneve që po vështronin. Dikush i foli, se nuk po vepronte mirë, por komandanti s’ia kurseu fjalorin e tij të pasur me fjalët më të pista. Fola – s’fola, veten e pashë brenda furgonit të Policisë. S’isha vetëm. Ishin dhe dy djem që tregtonin këpucë të përdoruara në cepin tjetër të urës përballë kafenesë. Klientët harruan të pinin kafen nga që ishin duke vështruar veprimet e policëve e duke dëgjuar fjalorin vulgar të komandantit. U mundova përsëri t’i sqaroja, por si përgjigje mora një duzinë fjalësh të ndyra, të cilat i kishte mësuar përmendësh, sepse nuk ua ngatërronte radhën sa herë që i përsëriste.

– E po mirë, – u thash,- faleminderit që më pasuruat fjalorin!

– Mbylle gojën e mos ma çaj….- foli komandanti. Dhe zgjati dorën drejt jakës së xhupit, shoqëruar me po atë fjalor, që do t’ia kishte zili një rrugaç adoleshent. U revoltova ndaj edukatës së tyre, si dhe ofendimit që më bën, por gojën e mbylla. Përfunduam në Komisariatin Nr.1. Me ndërhyrjen e një të njohuri, me detyrë prokuror, më nxorën nga dhoma e izolimit, të cilën e “shijova” për pak kohë. Ashtu i revoltuar, jo për shoqërimin në Komisariat, por për fjalorin e tyre ofendues, të nesërmen shkova të takoja shefin e Komisariatit. Do të denoncoja sjelljen e pahijshme të policëve. U paraqita te oficeri që priste popullin aty te hyrja. Pas sqarimit i kërkova të takoja Shefin. Oficeri, edhe ky një djalë i ri, më vështronte dhe qeshte.

– Pse qesh? – e pyeta.

– Ç’ka këtu për të qeshur?!

-Pse?! Vërtet për këtë arsye do takim me shefin?!… Se të kanë ofenduar?! Nuk thuaj shyqyr që nuk të kanë thyer hundën, apo të të nxinin fytyrën?! I ngula sytë mbi policin .Ai vazhdonte të qeshte, duke tundur kokën sa majtas – djathtas.

– Të faleminderit! – i thash dhe u largova. Rrugës ecja duke fërkuar hundën. I gëzohesha fatit që kisha hundën në rregull, ashtu siç ma ka dhuruar natyra dhe pa u nxirë në fytyrë. Për fjalorin tani nuk na bënë përshtypje. Atë e pasurojmë çdo të enjte në seancat parlamentare dhe të dielën në “Portokalli”. Vetëm na ka zënë halli, se nuk ua sqarojmë dot kuptimin e fjalëve fëmijëve! Jo se nuk i dimë, por nuk i shqiptojmë dot ato fjalë para tyre.