Suplementi Pena Shqiptare/ Tomorr Shasho: Më varrosni me Tapinë e tokës

718
Sigal

“Ditë e mallkuar!” – shprehet shpeshherë me vete Dhimo Lungthi. Mbase kishte të drejtë! Prej asaj dite që mori lajmin se gjyshi i tij, Trifoni, u kishte lënë trashëgim 40 hektarë tokë dhe 5 hektarë pyll, jo vetëm që s’po e linin të flinte një sy gjumë, por po e bezdiste edhe ofiqi që i sapo i patën vënë: Bej. Tani të gjithë, shokë e miq, i thërrasin: “Dhimo Beu!” – Na erdhi edhe Dhimo Bej Lungthi! – tha shoku ynë, kur e pa se në derën e kafenesë hyri Dhimoja. Ai ulet si zakonisht në kolltukun e vet.

– Si ma kalove natën, o bej?- e pyet shoku i ulur afër kolltukut, ku qëndron Dhimoja.

– Më mirë mos më pyet, sepse më shtohen kacabunjtë në kokë. Tërë natën pa gjumë. Kamerieri i sjell  kafen dhe gotën e ujit.

– Hall i madh të ka zënë, o Dhimo beu! – e ngacmon shoku që ka përballë. Ai lëshon filxhanin mbi tavolinë duke tundur kokën.

– Hall the? Hall e mbi hall! Isha rehat. Ç’qe ajo ditë e mallkuar që më sollën tapinë! Jo, ore vëlla! Ngrihesha në mëngjes, haja ç’më shtronte plaka përpara e drejt e në kafe. Isha rehat e kaluar rehatit… Ka kaluar një kohë e gjatë që Dhimoja ynë mori nga Arkivi i Shtetit dokumentet e tokës dhe të pyllit, të lëna trashëgim nga gjyshi i tij. U drejtua Dhimoja në hipotekë për t’iu njohur pronësia e tokës dhe e pyllit.

– Këto dokumente njihen me vendim gjyqi, sepse sasia e tokës dhe e pyllit, të cilën ju pretendoni se jua ka lënë trashëgim gjyshi, janë privatizuar po me vendim gjyqi nga disa të tjerë, – i thanë në hipotekë.

-Do të padisësh ata që e kanë zaptuar.

– Më falni, – i tha drejtori i hipotekës, – do të bësh rekurs të vendimit të dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë, pasi personat e vendosur mbi këtë sipërfaqe toke e kanë përfituar po me vendim gjykate, si tokë e trashëguar nga prindërit e tyre!

– Si ka mundësi!?- u revoltua Dhimo beu. Edhe pse tokën s’e kishte gëzuar ende, këtë ofiq, bej, ia dhanë menjëherë shoqëria e miqësia sapo dëgjuan për sasinë e madhe të tokës e të pyllit të lënë trashëgim nga gjyshi prej babe. Gjyqi që u zhvillua në Gjykatën e Shkallës së Parë zgjati jo pak, por katër vjet! Vangjos ia mohuan këtë trashëgimi. E çoi Dhimoja çështjen në Gjykatën e Apelit. Bëri edhe këtu nëntë gjyqe brenda dy vjetësh. I flaku tej vuajtjet e torturat e këtyre viteve, i bëri hallall edhe lekët e paguara, sepse mundi nuk i shkoi kot. E fitoi të drejtën e pronësisë mbi tokën dhe pyllin të lëna trashëgim nga gjyshi. Me të dëgjuar se u njoh prona, jo vetëm telefoni nuk pushonte, por u shtuan edhe nipërit e mbesat! Dolën edhe pesë nipër e tri mbesa që u kish pas harruar emrin, që kërkonin tokë!

– Këta nga na dolën?! – e pyeti gruaja.

– S’i kam njohur asnjëherë, – i thotë djali.

– Ata s’i kam njohur unë e nga t’i njohësh ti! – i përgjigjet i ati. Kanë të njëjtin mbiemër. Janë nga fisi ynë. Në të tilla raste bëhen shumë të afërt.

– Uaaa! -më tha një ditë Olimbia kur u takuam te dyqani i mishit, – unë e kam xhaxha Dhimon e ju thoni se nuk më njihni?! Janë shtuar shumë edhe vizitat në shtëpi. Vijnë e shikojnë, se si është xhaxha Dhimoja me shëndet, – vazhdoi bisedën gruaja e Dhimos. Atë ditë që po diskutonte me nipin se ku do t’i jepte pjesën e tokës e të pyllit, i erdhi lajmërimi: “Të paraqiteni në Gjykatën e Lartë për zhvillimin e gjyqit midis Jush, si i paditur nga Banush Brisku për zhvleftësim vendimi të Gjykatës së Apelit”. Dhimoja u trondit. Shkoi në gjyq dhe… e humbi përsëri gjyqin. E drejta e pronësisë iu dha Banushit. Dhimoja piu kafen, nxori lekët të paguante, por shoku përballë nuk e la.

– Do të paguash çdo ditë pasi të marrësh vendimin e Gjykatës Kushtetuese e të bëhesh vërtet bej. – Më dëgjoni pak! – tha Dhimo beu. Dhe mori qëndrim serioz. – Do t’ju lë këtë amanet me gojë, sepse ju kam pasur e ju kam shokë: Pronën nuk e marr dot as sot e as nesër! Heshti pak dhe vazhdoi: – Dëshiroj që të jetoni të gjithë, po cilido që do të jetojë pas meje, kur t’më shtrijnë në arkivol, u thoni atyre të familjes sime, që të më venë te koka Tapinë e tokës. Mbase do t’u vijë rasti të më vijnë te varri, le të më thonë: ” O Dhimo, tokën nuk e more, bej s’u bëre, po Tapinë pse na e more!? Ti ike, por mbetëm ne! Një ditë, deri sa të plakeshim edhe ne nipërit e mbesat, ndoshta do t’i merrnim!” Kushedi, mbase!