Suplementi Pena Shqiptare/ Tomorr Shasho: Këmbëzbathuri i shekullit të 21-të

657
Je i vogël, këmbëzbathuri i vitit 2018 në shekullin XXI, ndaj po të drejtohem me ti. E unë jam i moshuar si gjyshi yt. Të pashë, këmbëzbathuri i shekullit XXI, ulur mbi atë nimin prej dërrase. Të shikoja këmbët e vogla të paveshura me çorape. I kishe drejtuar nga soba. Po, atë ngroheshin vallë? U drithërova, kur të pashë me atë copën e bukës të thatë në dorë. Shikoje nga kamera që filmonte, po nuk harroje ta kafshoje copëzën e bukës. Mbi sobë ishte një tenxhere. A kishte gjellë brenda saj apo nëna, e cila rrinte pranë jush ngrohte ujë? Pse kafshoje atë bukën prej misri e sytë i hidhje nga tenxherja? Prisje të ziente gjella, por urja te thoshte kafshoje bukën! Më drithërove vogëlushi këmbëzbathur! Kronika televizive pasqyronte mjerimin e familjes ku ti po rritesh. U ndërpre. Fillonte kronika: “Sot në Kuvendin Popullor” E ndoqe ti këmbëzbathuri i vitit 2018 në shekullin XXI këtë kronikë? Besoj se po. Ndoshta ai televizori i viteve të kaluara nuk punonte? Mos vallë nuk kishe drita, sepse gjatë filmimit nuk u shfaq ndonjë llambë e ndezur. Më mirë të mos e kesh parë. Edhe pse i vogël do të kërkoje të të lexonin poemën e “Mjerimit”. Këtë poemë, i dashuri këmbëzbathuri i shekullit XXI, e ka shkruar një djalë i ri ,një mësues. Millosh Gjergj Nikolla quhej. Por ai kishte bashkuar dy shkronjat e para të emrit, emrit të babait si dhe mbiemrit, e thirrej MIGJENI. Ai shkruante për mjerimin e viteve 1930 të shekullit XX. Shkruante për një familje, që jetonte, ja, si jeton ti sot në shekullin XXI. Shtëpia jote nuk ndryshonte nga shtëpia e kohës se Migjenit. Po a ishte në atë kuzhinën tënde dhe lopa Larë, ashtu si te kasollja e kohës migjeniane? Mbaje mend dhe gjeji tregimet “Luli i vocërr”, “A do qymyr zotni?”, “Bukuria që vret!”. Jeta jote nuk ndryshon nga jeta e Lulit të Vocër. Mos vallë po vjen dita që prindërit tuaj te vijnë në qytet e t’u thonë deputetëve: “A kini nevojë për qymyr zotni?” Jo, këmbëzbathuri ynë i vogël! Të mos e bëjnë këtë rrugë! Qeveritarët dhe deputetët; qofshin këta të pozitës dhe opozitës, nuk kanë nevojë për qymyr. Jo,jo ! Ata kanë kondicionerë që ngrohen. Madje, ata nuk dallojnë dot stinët e vitit, kur janë brenda shtëpisë e zyrës. Zoti mos e dashtë që nga ajo kasolle të dalë një shtatore si doli nga kasollja e viteve ’30-të. E Migjeni bënte thirrjen: “Merrnje dhe çonje në qytet kët shtatore. Vendosnje në nji shesh! dhe si përmendore kushtonja dikujt. Kushtonja atij që ka më shumë merita për kët vend! Po, ndoj ministrit o deputeti, o ndokujt tjetër…” Nuk e di, këmbëzbathuri i vogël, nëse deputetët e asaj kohe, të cilës sot i themi koha e mjerimit migjenian, e përmendnin Migjenin. I sigurt jam se ata deputetë ishin me borsalina, papijone e shkop në dorë. Këta deputetët e sotëm sa herë dalin në foltore e përmendin Migjenin. Madje këta të opozitës recitojnë dhe vargje nga poema e “Mjerimit”. Sot që janë në opozitë, se kur ishin në pushtet, jo. Edhe këta të pozitës së sotme jo, sepse e kanë përmendur kur ishin në opozitë. “Qajnë” për ty, këmbëzbathuri i vogël, “qajnë”! Bëjnë sikur qajnë, se edhe kur flasin duke “qarë” shikojnë kostumin, fustanet, këpucët dhe çantat e dorës, se cila i ka më firmato. Flasin edhe për ty e shokët e tu, këmbëzbathuri i vogël, aty te foltorja. Thërrasin e ulërijnë, se ti nuk ha dot kafshatën e bukës, por mendja u vete te vogëlushi i tyre ,i cili mbrëmë në darkë nuk e hëngri dot të gjithë bërxollën e pastën. “Trishtohet” aty në foltore për ty. Të përmend ty që babai e nëna jote t’i japë votën. Atë votë, e cila nuk do ta largojë nga parlamenti. E ti, këmbëzbathuri i vogël, do të vazhdosh të shtrish këmbët në drejtim të sobës për t’i ngrohur, ndërsa deputeti e deputetja, ministri, ministrja e presidenti për të cilët ka votuar babi e mami yt, do rendin tek makina luksoze, duke ruajtur që këpucët të mos u bëhen me pluhur e baltë. Ti do të vazhdosh të kafshosh copëzën e bukës, ndërsa shteti yt do hartojë plane e plane për “ty”. Do robërohen për të zbatuar ligjin për të “mirën” tënde. Do dënohesh, se kështu e do ligji po gabove, por këmbëzbathur, shteti yt e i imi mendon e harton ligje, se si do të shpëtojë nga zullumet e bëra ai qeveritari, deputeti e deputetja me veshjet firmato, që “trishtohet e dridhet” për jetën tënde aty te foltorja.
Sigal