Suplementi Pena Shqiptare/ Tomorr Shasho: Dy furtunat

691
Pas asaj mbledhjeje të gjatë e me plot diskutime, Qemali u fut në zyrë. I hodhi sytë rreth e rrotull e u ul në karrige. Kishte mbi dymbëdhjetë vjet që hynte e dilte në atë zyrë, ulej e ngrihej nga ajo karrige, të cilën nuk e kish ndërruar asnjëherë. Aty kishte përgatitur leksione e raporte mbi punën e partisë në ndërmarrje e kooperativa bujqësore. E ja sot, i ishte komunikuar vendimi për largimin nga detyra e instruktorit të partisë. Ishte emëruar sekretar i byrosë së partisë në kooperativën e bashkuar “Fitimtari”. I thanë se qëndrimi në zyrë e kishte kthyer në burokrat. Burokratizmi të zinte frymën e ishte i keq si për personin që burokratizohej, por edhe për popullin. Shqetësimi më i madh i Partisë ishte se mos i zihej fryma popullit, ndaj u morën masa për të “luftuar” burokratizmin nëpërmjet largimit të burokratëve. U mendua e u mendua duke sjell nëpër mëndje fshatin ku do të shkonte. Kyçi derën për të fundit herë. I erdhi keq e duke shikuar majtas- djathtas, e puthi. Kur shkoi në shtëpi, gjeti vetëm të ëmën. Fëmijët ende s’ishin kthyer nga shkolla, ndërsa i ati, i cili pak ditë kishte që kish dalë në pension, kishte shkuar për të psonisur. Bashkëshortja ishte ende në punë. Pas pune edhe ajo kishte një mbledhje të rëndësishme, ndaj do vonohej. Merjemja hapi derën të shoqit. Rrjetën me ushqime e perimet që kishte blerë i vendosi mbi tavolinë e iu drejtua të birit. 

-Të shoh të mërzitur!? Ç’të ka ndodhur? Asnjëherë s’ke qenë në këtë gjendje këto dymbëdhjetë vjet? 

– E kanë transferuar në fshat si burokrat. Do të shkojë atje që të përmirësohet. Ishte Merjemja ajo që u përgjigj në vend të djalit. 

– Mos u mërzit! Këto punë kështu e kanë. Frynë erë, po era pushon përsëri e moti qetësohet. Ka rëndësi që të mos jesh treguar i ligështuar para drejtuesve. Duke i dhënë kurajë të birit, shkoi e hapi dritaren për t’u freskuar ambienti nga tymi i cigares. Sapo u hap dritarja, maçoku, që kishte dalë nga dera, kur e hapi Merjemja, kërceu drejt e brenda. Qemali shikonte e dëgjonte të atin, i cili shoqëroi hyrjen e maçokut nga dritarja me një buzëqeshje. Buzëqeshi edhe Qemali. Kish dëgjuar shpeshherë nga i ati, kur thoshte: del nga dera, por hynë nga dritarja. S’ish mbushur viti, kur një ditë të bukur Qemali u pa të hynte e të dilte po nga ajo zyrë, të cilën e kishte puthur me lot ndër sy. Historinë e furtunës më emrin “burokratizëm”, duke kujtuar dhe porositë që i kish dhënë i ati, Qemali po ia jepte të birit, aty te kafeneja e ndërtuar buzë liqenit, pronë e djalit të tij me detyrë gjyqtar në gjykatën e lartë. Djali gjyqtar ishte i mërzitur, ashtu si Qemali dikur nga furtuna me emrin “burokratizmi”. Tani ishte një furtunë tjetër me emrin “Vetingu”. Kishte plotësuar një formular për të ardhurat e këtyre viteve. “Vetingu” do të bëjë namin! – thoshin njerëzit, ashtu si dikur “burokratizmi”. Qemali pinte kafe i qetë, duke hedhur sytë sa nga dera, por ndihej i qetë, kur shikonte nga dritarja. 

– Hajde të dalim një shëtitje nga liqeni! Gjyqtari doli pas të atit nga dera, por sepse në mendje i rrinte ajo historia e maçokut që futej nga dritarja. I ati ishte larguar nga furtuna me emrin “burokratizëm”, por me t’u qetësuar moti, ishte përsëri në atë zyrë e në atë karrige.

– Patjetër, – thoshte me vete, – pas kalimit të furtunës “Veting” në mos nga dera, patjetër do të futem nga dritarja. Eksperienca këtë ka treguar. Qemali i shkoi krahun duke i thënë:” Çdo njeri ka gojë e, po pate gojë, do të hash. Kjo është e trashëguar. Erërat edhe furtunat fryjnë, por vjen një moment e moti qetësohet, biri im. Uji rrjedh përsëri në shtratin e vetë.”
Sigal