Suplementi Pena Shqiptare/ Tomorr Shasho: “ÇEKAP”

87
Atë ditë, në mitingun e fashtit Veshaj kishte patur shumë pjesëmarrës. I gjithë zinxhiri njerëzor merte pjesë, nga fëmijët e kopshtit e deri te pleqtë e plakat, të cilët mbaheshin pas shkopit, por sytë nga kandidati për deputet nuk i hoqën. U gëzuan aq shumë, sa nuk dinin se kë përqafonin, por shiko, puth e përqafo. Ai premtimi i deputetit, se edhe në fshat do të vinte ai, çekapi, ishte kulmi i gëzimit. Po ç’ishte ky çekapi? Fjalë që nuk e kishin dëgjuar asnjëhërë deri tani. Po pse ky emër doli aq fort nga goja kandidatit për deputet? – Të dashur fshatarë e fshatare! Më falni: fermerë e fermere, por edhe ju pleqtë e plakat. Atë ditë që do të vijë çekapi, duhet ta ktheni në ditë feste. Eshtë hera e parë që ai do të vijë këtu në fshatin tuaj. Gëzimin më të madh do ta kenë ata të moshës 45 vjeç e lart. – Do të jëtë ndonjë zyrtar i shtetit më i madh në pozitë se ky deputëti, – mendonte xha Nasi, -ndryshe pse ta kthejmë në festë!? Po kryeministrin nuk e quajnë çekap? Presidentin jo e jo? Edhe ai i kryetari i opozitës më duket se nuk e ka emërin çekap? Oh.. lëre! Do jetë ndonjë personalitet i jashtëm. Pa tjetër i jashtëm, se deri tani që jam 65 e kusur vjet, këtë emër s’e kam degjuar! Eshtë ndonjë nga ata aziatikët. E quajnë Çe Ka Pi, por i thërrasin shkurt çekap. Mos e kam gabim!? Eçte xha Nasi e mendohej: çe kapi? O hooo ! A s’themi ne: o bo bo ç’e kapi ! Nuk themi obo bo ç’e zuri, por obobo ç’e kapi. Ja, kur shqipja kap zogun, plaka thotë : o bobo, or burrë, ç’e kapi shqipja zogun! Si fjalë e ngaterruar më duket. Me këto mendime arriti në shtëpi. Rrinte e rrinte e nuk po i durohej sa t’i vinte djali që ta pyeste, se ç’ishte ky çekapi që vinte e do bëhej festë e madhe në fshat. Do ta pyeste: ç’pije vallë preferonte ky çekapi; raki si ne këtu në fshat, apo birrë? Nuk vonoi e në derë u duk djali. Pa u ulur mirë e pyeti, se ç’ishte ky çekapi, ndonjë i madh që vinte nga jashtë,apo… – Po jo, mor baba, -i tha, çekapi nuk është njeri. çekap e quajnë, kur njeriu bën të gjitha analizat e gjakut, të urinës e deri te fekalet. Ai të zbulon se ç’sëmundje ke. Doktorët do të vijnë këtu e do të bëjnë analizat e burrave dhe grave nga mosha 45 vjeç e përpjetë… Do të bëhën falas, si në kohën e “diktatorit”. Xha Nasit s’iu mbush mendja me këtë sqarim që i bëri i biri. Lëre se e mbajnë sekret ardhjen e tij – mendonte. Kështu veprohet, kur vijnë njerëz të rëndësishëm. – Gjë e mirë po të jetë, si ma tha im bir, por përsëri e vriste mendjen: pse i thonë çekapi, e jo analiza të përgjithshme!? Nejse! Kryeplaku lajmëroi se ditën e enjte në orën dhjetë të grumbulloheshin te rrapi i madh, sepse do të vinte çekapi. – Dëgjo plakë!,- i tha Xha Nasi gruas. Të enjten vjen ai çekapi, por atë ditë ka dhe parlament. Ti e di që unë nuk rri dot pa e dëgjuar…. – E rregullojmë. Shko ti në fillim e unë dëgjoj parlamentin. Kur të vish, t’i them ç’dëgjova. – Se mos harron ndonjë pa dëgjuar? – Hiç t’mos kesh merak, vetëm shko e tako atë çekapin. Në rrugë takoi Sadikun. – Ore Sadik, po të pyes edhe ty: Ç’është ky çekapi? Unë them se do të jetë ndonjë i huaj nga ata që vinin në kohën tonë. Kështu i kishin emrat si ky Ce Ka Pi. Që është aziatik, aziatik është, po ç’do këtu në fshatin tonë? – Ç’të them, o Nasi! Edhe unë e kam vrarë mendjen po s’e kuptoj. Vajza më tha: “Analiza,analiza”, po unë nuk e besova. Më thotë mendja se e mbajnë sekret. Pse t’u thonë analizave çekap? Mos e vra mendjen, e mbajnë sekret. Ke për ta parë tani. Ne themi: ç’e kapi gripi, ç’e kapi përdhesi, ç’e kapi kusuri. Me këto fjalë mbrritën te rrapi, ku ishin mbledhur fshatarët e po prisnin çekapin… Erdhën mjekët. Ata filluan të bëjnë analizat. S’thonin, eja bëj analizat, po eja të bësh çekapin. Edhe xha Nasi bëri çekapin. Me këtë rast i futi edhe një dorë muhabet më shokët, sepse para televizorit për të dëgjuar parlamentin kishte lënë plakën. Sapo u fut në portën e oborrit, dëgjoi ulurimën . – Korba-korba-korba! – thërristë plaka duke prekur faqet me të dy duart. Turp- turp -turp. Më turp nuk kam dëgjuar…. – Plakë,mblidh mendjen! ç’të gjeti ? Mos thirrë se të dëgjoi i gjithë fshati! Ç’ka ngjarë? – Korb,o korb, a ta bënë çekapin? – Po moj, të gjithë: unë,Sadiku, Trifoni e radhë njëri pas tjetrit. Bëmë dhe pak muhabet, ndaj u vonova. – Ah,mor i zi! Ishalla do zoti e nuk mbetesh me barrë! Korba-korba ç’na gjeti! – Plakë, t’ka ikur mendja? -Jo, or i zi jo! Sapo foli një deputete. Në një fshat, nga çekapi, burri kishte dalë me barrë e një gruaje i kishte dalë prostata. Po kjo prostata, mos quhet ai… e drejtoi dorën atje midis kofshëve të xha Nasit. Korba, korba ! Ç’t’u desh që e bëre ore burrë. Turp, turp! Burri 65 vjeç me barrë! Do t’na tallë bota…. Ja ky është hall mbi hall. Shyqyr zotit që nuk e bëra, se do më dilte prostata.. – Mjerë mua ç’më gjeti!, -thoshte me vete xha Nasi – m’i iku mendja plakës. Po priste me pa durim lajmet. As bukë nuk po hante. Plaka po nuk pushonte. I ngeli goja turp-turp. O zot na ruaj nga ky çekapi! Edhe burrat me barrë?!… – Ja dëgjoje -i tha plaka. Këtë fjalë, se çekapi kishte nxierrë burrin me barrë e gruan me prostatë e përsëriti, jo vetëm deputetja,të cilën kishte dëgjuar plaka, por edhe deputete e deputetë të tjerë. Edhe ata flisnin se në rrethet e tyre kështu u kishte ndodhur… – S’kemi ç’bëjmë,o plakë – i foli plaku. Ç’fat të kemi. Sipas moshës, them se nuk do mbetem me barrë, po… nuk i dihet! Një gjë e kemi të sigurt: ty nuk të del prostata. Kanë kaluar 3-4 vite. çekapin e kanë bërë burra e gra anë e mbanë vendit, po në parlament sa herë flitet për shëndetësinë e përmendet çekapi, nuk harrohet të thone se: çekapi ka nxierrë burra me barrë e gratë me prostatë. Deri tani asnjë burrë nuk ka pjellë dhe asnjë grua nuk është operuar nga prostata. Le, le, po ngulte këmbë edhe Selami, i biri i Zenunit, aty te kafeneja e fshatit. “Eshtë e vërtetë ” – thoshte. Të shohim. Jemi në pritje. Rri e rri i gjori, xha Nasi, dhe shikon barkun. I është rritur apo jo.Kusure …