Suplementi Pena Shqiptare/ Tomorr Shasho: Bregorja ime

Alushi mblodhi delet që ishin përhapur nëpër zonën buzë përroit të madh. I vuri përpara, hodhi barrën e druve në krah e u nis. E shoqja, Shefikua, kishte dalë te rruga para shtëpisë . Kur pa delet që dolën në kthesë të rrugës, shkoi e zuri lesën që të mos hynin në Selishtën e mbjellë me grurë, por të futeshin drejt e në katua. 

- Mirëmbrëma ! - i foli gruas dhe lëshoi në tokë barrën e druve . 
- A u lodhe? -e pyeti Shefikua, duke e vështruar të shoqin nga koka te këmbët. I erdhi keq. Kishte filluar të dobësohej. Opingat i kishte ende të shqyera. Mallkoi pulat që nuk po nisnin të pillnin. Me vezët e grumbulluara do t'i blinte të paktën opingat. E shiste edhe një nga tri qëngjat që kishin, por ishin akoma të vegjël. I pikonte zemra, kur e shikonte me ato opinga të shqyera. Të mbathte këmbët, po rrobat i arnonte arnë mbi arnë. 

- Eh! Si gjithmonë, moj grua. Edhe bagëtia ka filluar të vuajë. Nuk kanë ç'të hanë. Varfëri edhe për to. Edhe natyra nuk do. S'po bie pikë shiu, as edhe për barin .... Po djali si ka qënë sot? A ka patur ethe? 
- Jo ,jo, më mirë ka qënë. I vura lëckë më ujë të ftohtë dhe uthull... Rënkoi. Të dy burrë e grua u futën në shtëpi. Shefikua shtroi bukën. Vetë hëngrën përshesh me ujë, kurse qumështin që moli nga tre delet ia bëri përshesh djalit ,i cili ende vuante nga ethet. 

- Dëgjova se ka ardhur Banushi nga kurbeti- i foli Shefikua. 
- E dëgjova, moj grua, e dëgjova. Foli si nëpër dhëmbë, duke lagur letrën e cigarit prej gazete. Na shtro këtu te djali. S'e lëmë dot vetëm. Alushi u shtri në rroba, kurse Shefikua i vuri dorën mbi ballë djalit e si u sigurua se nuk kishte shumë temperaturë, fiku kandilin dhe u fut në rrobat e shtruara ngjitur me të birin. Alushin s'po e zinte gjumi. Rrotullohej sa majtas - djathtas e rënkonte ndonjëherë. E shoqja e dëgjonte, po nuk fliste, se kishte hallin e djalit. Atë natë e gdhiu si e gdhiu. U çua herët. Hodhi sytë nga djali dhe e shoqja. I erdhi keq, jo vetëm për djalin, sepse ende i ri e po vuante nga të shkretat ethe, por edhe për gruan. Nuk i bëri zë. Doli e shkoi te ato dy bagëti që kishte. Kur doli nga katoi, pa gruan që po ndizte zjarrin e të përgatiste mëngjezin. Shkoi e u ul në stolin që ishte në anë të vatrës. 

- Dëgjo grua! Kam vendosur mbrëmë që të bisedoi me Banushin. Mbase i mbushet mendja më merr edhe mua atje në kurbet. Të punoj ca kohë. Bëj nonjë lekë e kthehem. Krah ke djalin. Do zoti e nuk e kapin më ethet! Bëni si të bëni dy-tre vjet.... 
- Ç'të të them, or burrë! Ti e di vetë. Hall andej e hall këtej. Meraku është i madh. Bëj si të bëhet e mira. 
Banushi, bashkëfshatari, e dëgjoi, i premtoi se do ta merrte, por nuk i foli për vështirësitë që kishte dhe punën që do të bënte. Alushi e dinte se ç'punë do të bënte, punë bujqësie, ndaj i tha: "Për punë krahu na duan, o Banush, se agallarë janë vetë ata. Nuk besoj se janë më të mirë nga këta tanët, por mbase na paguajnë më mirë." Natën e parë që mbrritën në vendin e huaj, fjeti në barakën që kishte Banushi. Në mëngjes vështronte në të katër anët. Shikonte ndërtesa të larta, po ato ishin larg vendit ku banonin. Atë ditë bëri pushim, sepse e ndiente vetën të lodhur dhe ende nuk ishte orientuar. Të nesërmen u paraqit te personi që do të punonte. Punëdhënësi nxori nga barakja ku mbante veglat e punës një kazmë e një lopatë. Ia dha Alushit e i bëri me shenjë që ta ndiqte nga pas. Udhëtuan më shumë se një gjysmë ore në këmbë. Qëndruan te një bregore. Këtu do punonte për të hapur tokë të re, po punëdhënësi i shqiptoi fjalën, tarracë, tarracë e i bëri më shenja se si do të vepronte. 

-Për ushqim- i tha - do të hante, kur të kthehej. 
Meqenëse Alushi s'po kuptonte, i tregoi orën 4 mbas dite. Punoi atë ditë e disa ditë të tjera. Atë mbrëmje e ndjente veten të lodhur. U shtri më shpejtë se netët e tjera, po gjumë nuk kishte. Filloi të kujtojë fshatin e tij. Kujtoi arat andej nga mali, por edhe Selishtën ngjitur me shtëpinë. A e kanë korrur vallë grurin? Koha i ka ardhur. I doli para syve bregorja e tij te "Semirati" si dhe burimi poshtë bregores. Po ndjente mall! Këtu po hap toka të reja -tha. Po pse të hap tokën e botës? A nuk hapet tokë e re edhe në fshatin tim? Hapet. Po dhe topila me ujë ndërtohen atje? Ndërtohen. Jo, jo nuk rri më! Edhe këtu me kazma e lopata qenkërka. Këto i kam atje në kasollen time. Bregorja ime është më e sheshtë se kjo. Hardhi do të mbjellë ky zotëria, po edhe unë hardhi do ta mbjell bregoren time. Iku. Ato ditët e udhëtimit iu dukën shumë i gjata. Pa perënduar dielli arriti përpara shtëpisë së tij. Në krah mbante një kazmë e një lopatë të re. I tregoi gruas e djalit ç'kishte punuar e parë andej, në atë vendin e huaj. Punë, grua, punë kudo. Edhe vetë punëdhënësi punonte... Bregorja e "Semiratit "u kthye në vreshtë. Së bashku me gruan e djalin i gëzoheshin prodhimit të bollshëm. Po, po përshpëritnin: "S' bëhët vreshti me urata, por me kazma e lopata". Mirë e kanë thënë të parët! 

E tundura e bashkëshortes disa herë më zgjoi nga gjumi. – Ç’ke? Ç'ka ndodhur? Hodha sytë nga krevati i femijës. Ai flinte i qetë me duart të ngritura mbi kokë. - Nuk e dëgjon zilen? Ka pesë minuta që bie. Dëgjova zilen që binte përsëri ding-dang,ding -dang. 

-Ç'të ketë ndodhur tani në këtë orë të natës?, -pyeta gruan duke shikuar njëri -tjetrin. 
Ashtu si isha me bizhamat e gjumit u gjenda te dera. Hapa derën. Kush ishte ? Xha Temja, miku im. 
- Përsëri tani natën ? Përsëri në këtë orë? Mos vallë do të shkojmë edhe sot të takojmë Marin Barletin për historinë e Skënderbeut? Aman se u bëmë gazi i botës! ]- Nuk kemi punë me Barletin. Sot kemi punë me Banushin.
- Ç'i ka ndodhur xhaxha Banushit ? Mos ......... 
- Do ikim shpejtë se nuk arrijmë dot varrimin. Vishu e mos e zgjat! 
-Po gratë do t'i marrim ? 
-Lëri gratë ! Me kë do të rrinë fëmijët..... 
U vesha e së bashku dolëm te sheshi ku rrinin taksitë. Në shesh ishte një taksi. Afrohemi e takojmë taksixhiun. 
- Si je more dalë? -i foli xha Temja. 
- Mirë xhaxha ! Ju si ini ? Kini ndonjë hall që kini dalë tani natën? 
- Po. Kemi një vdekje në ...... . 
- Hipni ! U çoj unë ku të doni.
- O po që do t'na çosh nuk ka diskutim, se paratë do marrësh e me këtë punë merresh, por më parë do të pyes: Nga je ? 
- Prindërit i kam nga Korça, po lindur e rritur këtu në Tiranë. 
- Mirë-foli xha Temja duke e shoqëruar fjalën me lëvizjen e kokës- po mbiemrin si e ke? 
Taksixhiu po qeshte duke më vështruar mua për t’u siguruar se në ishte në terezi apo jo. 
- Mos u mërzit ! - i thashë. Ka ca huqe ky, po do ta rregullojmë. 
- Jam nga fisi Bardhi. Banojnë në lagjen pesë. 
- Nga fisi qënke erzeli, mor djalë, por nuk mërzitesh të të bëj edhe nja dy pyetje. 
-Vazhdo xhaxha! Natë është e unë dua të kaloj kohën, sepse pasagjer të tjerë nuk po shoh. 

- A merresh me hashash zotrote? Hape makinën të të kontrolloj! U mata ta kap prej krahu xha Temen, por ai më shikoi me inat e ma flaku krahun. Licensën e di që e ke se shoh makinën me ngjyrë të verdhë, por dëshmi penaliteti ke? Po nuk pate me vete dëshmi penaliteti, po nuk pate dokument që s'je trafikant droge nuk udhëtojmë me ty. Ku e di unë se në makinë nuk ke drogë apo nuk je në ndjekje nga policia? Ja të kapën në rrugë! Ç'kusur kam unë t' më quajnë trafikant droge apo udhëtoj me një të kërkuar nga policia? Jo mor djalë, jo! Jam plak unë. Taksixhiu e humbi toruan e rrinte i menduar. Mos vallë ka të drejtë xhaxhai? Duhen marrë me vete edhe këto dokumente, se përndryshe nuk na beson më njeri. Kyçi makinën e u drejtua nga organet kompetente për të marrë dokumentet që përmendi xha Temja. Ne vendosëm e ikëm me autobus, por kur shkuam ne, Banushi kishte shkuar në shtëpinë e përjetshme. Nuk morëm pjesë në varrimin e Banushit, por i dhamë një mësim të mirë taksixhinjve, të cilët duhet të kënë me vete dokument që nuk janë hashashaxhinjër, që nuk ndiqen nga policia e më të domosdoshmen, dëshminë e penalitetit... Ç'kusur ka pasagjeri i shkretë, edhe pse nuk ka lidhje fare me taksixhiun, e bëjnë bashkëpunëtorë me të?