Suplementi Pena Shqiptare/ Timo Flloko-Ylli i kinematografisë shqiptare

1282
Sigal

Ese

Nga Luan Çipi

Timo Flloko ka lindur, në qytetin Pejës më 26 prill 1948 dhe është aktor i shquar, i quajtur nga shumëkush si ylli i Kinematografisë Shqiptare. Rrjedh nga një familje qytetare gjirokastrite me babë mjekun e dëgjuar dr. Pavllo Flloko. Shkollën e mesme e mbaroi në Vlorë dhe më pas shkoi në Institutin e Lartë të Arteve në degën Dramaturgji në Tiranë, që e përfundoi me sukses në vitin 1970. Timo Flloko është, ndër të paktët aktorë shqiptarë të cilët ia kanë kushtuar karrierën e tyre kryesisht filmit. Është gjithashtu një nga pedagogët më të respektuar të Akademisë së Arteve dhe një poet gjithë pasion. Prej disa vitesh ka zgjedhur të jetojë duke ndarë kohën e tij mes Amerikës dhe Shqipërisë. Gjatë qëndrimit të tij të fundit në Amerikë prej shtatë vitesh, arriti të futet edhe në botën e Holliwodit, ku luajti në disa filma. Pas kthimit nga Amerika erdhi në Shqipëri dhe tani punon si pedagog në Akademinë e Arteve në Tiranë, në degën e aktrimit dhe regjisurës. Hyri në kinema shumë i ri, vetëm 19 vjeç. Brezat e njohën dhe e çmuan talentin e tij më së pari në rolet e Meços në filmin “Kur zbardhi një ditë” dhe Kabos në “Malet me blerim mbuluar”, të xhiruar në vitin fatlum 1971. Niveli i interpretimeve të tij filmike erdhi gjithmonë duke u rritur. Pasuan Kanani tek “Shtigje lufte” (1976) dhe Luani tek “Lulëkuqet mbi mure” (1976), ky i fundit i nderuar me Medaljonin e Festivalit të Filmit, më 1977. Aktori shqiptar Timo Flloko është rrëfyer para publikut gjakovar si asnjëherë gjetiu dhe nga kjo mund të mësohet për të edhe më shumë. I ndodhur atje si i ftuar i edicionit të parë të filmit me metrazh të shkurtër “Gjakova film festival”, aktori shqiptar ka përçuar emocione gjurmëlënëse te publiku, në një bashkëbisedim që ka zgjatur më shumë se 2 orë, i zhvilluar në kuadër të edicionit të parë të këtij festivali. Ai ka folur për përvojat e tij, familjen, teatrin dhe filmin shqiptar. “Mund të duket pakëz e ekzagjeruar, por gjatë rrugës për në Gjakovë, tërë kohën më është bërë mishi kokrra-kokrra, kur shihja sesa shumë jemi afruar me njëri-tjetrin”, ka thënë aktori, ndërsa për herë të parë ka treguar historinë e familjes së tij, e cila për disa vite kishte jetuar mes Kosovës dhe Shqipërisë së ndarë. Ai ka rrëfyer se ka lindur dhe ka jetuar në Pejë deri në moshën 8-vjeçare, ndërsa në gjashtë prej këtyre vjetëve ka jetuar i ndarë nga babai dhe vëllai i tij. “Kur isha veçse 2-vjeç, Shqipëria ishte prishur me Jugosllavinë dhe babanë tim e detyruan të largohej nga Peja dhe të kthehej në Shqipëri. Kur shkuam në kufi, kufitarët i njoftuan babait se kanë urdhër që të lejojnë vetëm atë të kalojë, por jo familjen. Pas shumë lutjeve e përpjekjeve, i lejuan që me vete ta merrte vetëm vëllain tim të madh Aleksandërin dhe kështu unë e nëna ime ishim të detyruar të ktheheshim e të jetonim në Pejë, deri në zhvillime të tjera politike, kur na u mundësua të ktheheshim në Shqipëri, konkretisht në qytetin e Vlorës. Është hera e parë që bëj publike këtë histori timen”- ka thënë aktori Timo Flloko, duke përcjellë emocione të forta tek publiku. Timo Flloko u tha kureshtarëve se në atë kohë arti në përgjithësi dhe kinematografia e teatri në veçanti kanë pasur një zhvillim të hovshëm, zhvillim me të cilin shqiptarët mund të mburren edhe sot e kësaj dite. “Sot shumë pak po investohet në teatër dhe në kinema, e kjo është diçka që po më vret shumë”- i është rikthyer ai bisedës për filmin, duke lënë të nënkuptohet se gjithçka kishte dashur të thoshte për familjen, e kishte rrëfyer. Por kureshtja e adhuruesve të tij ka qenë e madhe. Ai është pyetur edhe për aktorët kosovarë, ku ka treguar se idhulli që e ka udhëhequr në karrierën e tij ka qenë aktori Bekim Fehmiu. Ai u shpreh i lumtur që ka pasur mundësinë ta takojë. “Pas John Belushit, i cili ndërroi konceptin e humorit amerikan, Bekim Fehmiu mbase është figura më unike e aktrimit të shqiptarit në famën e përbotshme”, ka thënë Flloko në një rrëfim ku ka zbuluar kontaktin e tij me aktorë shqiptarë, natën e vitit 1948, kur regjimi komunist ndau familjen e tij. “Bekim Fehmiu është një idhull. Aktori më i ndërkombëtarizuar. Kur luajti me ‘Odisenë’ ishte bërë një hit i përbotshëm. Ka qenë frymëzues i madh.” Timo Flloko për herë të parë bëri publike edhe dëshirën e aktorit Bekim Fehmiu, një dëshirë që ai nuk arriti ta realizonte. “Ajo që më vjen keq lidhur me Bekim Fehmiun, është fakti se ai asnjëherë nuk arriti ta realizojë ëndrrën e tij për ta luajtur rolin e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, ëndërr të cilën ma pati treguar shumë vjet më parë”- tha ai, ndërsa ka shprehur zhgënjimin e tij me faktin se aktorët e rinj nuk e njohin figurën e aktorit Bekim Fehmiu. Poezia është një tjetër drejtim artistik me vlerë, që prej vitesh e preokupon dhe shpesh e lë pa gjumë Timo Fllokon. “Çfarë, më thuaj, vlen në botë, kur je vetëm e ke ftohtë, dhe një zemër s’e gjen dot?!…” Po të braktiste atë që donte, aktori Timo Flloko, s’do të mund ta kthente më në jetë dashurinë! Nuk është fjala për familjarë a njerëz të dashur, por për poezinë. Atë, me të cilën ai ka vite që përcjell netët, që mund të zgjohen edhe të bardha, por jo pa lënë shenja. Thuajse shumica e poezive të tij janë shndërruar në këngët më të bukura të dashurisë. Dhe nëse jemi dashuruar tepër pas disa këngëve të Ardit Gjebreas a Pirro Çakos, është sepse teksti ka qenë i Timo Fllokos! Autori ka nxjerrë në treg librin “Kërcim në bosh”, të dytin me poezi pas “Robi i manive”.Përtej dashurisë si e tërë, me ndjesi subjektive e figura të krijuesit që lexohen me endje ashtu siç ai ka dashur t’u japë formë, nëpër faqet e librave të tij me poezi, nuk e ke të vështirë të kuptosh se ke hyrë edhe brenda zemrës së shtëpisë së tij, ku nuk ka shumë pjesëtarë, por ka secili vargje të dedikuara me ndjenjë, mall e dashuri.. Aty është Linda…I ati e sjell me vargje si të përrallave, jetën e së voglës, që nga koha e pashlyeshme kur e shihte të luante me idhujt e saj, Borëbardhën dhe shtatë xhuxhmaxhuxhët, deri në ditën që ajo vetë u bë protagonistja e përrallës së saj të bukur, me princin që iu bë real, pranë qiellit, për çudi!… Në raste si këto, poetin e ndien më të afërt, sikur ngrohet, kur të vjen me vargje për bijën e tij. Nuk ke nevojë, fjala vjen, të hamendesh a të pyesësh atë vetë se ç’i shkrepi që u ul të shkruajë “Një princ për Lindën”…JO! I ke të gjitha aty, Lindën e bukur dhe ceremoninë e saj të martesës në Izrael, që sado vite të shkojnë, nuk do harrohet. Në këtë rast sheh babanë, që pas një cepi të lumturisë, sintetizon vitet me buzëqeshje të madhe. Njësoj ngjet edhe me nipërit…Davidin dhe Jonathanin, sepse erdhi çasti të thurë vargje edhe për ta…Nipat çamarrokë, vijnë të dy me sytë e atij që s’ka pamje më të dashur, veç syve të të dashurve. Në gjithë sa thamë më sipër, Timo Flloko nuk ka qenë i vetëm! I ra një yll, e kapi dhe krijoi me të gjithë ç’i dha dashuria! Nuk i vuri emrin që i dinë të gjithë, e thirri vetëm për vete, ‘V’, sepse vetëm ai e pa, tek u fik e ra…

”E preka me sy, u fik e ra, në humbësi…

Mendoj për ty

Nesër, sa të lindë dielli

krahët të m’i shkrijë

si meteor në s’u djegsha, varur do mbetem qiellit…”…

Dashuria këtu i largohet përrallës, kthehet në vetjake, me përfytyrime të ndezura e nevoja të tjera. Ne e thërrasim Vera, poeti vetëm ‘V’, ndërsa dashurinë, përherë enigmë, edhe ne, edhe poeti. Nëna e poetit është në dy poezi! “Shpirti” dhe “Lejleku misterioz”…Ajo tani është shpirt, vjen prej gjithësisë përmes dashurisë. Poeti bëhet sërish fëmijë, naiv e i paditur. E pyet nënën njësoj siç bëjnë fëmijët e gjithë botës “Si erdha unë në jetë, nga krahët a me lejlek?! A nuk e bëjnë të gjitha këto, më të afërt poetin, të pa rol aktorin?! Flloko do të ishte njësoj konkret, me një thjeshtësi të butë, edhe kur shkruan për diell a det, por, nëse braktiste ata që do, nëse nuk u vinte emra në këtë bashkim të ri poezish, do vinte një ditë që do kuptonte se pa ta s’jetonte dot!

Timo Flloko është poet dhe autor këngësh shumë i njohur, po mbi të gjitha ai ngelet aktor i madhe me një galeri të pafundme rolesh:

(1987) “Binarët”
(1987) “Vrasje në gjueti”
(1986) “Fillim i vështirë” – Bujari
(1986) “Rrethimi i vogël” – Shoku Agron, kryetari
(1985) “Të paftuarit”
(1984) “Militanti” – Visar Shundo (Vasil Shanto)
(1984) “Nata e parë e lirisë” – Çeçemi
(1979) “Ballë për ballë” – Inxh. Sergej
(1979) “Liri a vdekje” – Çerçiz Topulli

(1977) “Njeriu me top” – Mato Gruda
(1976) “Lulëkuqet mbi mure” – Luan Sina, mësuesi
(1974) “Shtigje lufte” – Kanan Tafili (Kajo Karafili)
(1971) “Kur zbardhi një ditë” – partizan Meço (1971)

“Malet me blerim mbuluar” – Kapo Dalipi
(1969) “Përse bie kjo daulle”
(1967) “Ngadhënjim mbi vdekjen” – Fatosi

 

Timo Flloko merr vlera edhe më shumë kur mësohet se bashkëshortja e tij, plot mirëkuptim e respekt, është regjisorja emër madhe Vera Grabocka, me të cilën gëzojnë e dhe një vajzën e tyre me emrin Linda.

Linda jeton prej vitesh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me bashkëshortin izraelit, Ilan Gorodezky dhe dy djemtë. Por në raste festash apo gëzime familjare, ajo është gjithmonë e pranishme pranë prindërve.

Ata u martuan në vitin 2011 në Kullën e Davidit, pikërisht në Jerusalem në një ceremoni elegante me 100 të ftuar nga Shqipëria. Ceremonia është realizuar në gjuhën hebreje nga rabinë të ardhur nga Los Anxhelos.

ROB I MANIVE

I përzura komplekset nga vetja:
Inferioritetin
e nisa të parin…
Ik prej meje, dil
kjo botë është e ashpër për ty
maniak depresiv
në kopshtet çehoviane shko
shkarko fobitë
s’ke strehim në trurin tim
S’të lodhi përulja
ndjesitë diabolike?
Sa herë i marr erë një luleje
druaj se pas shpine
thika më ngulet…!

Supersticionet
gra të pabesa
i degdisa
në manastirin e harresës!
Ritualet i vara në kremastare
dal nga preferenca prej kohësh
I hoqa qafe lajkat, pa kortezi
Madamë Pandehma – modus
jashtë modës!
Grimcat e të përditshmes thërrasin:
Një ditë do të të vrasim

Lojëra parandjenjash sajojnë numrat fatal
mezi ç’presin të varem…?
Zbraza raftet e trurit nga kotësitë
përzura dhe ëndrrat!
Kur u shfaq ai, deliri i madhështisë
kalorësi i gamiles, me krye në hava!
“Jeto madhështinë, më dërdëllit
kthehu në vetëdije
bota është e ngushtë
s’ka vend as për hijet…!
Gëzo marrinë, gjigand!”
më shkund deliranti
E ndoqa pas
askund s’gjeta
për të një kafaz!

Por, në mund e stërmund
tinëzisht një ditë
e shpura delirin në kopshtin zoologjik
kureshtareve t’ua fal
si gjest filantropik!

FJALËT E FUNDIT TË LORKËS

Me plumba t’i vranë gazelat!
Të mbuluan petalet e rëna
Mbi buzë e mbi shtat kryefund
Atë natë kur qante hëna…!

Ti u këndove qiejve të Spanjës
Vrasësit e shurdhët kush s’i nem
Të pashpirtët s’ta përfillën lutjen:
“Mos më vrisni këtë natë me hënë!”

***

Ndron qielli, retë, hëna, yjet në gjithësi
stinët ndrojnë, e dashur, me nxitim…
Ti je më e befta
në këtëh ndryshim!