Suplementi Pena Shqiptare/ Theodhori Proko: Hakmerru duke dashuruar

738
Sigal

Shënime rreth romanit me të njëjtin titull të shkrimtarit Kleo Lati-

 

Zakonisht, kur më bie në dorë një libër i ri, kurioziteti më shtyn t’i hedh një sy të shpejtë, thjesht, sa për “njohje”. Por me romanin më të ri të shkrimtarit, publicistit dhe përkthyesit tashmë të njohur Kleo Lati, kjo kohë “njohjeje”zgjati pa shkëputje deri në faqen e fundit. E kjo gjë ndodh rrallë. Ndodh vetëm atëherë kur shkrimtari me stilin e vet rrëfimtar të mbërthen në një “tension” emocional, prej të cilit mund të “çlirohesh” kur ke arritur në fund të asaj historie njerëzore, që autori ka marrë përsipër t’ia përcjellë lexuesit nëpërmjet penës së vet krijuese.

Kushdo që e ka ndjekur krijimtarinë e pasur të Kleo Latit, por qoftë edhe vetëm duke lexuar këtë roman, e kupton se ai është njohës i thellë i realitetit, prej nga qëmton dhe temat e romaneve të tij, ku mbizotëron kryesisht tema e dashurisë njerëzore, kësaj ndjenje hyjnore pa të cilën njeriu mund të ekzistojë, por nuk mund të thotë se ka jetuar. Dhe jo dashuria për pamjen fizike, por dashuria e vërtetë ku dy shpirtra tërhiqen nga forca e saj magjepsëse, deri sa bëhen njësh e rrahin me të njëjtin ritëm. Dhe shkrimtari Klaeo Lati është i prirur të zhbirojë thellë në botën e brendshme të personazheve, të depërtojë deri në “honet” më të thella ku njeriu fsheh ndjenjat, pasionet, dëshirat, të cilat, për hir të së vërtetës, jo gjithmonë guxon t’i nxjerrë në “sipërfaqe” e t’i shfaqë para të tjerëve. Personazhet e romanit “Hakmerru duke dashuruar” janë karaktere tipike të realitetit që jetojmë, ndaj gjithkush gjen veten, shokun, mikun, të afërmin a familjarin e vet. Gjejnë veten adoleshentët që thurin ëndrra për të ardhmen, por kur vjen puna për të marrë vendime të rëndësishme që shenjojnë jetën e tyre, gabojnë fatalisht. Gjen veten njeriu-prind, që i shtyrë nga dhembshuria, nga kujdesi për ta orientuar fëmijën e vet drejt një të ardhme sa më të sigurt, me autoritetin e vet, e shtyn atë drejt mohimit të ëndrrave, pasioneve e për rrjedhojë drejt një zgjidhjeje të gabuar, pasojat e së cilës mandej i vuajnë të gjithë. Gjen veten ai njeri që në fëmijërinë e vet ka vuajtur ndarjen e prindërve, mungesën e dashurisë dhe përkëdhelisë të njërit prej tyre që duhet të ishte mbështetja e tij kryesore në udhëtimin e gjatë jetësor. Gjen veten emigranti që detyrohet të braktisë atdheun e të marrë udhët nëpër botë i vetmuar, në kërkim të fatit të munguar në vendlindje për një jetë më të mirë.

Sa herë kalon nga një faqe e romanit në tjetrën përjeton një “mizanskenë” të re, ku luhet drama shpirtërore e Silvias, vajzës bukuroshe të një qyteti bregdetar, që as në ëndrrën më të keqe nuk e kishte parë veten të “notonte” në atë det dhimbjesh e lotësh, pasojë e një vendimi të gabuar në një çast dobësie njerëzore, por që pasojat zgjatën për më shumë se pesë vjet. Për një adoleshente të bukur, me pamje fizike të admirueshme nga çdo sy, jo vetëm mashkullor, por edhe të shoqeve të saj që e shikonin jo pa zili për dhuratën që i kishte bërë Zoti, nga qerpikët e gjer në thonj, ishte e vështirë të përballej me kurthet që të ngre jeta. E padjallëzuar, gati me një naivitet fëminor, me një shpirt po aq të bukur e fisnik, e shihte botën me sytë e saj të çlirët, pa paragjykime, besonte te fjalët dhe premtimet. Dhe nuk mund ta fajësosh shumë në atë moshë, kur bukurinë fizike mund ta dallosh lehtësisht, por shëmtinë e shpirtit të një njeriu tjetër nuk mund ta kuptosh pa jetuar pranë tij, fal edhe mungesës së përvojës. Duke e lidhur fatin e saj me një njeri si Denisi, ëndrrat rinore u “mbytën” në detin e marrëzisë dhe xhelozisë së tij. E për një vajzë si ajo, nuk kishte gjë më të dhimbshme se sa t’i vrisje ëndrrat e saj më të bukura për t’u bërë këngëtare dhe kampione noti.

Sekush që e lexon romanin mund të hamendësojë ose jo nëse autori e ka njohur nga afër vajzën bukuroshe me emrin Silvia, personazhin kryesor të romanit, por duket qartësisht që ai e ka shumë për zemër dhe kujdeset deri në detaje për ta “vizatuar” sa më bukur portretin e saj me penën e tij krijuese. Herë nëpërmjet monologut të saj të brendshëm, ku ajo “dialogon” me veten, herë nëpërmjet bisedave të saj me shoqet e ngushta, me prindërit, me kolegët e punës e herë nëpërmjet fjalëve të vet autorit në adresë të saj, të duket se shkrimtari dhe heroina e tij simpatike janë në një udhëtim të përbashkët, hap më hap, pa u ndarë deri në brigjet e liqenit të Komos, në Itali. Aty, ku Silvia lë pas brengat dhe hallet, dështimet dhe humbjen e shpresës dhe për fat të mirë gjen dashurinë e ëndërruar, ngrohtësinë e munguar, vlerësimin e merituar dhe rifillon jetën nga e para. Tashmë krejt e bindur se një martesë e dështuar nuk duhet të jetë një jetë e dështuar. Çdo njeri, nëse nuk e ka në dorë të ndryshojë të shkuarën e vet, e ka plotësisht në dorë të ndërtojë të ardhmen më të mirë se e shkuara. Dhe në një farë mënyre, kjo është njëlloj hakmarrje për vuajtjet, lëndimet, dhimbjet e provuara. Por, edhe për ata tipash njerëzish që urrejnë e nuk i durojnë dot njerëzit e lumtur. Më e mira që mund të bësh ndaj tyre është të vazhdosh të jetosh, të lësh pas krahëve lëndimet, të mos u japësh mundësinë të të shohin të vuash. Jeto dhe “Hakmerru duke dashuruar” – ky është mesazhi aq i bukur dhe njerëzor i romanit të fundit të shkrimtarit Kleo Lati.