Suplementi Pena Shqiptare/ Mimoza Çobo: Tempulli i poetit orakull Fatmir R. Gjata, në kërthizë të Myzeqesë

854
Sigal

(Përsiatje për vëllimin poetik “Me dheun tim i dashuruar” të poetit Fatmir Gjata)

Mimoza Çobopoeteshë dhe mësuese e gjuhës dhe letërsisë për shkollat e mesme

Tempulli poetik “ME DHEUN TIM I DASHURUAR…”, me arkitekturë unike, ndër më të bukurit ndërtuar me baltën e ëmbël e të kripur të Myzeqesë në kërthizë të Myzeqesë ,ka në brendësi të tij poezi epike të fuqishme dhe lirika dashurie të vrullshme, të mbrujtura me magjinë e vendlindjes, pjalmin e dheut dhe flladin e lashtuar të antikitetit, adhurimin pa kushte të së bukurës, ngjizur në hiret e myzeqares, në trupin e së cilës rrjedhin vrullshëm lumenjtë dhe valët kaltëroshe të Adriatikut, që ushqejnë thellësive rrënjët stërgjyshore të poetit Fatmir R. Gjata. Kokrrizat e dheut të vendlindjes, natyra me mrekullitë e saj, bota e njerëzve të thjeshtë, si besim dhe parim etik, ngjizjet në univers të bukurive femërore, kanë lidhje organike e shpirtërore, të përjetshme me çdo qelizë jetësore të poetit dhe qenësinë e tij, se aty, në këto vise të shenjta, dikur i pat shkrepur në gji zjarri i moshës,

”kur dielli ulej kuqëluar mbi Adriatik,

 kur hëna shkrehur shkonte në lutje,

midis një fushe të praruar dhe përshëndeste kodrën e shenjtë,

aty ku çdo gjë ka vlerë dhe është e shtrenjtë,”/(Gjata)

”aty ku i duket balta më e ëmbël se mjalta…”(Çajupi).

Fjalori poetik i përzgjedhur plotë ngjyrime, mendimi i thellë estetik, gërshetimi i së bukurës tokësore me hyjnoren, vargu kurativ me ndërtim të veçantë dhe tingëllima magjepsëse, e kthejnë këtë tempull poetik, në një tempull të shenjtë për çdo myzeqar dhe shqiptar, në skajin më të lartë të të cilit dëgjohet gurgullima e mesazheve, që përcjell poeti Gjata, ky orakull i lindur “në kërthizë të Myzeqesë” .Duhet theksuar se poeti Gjata, është ndër të paktët poetë të letërsisë moderne shqiptare, i cili po jep kontributin e tij të çmuar në pasurimin e lirikës shqiptare me ndjesi të reja poetike, në krijimin e figurave me përmbajtje semantike të reja, me tingëllima të brendshme tepër të fuqishme, në realizimin e formave poetike të veçanta, të pashkruara më parë në letërsinë shqipe, në guximin dhe aplikimin e një metode të re në letërsi, të një lloj eksperimentimi në poezi, si kreacion për të gjetur vetveten në rrjedhën e artit bashkëkohor, duke pasur si objekt kuptimin e përmbajtjes së realizuar sipas ligjeve të këtij arti. Në këtë frymë thellësisht artistike e estetike është lartuar tempulli i poezisë së poetit orakull Fatmir R. Gjata. Poezitë “Myzeqar”, “Baltë e Myzeqesë”,”Ndërnënas”, “Jam myzeqar në Shqipëri”, “Toka ime”, “Me tokën time flas”etj.,janë një tufë perlash poetike, që mëmëzonja Myzeqe padyshim i nanurit në djepin e saj të lashtë, duke i dhënë bekimet e shpirtit poetit Gjata, që i dha përjetësi të vdekshmes dhe glorifikoi të pavdekshmen, që janë burime të pashtershme vlerash, burime shfrimi e lehtësimi, për çdo shpirt njerëzor. Shpirti i poetit është në gravitet të përhershëm me dheun, që kur përzihet me ujin shndërrohet në baltë e balta kur thahet shndërrohet në argjilë, prej së cilës është krijuar qenësia e poetit dhe e njerëzimit. Dihet se prej, baltës,që është korja e tokës, njeriu merr elementët bazë të jetës,për të ndërtuar jetën , kurse poeti Gjata merr elementët bazë për ndërtuar artistikisht tempullin poetik,ku mbretëron shpirti i perëndishëm i poetit. Ndaj në sfondin e vargjeve të shpirtit, poeti Gjata nxjerr në pah jo vetëm cilësitë dhe vlerat e dheut, të baltës, por ngre lartë edhe vlerat e virtytet e myzeqarit :butësinë dhe brishtësinë e shpirtit të tij, urtësinë hyjnore, zemërbardhësinë, lidhjet e tij të përhershme me tokën:

”Me baltën time, s’bëra kufij, s’bëra një mur,

e mbolla me diell,e mbolla me ar, e bëra grurë,

e bëra bukë, për kë në jetë, ish i uritur,

e bëra zjarr, ku ngricë e ashpër, kishte zbritur,

e mblodha bashkë, gjithë këtë dhe’, kripë e bukë,

mbledhur nën vete, tulatur fshehur, nën një zhukë,

midis lumenjsh, rrjedhur ngadalë”

E mbrujtur me tharmin e dheut, poezia e poetit Gjata, shquhet për thellësinë e mendimit filozofik, për ide të veçanta fabulistike, dimensione të rralla metaforike, për ritmin melodik të vargut, në formë ujëvare, të cilat përcjellin tek lexuesi ngarkesa emocionale të fuqishme,sa malli, dashuria,pendesa dhe brenga janë në gravitet të përhershëm jo vetëm me njëri-tjetrin,por dhe me poetin. S’ka si të ndodhë ndryshe, kur vargjet ujëvarë rrjedhin nga kodrat e gjelbëruara të Myzeqesë, rrokullisen me zhurmë dhe ëmbëlsi në brinja e gryka, në fushat e grunjta, zgjojnë, dehin dhe tërbojnë, jo vetëm lumenjtë natyrorë dhe lumenjtë jetësorë që rrjedhin në tru e në gjak, por dhe ngazëllejnë përmallshëm valët e detit, për të cilat e vret malli dhe brenga poetin e mërguar në vise të huaja :

“Do na vrasë gjithmonë, malli për kët’ dhé, malli për kët’ valë,

malli për kët’ kripë, malli për kët’ bukë, malli për një fjalë,

…ku qumështin e pimë, drejt e në sisë, e thithëm si mjaltë,

me urim vetvetes, kurrë në dhé të huaj, shpirti mos na daltë…”

Për Myzeqenë e grurosur, për baltën që thahet e ndahet, shtyhet e ngjyhet, plasur e ngjasur, rreshkur e pjekur, tharë cingërueshëm, lëkurëargasur, për këtë baltë përzier me gjak, mpiksur nëpër rrjedha, ku stërgjyshja e poetit shkundte thërrime e thërrimet mbinin grurë, për gërshetat e gjyshes që s’është më (Baltë e Myzeqesë), poeti Gjata ligjëron me gjuhën e zemrës dhe qan me lotët e shpirtit. Dimensioni semantik i mallit e i dhimbjes dhe diskursi letrar formësuar nga faktorët estetikë, fonetikë, ritmikë, simbolikë, morfologjikë e sintaksor, vijojnë të shpërfaqen në një sfond origjinal piktoresk në aspektin viziv, por të mprehta e dramatike në aspektin kuptimor,duke përcjell tensione dhe dridhje të forta ndijore në hemisferat e trurit. Çdo varg mbart në bërthamë farën e mendim filozofik, e krejt natyrshëm një fjalë kthehet në moment delikat dhe shpreh një botë të tërë kuptimësish. Ja sa mrekullisht, shpirtërisht e ndjeshmërisht shprehet poeti në vargjet e poezisë “Dhe thur gërshetat”, Teksa lexon poezinë e poetit Gjata,padyshim që nuk mbetesh pa përjetuar emocione të fuqishme, të cilat përcillen natyrshëm nëpërmjet pjalmit poetik të fjalës, mbështjellë me “këmishën” e mëndafshtë të dashurisë njerëzore, që lidh mrekullisht shpirtrat në univers. Në romanin “Lumi i vdekur “,shkrimtari fierak Jakov Xoxa shkruan :”…ajo ishte puthja e parë …E puthjen e parë i riu as di ta japë,as di ta marrë, as di ta fsheh…” E njëjta gjë ndodh me heroin lirik në poezitë me motiv dashurie, që janë një arie poetike me vibrim zërash:/” E dehmë me zë të mallëngjyer, këndomë një këngë si asnjëherë,/këndomë e puthmë përqafuar, e lërmë të zhdukem nëpër erë”…/
E bukura kur arrin formën e saj të përsosur,ngjall tek çdo lexues një lloj ekzaltimi shpirtëror të ngjashëm me erosin. Pikërisht për ta provuar dhe riprovuar një ndjesi të tillë ekzaltuese, duhet të zhytesh në thellësitë e ëmbla, ku buron muza e pashtershme e qenësisë së vargut të këtij poeti .Vargu lirik i veshur me vellon e metaforave yjore dhe përfytyrimi artistik, shkon në mënyrë të natyrshme me rrjedhën e mendimit dhe dinamizmin e bukurisë femërore:/ “Mbështjellë mirazhit derdhur sysh, mbështjellë me paqe./nga buzë gufuar mbushur me gjak, që rrjedh ndër faqe”… Duhet theksuar se poezia e poetit Gjata, mbështet tek nevoja njerëzore, për të dhënë dhe për të marrë ngrohtësi e dashuri,mbështetet tek koncesionet e jetës dhe vdekjes. Soditja e shpirtit në vargje të tilla, ngjall jo vetëm emocione pozitive, por dhe kurative, sepse asnjë zemër njeriu s’mund të qëndrojë indiferent karshi vendlindjes. Në vargjet e mëposhtme, vënia përballë dy gjendjeve(të ngjall dhe të vret), përcjellë efekte të forta tek lexuesi dhe ndriçon e përforcon fuqishëm idenë e poezisë: “…edhe një urë në mos e bëfsha do bëj një vend,/ku mos harrosh se që nga linde, vendin tënd/
atë dymetërsh nën tokë, që na përket/atë copë dhe’ që të ngjall dhe të vret…”/
Dua të shprehem se është e lehtë të hysh në vargun e plazmuar mjeshtërisht të poetit Gjata,por e vështirë të dalësh,pa u përkundur në “djepin”e melodicitetit të vargut dhe njëkohësisht pa u tronditur nga germëzimi i dhimbshëm dhe i fuqishëm i mendimit filozofik, që të perndjek gjer në rrënjët e mendjes e të shpirtit. Këtë model të ligjërimit e hasim shumë shpesh në poezitë e tij, që kanë në bërthamë logjikën e mprehtë të trajtimit origjinal të realitetit dhe tematikave të larmishme:/”Si ika vallë, dreqi më marrtë,/si s’pashë akoma, virgjër të lartë,/kur dhe një ditë, më duket pak”/Brenda vargut të Fatmirit, lartësohet një artist, që e do të bukurën,të mirën,i tërhequr nga dëshira për të hyrë lehtësisht nëpërmjet transparencës së mendimit që lë pas pesha e fjalës poetike. Kjo aspiratë e ngritur thellësive të mureve të përgjakta të shpirtit, ndonjëherë i ngjall edhe frikë, gjersa gjunjëzohet para Zotit dhe dashurisë, duke u bërë kambanar i saj:/”… do jesh i vetëm gjithësisë, gjysmë në ëndërr gjysmë zgjuar”

Diskursi i bukurisë së dhimbjes njerëzore, si një çlirim i shpirtit prej ngarkesës së mallit për vendlindjen, për grimcat e dashurisë që artistikisht marrin përmasa hiperbolike e natyrshëm fitojnë epërsinë si figurë-simbol, kanë fituar konkretësi kohore e shpirtërore jo vetëm në këtë vëllim poetik, por dhe në vëllimet e tjera poetike të botuara më parë nga ky poet.”Mjelma nën dritën e hënës”,”Shi margaritarësh”,”Engjëjt e shuar”,”Për ty”,”Mbi kuaj ëndrrash”,”Valsi i tretë”dhe “Me dheun tim i dashuruar”,janë shtatë mrekullitë e tempullit poetik të ndertuara mjeshtërisht nga orakulli Gjata në “kërthizë të Myzeqesë”.