Suplementi Pena Shqiptare/ Suplementi Pena Shqiptare/ Klaudia Kallollari: Pasqyrimi i shpirtit nëpërmjet fotografisë

Ermira Babamusta

Klaudia Kallollari që në moshë të vogël ka qenë e pasionuar pas vizatimit, veçanërisht ndaj dizenjimit të veshjeve, fashion designer e më vonë edhe ndaj fushës së fotografisë. Fotografon natyrën dhe landscape të vendeve që frekuenton, portrete, foto të jetës së përditshme, por ka dhe një dëshirë të madhe ndaj fotografive "Fashion", e cila e mundëson të lidh bashkë dy pasionet e saj më të mëdha: fotografisë dhe dizajnit. Klaudia Kallollari, ka lindur në 16.12.1990 në qytetin e Fierit, në të cilën ka kaluar dhe fëmijërinë e saj dhe ka frekuentuar shkollën 8-vjeçare "Naim Frashëri". Në moshën 15 vjeçare u transferua me familjen në qytetin e Tiranës, ku ka kryer gjimnazin të shkolla e mesme e përgjithshme "Arben Broci". Në vitin 2014 Klaudia ka përfunduar studimet në Master Shkencor "Kimi Industriale Mjedisore" dhe prej afërsisht 1 viti punon si inxhiniere kimiste dhe mjedisi. Sapo kam ndjekur një kurs 3 mujor për fotografinë në studio dhe terren të organizuar nga Agjencia "Grace Models Albania", me leksione nga fotografi i njohur z. Artan Korenica. 

Na tregoni pak për veten tuaj, fëmijërinë dhe fillimet në profesionin tuaj si fotografe?
Quhem Klaudia Kallollari, jam 26 vjeçe dhe kam lindur në qytetin e Fierit, ku dhe kam kaluar fëmijërinë time,e cila ka qenë një fëmijëri e thjeshtë, e mbushur me momente të lumtura e kujtime të bukura, midis tyre do veçoja lojërat me moshatarët e mi. Në moshën 15 vjeçare jam zhvendosur me familjen në qytetin e Tiranës, ku dhe kam përfunduar gjimnazin e më pas kam ndjekur studimet në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës. Fotografia për mua ka qenë një ndër pasionet e hershme, i cili ka ardhur duke u rritur,veçanërisht pas moshës 18 vjeçare.

Me çfarë projekti po merreni tani?
Aktualisht më së shumti jam përqendruar në punën si inxhiniere kimiste dhe mjedisi për të cilën kam mbaruar studimet, por pa lënë pas dore pasionin për fotografinë, pasi në muajin gusht sapo përfundova një kurs fotografie, të organizuar nga agjencia “Grace Models Albania”, me leksione nga fotografi i njohur z. Artan Korenica.

Çfarë do të thotë arti dhe fotografia për ju?
Arti për mua është pasion,të cilin unë e kam shprehur në forma të ndryshme si: pikturë, fashion designer dhe fotografisë. Por fotografia përfaqëson formën më të gjallë të të shprehurit të këtij pasioni, e të të shfaqurit të përjetimeve dhe të botës së brendshme të secilit prej nesh. Një fotografi “flet”, “na rrëfen”, ndaj mjafton ta dish ta dëgjosh e ta kuptosh.

Me çfarë lloj fotografie merreni?
Përgjithësisht pak nga të gjitha: portrait, landscape ose natyre (një gjini shumë e dashur për mua), fotografimi i kafshëve, ku si protagoniste kësaj lloj fotografie është macja ime Aria, si dhe fotografimi i jetës së përditshme, pra ‘street photography’.

Çfarë ju jep frymëzim në punën tuaj?
Dëshira për të kapur momentin dhe për ta transmetuar te shikuesi. Përgjithësisht preferoj që fotot e mija të kenë ngjyra, gjallëri, të transmetojnë jetë, por jam dhe një adhuruese e fotografisë Bardh e Zi, pasi e shoh si një pasqyrim të shpirtit.

Me cilin projekt tuajin krenoheni më shumë?
Deri tani më së shumti kam fotografuar portrete, natyrë ose landscape si dhe jetën e përditshme, kam kapur momentin e duhur në çastin e duhur. Por për më tej kam dëshirë të merrem edhe me fotografi me tematikë Fashion ose Beauty, fushë që lidhet ngushtë dhe me pasionin tim për pikturën dhe fashion designer.

A planifikoni ndonjë galeri show në të ardhme dhe nëse po cilat galeri /tema keni organizuar më përpara?
Momentalisht jam duke planifikuar të ndjekë studime të mëtejshme rreth fotografisë e artit, ndoshta në të ardhmen kam dëshirë të organizojë një galeri show, ku ndër tematikat më interesante për mua është pasqyrimi i jetës së femrës shqiptare, të moshave dhe kategorive sociale të ndryshme.

Përveç fotografisë, me çka tjetër merreni, keni pasione të tjera?
Momentalisht punoj si inxhiniere mjedisi dhe kimiste, ndërkohë që ndjek dhe pasionet e tjera të mia si: piktura, muzika ku do veçoja rock-un klasik, leximi i librave, ecja në natyrë, kangoo jump etj.

Çfarë doni të komunikoni me artin tuaj te publiku?
Nëpërmjet artit dëshiroj të komunikoj botën e brendshme si të timen si fotografe, por veçanërisht të personit të cilit jam duke fotografuar.

Çfarë e veçon artin tënd nga të tjerët?
Mendoj se të gjithë artistët i veçon nga njeri tjetri pasioni me të cilin i ofrohen publikut. Pasioni ndaj fotografisë është e përbashkëta midis nesh, por secili e ngjyros në formën e vet, ndaj kjo gjë na bën të jemi, sa të ngjashëm, aq edhe unikë.

Cilat projekte do konsideronit të suksesshme?
Si suksesin tim më të fundit konsideroj përfundimin e kursit për fotografinë ku kam marrë një informacion më të detajuar e shumë të vlefshëm për hapat e mëtejshme që dëshiroj të ndërmarr në këtë fushë. Një sukses tjetër i madh për mua është dhe përfundimi me sukses i studimeve në Master Shkencor për Inxhiniere Kimiste, të cilin e ushtroj edhe si profesion.

Cilat janë planet e tuaja për 2017 dhe synimet më tej në të ardhmen?
Sapo kam përfunduar kursin e fotografisë, ndaj nuk kam planifikuar diçka të mëtejshme në fushën e fotografisë, sepse ka pak kohë që i jam dedikuar profesionit si inxhiniere. Por gjithmonë, pa lënë pas dore fotografinë.