Sigal

Tregim nga Spiro Mëhilli

Oh, i lumtur është ai që asnjëherë nuk shkoi

Përtej kufijve të vendit të tij të mirë.

“Robi i Kaukazit” Pushkin

 

            Mehmeti, Met i thërrisnin shkurt, si mbaroi të mesmen, la Kavajën, qytetin e lindjes dhe shkoi në Romë, për të vazhduar studimet e larta dhe përfundoi në Universitetin “SAPIENZA”. Me sakrifica arriti të mbaronte Fakultetin e Mjekësisë, e më tej, në sajë të rezultateve të mira në studime, iu përkushtua kirurgjisë, që e kishte me pasion. Një vit më vonë, ai iu bashkëngjit një grupi shëndetësor, në atë që quhej: “Mjekë pa kufi” dhe e mbajti frymën në Mosul, qytet që i nënshtrohej bombardimeve ajrore e tokësore. E pati të vështirë të përfytyronte se si kishte qenë qyteti para disa muajsh, me rrugë të gjëra, me ndërtesa të larta, me gjelbërim e me gjallëri, ndërsa tani, në mjerim të plotë, në varfëri. Rrugëve të qytetit kalonte vetëm vdekja, që me kosë në dorë priste koka e gjymtyrë njerëzish të rritur, të moshuar e fëmijësh, të të gjitha moshave. Spitali që mbante emrin “Don Njaci”, do të shndërrohej në strehë shprese për viktimat që ulërinin nga dhimbjet. Rastet më të vështira, ishin ato ku punonte Mehmet K. Aty, përplaseshin të gjitha llojet e plagëve. Midis tyre binin në sy njerëz me pjesë të këputura të duarve apo të këmbëve, njerëz me plagë në gjoks ose në kokë, gra që ulërinin me fëmijët e plagosur në duar, e të moshuar, që i sillnin me barela ose i tërhiqnin zvarrë. Ulërima, klithje, lemeri. Kirurgët, me doreza e bluza të përgjakura, bënin punën e tyre. Në atë katrahurë, goditjet e artilerisë ndalonin papritur për t’ia lënë vendin vërshimit të grupeve ISIS, që bënin kërdinë mbi qytetin e pafajshëm.

Kohët e fundit, rreth spitalit, shfaqej një vajzë veshur me të zeza e fytyrëmbuluar. Megjithatë, dalloheshin tiparet e një femre të bukur, që Mehmeti i vuri emrin Çeçenia. Ajo filloi ta tërhiqte si me magnet. Xhanluka, shok i Mehmetit, duke parë interesimin e tij, e paralajmëroi:

– Meti, kujdes!

– Ç’t’i bësh! Më pëlqen.

– Jemi në luftë e mund të biesh viktimë e ndonjë kurthi të ngritur.

Dhe ajo ndodhi. Mehmeti, një ditë, u largua nga territori i spitalit në drejtim të qytetit. Kudo, shikonte ndërtesa të shkatërruara, pothuaj të rrafshuara me tokën, makina të djegura, orendi shtëpiake, rroba të grisura ose të djegura, të hedhura poshtë e përpjetë, bile dhe trupa të djegur dhe aty-këtu, gjymtyrë të këputur. Në hyrje të një ndërtese të rrënuar, përpara i doli ajo, Çeçenia. Tani ishte fytyrë zbuluar. E zeshkët, me flokë të zinj e të drejtë, ballë të lartë, vetulla të zeza e të holla që i lakoheshin mbi orbita, sy të zinj e qerpikë të gjatë, të kthyer përpjetë mbi qepallat e sipërme. Hunda e drejtë, buza e sipërme e ngritur paksa, kurse buza e poshtme, e mbushur e mishtore. Ai, shtangu për një moment, e më pas, megjithëse me ndrojtje, shkoi drejt saj. Ajo i buzëqeshi. Dhëmbët e bardhë si inxhi, shkëlqenin nga pështyma që i kishte lagur, dhe si u kthye, mori rrugën nëpër një korridor të rrënuar. Ai, instinktivisht e ndoqi. Donte ta arrinte e ta ndalonte, por, ajo, i zhdukej sa hapje e mbyllje sytë nëpër labirintet e asaj pjese të ndërtesës që kishte mbetur në këmbë. Papritur ajo ndaloi. Ai, tani, ndodhej pranë saj. Ajo me një anglishte të pastër, i tha:

– Eja! Pritet të fillojë bombardimi i qytetit.

– Nga e di ti…?

– Eh! Eja, mos humb kohë. Ndonjë predhë mund të bjerë mbi ne.

Ai e ndoqi. Ajo u fut në një dhomë, ngriti një masë katrore betoni dhe nën të, u hap një kalim i nëndheshëm.

– Eja!

– Nuk mundem.

Papritur, diku shpërtheu një predhë. Të dy u shtrinë përtokë. Pas pak, shpërtheu një predhë e dytë, fare pranë tyre dhe shembi murin e rrënojës së një ndërtese që kish mbetur akoma në këmbë. Pluhuri mbuloi mjedisin përreth. Ai u tremb dhe instinktivisht e ndoqi nga pas. Zbritën një palë shkallë. Mehmeti e pa veten në errësirë. “Eja, eja!”, dëgjoi. Vazhdoi të ecte pa e ditur se ku. Më në fund, përfunduan në një dhomë. Dy duar të fuqishme e mbërthyen. I lidhën sytë me një copë të zezë dhe e urdhëruan që t’i ndiqte nga pas, duke e mbajtur nga krahët që mos të pengohej e të rrëzohej. Pas pak, e hipën në një makinë dhe u nisën në drejtim të paditur. Gjëmimet e topave vazhdonin. Makina lëviznin me shpejtësi në rrugët e shkatërruara. Mehmeti mendoj se duhej të ishin autoambulanca që shkonin drejt spitalit “Don Njaci”. Kaloi pothuaj një orë. Ndodheshin në periferi të qytetit, në zonën që ISIS e kishte të tyren. Kur i zgjidhën sytë, ishte errësuar. Veten e pa në një vend me pisha e bredha. Diku, një burim uji gurgullonte. Në qiellin e kthjellët, shndrisnin hëna dhe yjet. E lidhën pas një peme. Nata ishte e vakët, me vesë, e ëmbël, sikundër janë netët në pranverë. Tek ai shkoi Çeçenia. Ajo, në duar mbante një poçe me ujë.

– Pi!- i tha, me një zë të ëmbël.

Ai e vështroi dhe me lëvizje të kokës dhe të syve i tregoi se i kishte duart e lidhura. Atëherë, ajo, grykën e poçes ia afroi te buzët. Ai piu me etje ujin e freskët. I lidhur pas trungut të pemës qëndroi dy ditë. Në prani të dy meshkujve, atë e zgjidhnin për të ngrënë ose për nevoja personale. Çeçenia i dilte para syve herë pas here. Natën e tretë, ajo shkoi pranë burimit, hodhi disa grushte ujë fytyrës e gjoksit dhe filloi të zhvishej. Në fillim hoqi fustanin, e më pas sytjenat. Mehmeti u mrekullua nga trupi i saj ngjyrë kafeje të thekur nga dielli, nga qafa e gjatë si e një mjellme, nga dy gjysmërruzujt e fryrë të gjoksit, e më tej, nga trupi i saj lakuriq, sikur të kishte dalë nga banjua, ku dallohej bindshëm trekëndëshi çuditërisht i kuqërremtë. Atë e përshkuan të rrëqethura në trup. Ajo u afrua pranë tij, e zgjidhi, u ul në gjunjë dhe i tha:

– Mehmet, jam e jotja!

Ai, u ndez, por, u befasua kur ajo i thirri në emër.

– Ku e di ti që unë …?

– Pusho!

Ai, e mbërtheu me duart e tij. Ajo u përpoq të tërhiqej, por ai me shpejtësi,e puthi në këndin e buzëve, në mënyrë natyrale që ajo u ndje më se e kënaqur. Më pas, ia ngriti kokën, e afroi pranë vetes, duke e shtrënguar me dashuri. Ishin moment vendimtare. Ajo, perëndoi sytë e zinj, sa që ai tani nuk mund t’ia shikonte, por nga ana tjetër, ndjeu ngrohtësinë e trupit të saj, një ngrohtësi të çuditshme, që nuk e kish provuar më parë. Ajo u lëshua e tëra. Këmbët e vogla dhe delikate, u varën dhe u hapën. Puthjet ishin të nxehta, të egra, të zjarrta. Ajo ishte dorëzuar. Në një moment, Mehmeti ndjeu sikur toka u drodh, u lëkund. Tërmet? Jo. Ajo ishte orgazma e Çeçenes, e cila, më pas, u lëshua e këputur në duart e tij. Ai mendoi se mos ajo kishte pësuar, larg qoftë, ndonjë infarkt. Por jo. Dëshmitarë ishte hëna dhe yjet që shndrisnin lart. Freskia e natës ledhatonte trupat e tyre.

– Ah, Met, Met!

O Zot, kjo din sesi më thërrasin shokët e sidomos Xhanluka. Ç’po ndodh kështu?”

Çeçenia u çua, u vesh, e puthi dhe u largua pa i thënë një fjalë. Ajo vajzë e futi në mendime. E kishte lënë të lirë, po ku të ikte, nga të shkonte. Të nesërmen, nuk u bë i gjallë asnjeri, përveç asaj që erdhi me një çantë të mbushur me ushqime.

– Ti?

– Po. Të gjithë kanë ikur me mision. Jemi vetëm.

– Bukuroshe, që edhe emrin nuk ta di, pse më more mendtë e kokës, pse u lidhe me mua?

– Mehmet, ti je mysliman. Kemi të dhëna që je shqiptar nga qyteti i Kavajës. Kemi nevojë për ty, për më tepër që je kirurg. Në grupin tonë, kemi shumë shqiptarë nga Shqipëria, nga Kosova, nga Maqedonia dhe nga Bosnja. Ti duhet të bëhesh anëtar i ISIS-it.

– Më mirë më vrit. Ja ku më ke. Atë nuk e bëj.

– Kanë marrë vendim të tjerët. Unë, …ti e kupton!

– E kam të qartë, por të lutem më ndihmo të largohem. Zëre se u arratisa.

– Nuk është në dorën time.

– Të bëj një pyetje?

– Me kënaqësi.

– Nga je?

– Nga Grozni.

– Si të quajnë?

– Melek.

– Çfarë do në Mosul?

– Jam instruktuar për këtë detyrë që po bëj. Ne kemi bazën tonë të stërvitjes në Uzbekistan. Luftojmë për një qëllim të shenjtë.

– Cili është qëllimi juaj i shenjtë?

– Të sjellim drejtësi në këtë tokë. E kupton që nuk jemi vetëm? Jo nga vendet myslimane, por edhe nga Evropa e nga Amerika, vijnë vullnetarë të luftojnë për qëllimin tonë të shenjtë.

Zot, më ruaj mendtë e kokës”, – tha me vete Mehmeti.

Si kaluan disa orë bashkë, ajo e bindur në besnikërinë e tij, u largua. Mehmeti, duke përfituar nga rasti, u largua, pa ditur nga të shkonte. “Të dalë, ku të dalë”.- tha me vete dhe çau përpara. Diku, dëgjohej ndonjë e shtënë e rrallë topi ose krisma e ndonjë automatiku. U err! U shtri në gërmadhat e një ndërtesë të shkatërruar. Gjumi nuk e zuri. Pati frikë nga e panjohura. E përmendi cicërima e një zogu. Në rrugët e boshatisura, shikoi njerëz të rrallë, që më shumë çalonin sesa ecnin. U çua dhe filloi të ecte. Kaluan disa orë që vinte vërdallë nëpër rrugët e qytetit gërmadhë. Nga larg, dalloi konturet e spitalit. “Shpëtova!”- tha dhe ia dha vrapit. Nga pas e ndiqte kujtimi i Çeçenes. Arriti në spital. Të parin që takoi, ishte Xhanluka.

– Ku humbe?

– Mos më pyet. Fjalosemi më pas.

– Te Çeçenia?

– Po!

– Po si…?

Çuditërisht, jo larg spitalit, u shfaq silueta e Çeçenes. Duket që e kishte ndjekur nga pas. Ajo bërtiste, “Mehmet, Mehmet!”

Papritur, një e shtënë e thatë, u dëgjua dhe ajo u rrëzua përtokë. Plumbi e kishte marrë nga prapa drejt e në zemër. E kishte qëlluar një nga shokët, për tradhtinë ndaj kauzës së tyre.

Mehmeti bërtiti me sa fuqi që kishte “Melek, Melek, Melek…!” dhe u lëshua përpara. Xhanluka u mundua ta ndalte, por e pati të pamundur. Ai shkoi pranë saj dhe sapo e merrte në krahët e tij, një e qëlluar e dytë u dëgjua. Ai ra mbi Çeçenen, në tokën e përgjakur të Mosulit.

Tiranë, 2018.