Sigal

Tregim nga Spiro Mëhilli

Kristi dhe Briseda punonin në të njëjtën ndërmarrje. Pothuaj çdo mëngjes dhe pas mbarimit të punës shiheshin te dera kryesore. Midis tyre shpërtheu një shkëndijë, shfaqja e parë e një ndjenje të fortë, e një zjarri të brendshëm që quhet dashuri. Ajo filloi nga sytë. Shikimi i tyre zgjatej, ëmbëlsohej dhe çoi në afrimin e tyre. Sytë, si pa u kuptuar, ia lanë vendin fjalëve “mirëmëngjesi”, “ditën e mirë” apo “mirupafshim”. Një ditë, në të dalë, Kristi i tha:

– Briseda, takohemi në darkë të pimë një kafe!

Ajo në fillim u skuq, sepse nuk e mendoi që ato shikime dhe këmbime fjalësh do të çonin në një takim, por, e zënë ngushtë, miratoi me lëvizje të kokës, që do të thoshte “Nuk kam kundërshtim”. – Të pres te kullat binjake në orën shtatë.

– Mirë, – tha ajo me gjysmë zëri. Kristi shkoi në takim gjysmë ore më shpejt dhe priste me padurim. Përballë, andej nga Piramida, u shfaq silueta e saj. Ajo kaloi rrugën e gjerë, i dha dorën Kristit dhe u futën në ndërtesën e xhamtë. U ngjitën në katin e dytë me shkallët lëvizëse. Si u ulën në vendin që iu duk më i përshtatshëm, ai tha:

– Çfarë do të marrësh?

– Ç’të duash…

– Jo! fol.

– Lëng portokalli.

– Kamerier, dy lëng portokalli. As vet nuk e kuptuan sesa shpejt kaluan mbi dy orë. – Çohemi! – Si të duash. Përbri njeri-tjetrit morën të përpjetën, andej nga Liqeni Artificial. Kur u ndodhën në një vend me akacie, ai e ndaloi dhe i tha:

– Briseda e kam menduar gjatë. Të dua. Dëshiroj të bëhesh gruaja ime.

– Si…?

– Ja kështu! Ai e tërhoqi nga vetja dhe e puthi. Ishte hapi i dytë, pas të parit, shikimit. Ajo iu dorëzua kërkesave të tij jo me një puthje, por me disa të tilla, që pjesa më e madhe e tyre zgjati sa u merrte frymën. Ajo e kishte të qartë se çfarë mund të ndodhte po të qëndronin më gjatë në atë vend, prandaj i tha:

– Kristi, të lutem ikim. Është vonë. Takimet vazhduan. Ajo ndihej e lumtur. I shkëlqenin sytë, u bë më e gjallë se më parë, hidhej sikur thuhet, sa nga njëra degë në tjetrën. Ndryshimi ishte i madh. E ëma një ditë i tha:

– Briseda, bija e nënës, ti ke ndryshuar.

– Jam e dashuruar, – iu përgjigj ajo pa e fshehur atë që kishte ndodhur midis saj dhe Kristit. – Me kë? – Me një djalë që punojmë në të njëjtën ndërmarrje.

– Si quhet?

– Kristi! E ëma nuk e zgjati. Në darkë i tha të shoqit. Ai qëndroi indiferent pa thënë as po, as jo. Të nesërmen u interesua dhe mori vesh, që një dajë i djalit në të shkuarën kishte qenë nacionalist. Aq u desh. Në shtëpi filluan presionet ndaj vajzës. Sipas tij ajo duhej ta linte. Briseda nuk dinte nga t’ia mbante. Ajo jo vetëm që e donte Kristin, por për bela atë e kishte pickuar gjarpri. Ai i kishte hyrë asaj nën shalë dhe i kishte hedhur disa pika helm, jo helm vdekjeprurës, por helm të ëmbël, helm jetëdhënës dhe për pasojë kishte mbetur shtatzënë. Daja i Kristit i përkiste të shkuarës. Kishte ardhur koha që të hiqej dorë nga lufta e klasave. Javët kalonin dhe barku i Brisedës filloi të rritej e të kërcente mbi atë që quhet Simfiza Pubike. Në shtëpi çdo natë grindje e vetëm grindje. Ajo që javët e para kishte këmbëngulur që frytin e bekuar nga Zoti do ta mbante e di t’i jepte jetë. Para një situate të tillë, “zoti Ruzhdi”, i ati i saj, u thye dhe e pranoi dhëndrin t’i shkonte në shtëpi. Gjendja u kthye në normalitet. Briseda kishte hyrë në muajin e shtatë. U pre dita e dasmës dhe filluan përgatitjet. Erdhi e shtuna e shumëpritur. Sipas zakonit, në familjen e nuses u shtrua darka e parë, ajo e ndarjes nga prindërit. Të pira, të ngrëna, muzikë, kërcime. Briseda veshur me fustan të bardhë priste shokun e jetës. Mbrëmjen e zbukuroi ardhja e tij me njerëzit e afërm, plot 15 veta. Zoti Ruzhdi i numëroi ata me kujdes, pasi po aq duhet të shkonin të nesërmen mbrëma në dasmën që do të shtronte dhëndri. Krushqit qëndruan rreth një orë, u përshëndetën dhe u larguan. Darka vazhdoi deri në një të natës. Të nesërmen, në shtëpinë e dhëndrit vazhdonte ahengu. Po afronte ora dymbëdhjetë. Kristi veshur e ngjeshur, shoqëruar nga e kunata, zbriti shkallët dhe u fut në makinë, një Benz që priste poshtë ndërtesës. Pas disa minutash vetura qëndroi para shtëpisë së nuses. Asnjë nuk doli të priste dhëndrin sipas zakonit. Ç’kishte ndodhur? Në ora njëmbëdhjetë, Brisedës i kishin filluar kontraksionet, dukuri që normalisht nuk priteshin. Ndoshta nga të kërcyerit e një nate më parë apo për arsye fiziologjike zor të thuash. Në atë situatë familjarët ishin të detyruar ta çonin në maternitet. Pas njëzet minutash ajo lindi, lindi djalë nën peshë. Më në fund, te pragu i derës u duk halla e Brisedës. Kristi i shqetësuar për këtë pritje të ftohtë, me vështirësi arriti të pyeste:

– Ku është Briseda?

– Krist, të të rrojë djali, me jetë të gjatë.

– Çfarë? Si! Pse?…

– Para një ore e çuam në maternitet.

– Pse nuk lajmëruat? – Eh, e humbëm. Kristi u kthye në shtëpi duar bosh por i lumturuar pasi ishte bërë me djalë. Dasma u bë pa praninë e nuses për të mos prishur zakonin