Suplementi Pena Shqiptare/ Sjefulla Malëshova ( Lame Kodra) : Shtrëngata

103

Dëgjoni, dëgjoni,
Nga deti shikoni
Si shfryn e tërbohet,
Si vjen e zgjerohet
Në qiell, në dhé –
Kaluar mi ré,
Të zeza si nata,
Shtrëngata.

Nga zalli po ngrihet
Si mal, e përzihet
Me breshër, me shi,
Një pluhur i zi.
Dhe rrotull në det,
Në fshat e qytet
Përhapet rrëmuja
Dhe kuja.

Kush pyet për djalin,
Për lopën a kalin
Një plakë qyqare
Kërkon një manare
Një nuse shikon,
Mos duket përgjon
Në detin e largë,
Një barkë.

Po qielli dhe deti,
Të dy si tërmeti,
Dhe shpesët i ndjek,
Dhe barkat përpjek,
Dhe pemët rrëzon,
Dhe arat shkreton,
Dhe bie mandata –
Shtrëngata.