Suplementi Pena Shqiptare/ Shtëpitë e shpirtit

764
SPIRO VASIL MËHILLI
Nëntëmbëdhjetë qershor i vitit 1938. Pesë vetura Benz, njëra prej të cilave kishte përfaqësuar Shqipërinë në rrethin ballkanik, në ora 3 e 15 minuta, lënë shtëpinë pranë Tenis Klubit Mbretëror, në Tiranë dhe u nisën drejt qytetit të Durrësit. Gjysmë ore më vonë, ata qëndruan në hyrje të lagjes Stan. Im atë shkoi të merrte “Bukuroshen e Durrësit”. Ai u shoqërua nga të afërm dhe një grup shokësh, midis të cilëve, shkrimtarë e reporterë të kohës. Në orën 4 e 40 minuta, dasmorët morën rrugën e kthimit. Pas një udhëtimi të këndshëm, hynë në Tiranë nën zhurmën shurdhuese të borive, bënë një shëtitje në rrugën “Vittorio Emanuele” *(*- Rruga e Durrësit), në rrugën e Dibrës, në Bulevardin “Mussolini * (*- Rruga e Kavajës) dhe së fundi, u drejtuan për në shtëpi, ku prisnin të ftuar të shumtë. Në darkë u bë ceremonia martesore në kishën e Ungjillëzimit. Pas një viti, dashuria e tyre u kurorëzua me lindjen time, e cila u shoqërua me pagëzimin po në atë tempull, duke më vënë emrin e shenjtit, që i takonte ditës së 12 dhjetorit, Shën Spiridhonit. Akoma pa mbushur 5 vjeç, erdhi “dita e Çlirimit” nga pushtuesit e huaj. U fol se u zbuluan armë në altarin e katedrales “Zemra e Krishtit”, në kishën Françeskane në Shkodër dhe se u arrestua një grup priftërinjsh katolikë. Duhej të kalonin vite që të kuptoja se shteti i trembej ideologjisë fetare, prandaj dhe shfrynte duke e cilësuar Vatikanin armikun tonë. Në atë kohë, nga gjyqet që u zhvilluan dhe sesi iu paraqitën popullit të varfër e të vuajtur, të linte përshtypjen sikur gjithçka ishte e drejtë. Kur isha 7 vjeç, me tim atë shkuam në qytetin e Pogradecit për të marrë pajën e nuses së xhaxhait tim të mesëm, Andreas. Për disa ditë u mbajta “peng” në atë qytet të vogël, por të bukur, buzë liqenit të Ohrit. Një javë më vonë, më 1 shtator, si krushkë erdhi nëna ime. Fustani i bardhë që solli me vete, hijeshoi nusen e re. Në të dalë të qytetit ndodhi çudia. Makina, një veturë “Fiat Millecento” u sekuestrua. Kishte dalë vendimi për “konfiskimin e mjeteve të komunikacionit”. Njerëzit e pushtetit nuk u thyen përpara lutjeve të dhëndrit. U kthyem në këmbë në qytet, ku nuk na priste njeri. Me lutje, me të vetmin autobus, një “Fiat Trentaquatro” i shoqërisë SATA-Societa Anonima di Transporto Albanese-* (*- Shoqëri anonime e transportit shqiptar), nga bujaria e udhëtarëve, u liruan dy vende për dhëndrin e nusen. Mëmës sime i dhanë një stol për t’u ulur, kurse unë u sistemova pranë derës, te shoferi. Arritëm pothuaj në të ngrysur. Dasmorët prisnin të shqetësuar, pasi dhe linja telefonike nuk punonte. Një pajton i siguruar me vështirësi, na çoi në shtëpi. Vonë, pas darkës martesore, u krye riti martesor në mjediset e shtëpisë dhe jo sikundër e kërkonte tradita, në kishë, pasi xhaxhai ishte komunist. Atë natë ndodhi një dukuri e papëlqyeshme. Kur prifti psallte dhe vinte vërdallë çiftit, nuses së xhaxhait i mori flakë kurora. Në dasmë kishte ardhur halla me të shoqin dhe me një vajzë të sapolindur, jo më shumë se dy apo tre javëshe. Fatkeqësisht, ajo vdiq. Ata uruan prindërit dhe vëllain, që sapo kishte vënë kurorë, kërkuan që festa mos të prishej dhe u larguan për në Durrës. Përsëri martesë. Ishte viti 1948. Më 18 janar, së bashku me xhaxhain e vogël, Vangjelin, ku unë përfaqësoja krushkun, u nisëm për të marrë nusen, që na priste me veshje të zakonshme. Në shtëpinë tone, pa të ftuar, u shtrua një darkë e zakonshme. Pa kuptuar, feja filloi të mënjanohej, të anashkalohej dhe të përbuzej. Fillimisht burrat e besimit ortodoks, ku futej dhe im atë, shtuan presionin ndaj grave të mos pranonin priftërinjtë të sillnin kalendarë fetarë. Ikonat filluan të hiqeshin nga muret e dhomave dhe u futën nëpër baule. Klerikët e të gjithë besimeve, filluan të quheshin njerëz të lidhur me armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm të vendit, njerëz që donin të çorodisnin mendjen e të rinjve. Shteti ishte “kërcënuar”, ishte “rrezikuar”, prandaj ata duheshin arrestuar, burgosur, internuar apo pushkatuar. Megjithatë kultet fetare qëndronin më këmbë. Në vitet 1959-1961, pata fatin të shkoja për studime në ish-Bashkimin Sovjetik, në qytetin e Leningradit, tani Sank-Petërburg. U çudita kur dëgjova dhe më tej, pashë, që shumë katedrale e kisha ishin rrafshuar ose kishin ndryshuar destinacion. Në mesin e vitit 1961, u shuan ëndrrat e mia si student. Hrushovi doli “armik”. U ktheva për të vazhduar studimet në vendin tim. Tronditjen e parë në drejtim të fesë e përjetova Natën e Pashkëve të vitit 1963, kur Epitafi dhe Kuvukuli* (*- Epitafi është një batanije mëndafshi në ngjyrë të verdhë, me madhësi të ndryshme. Në mes të saj është qëndisur ose derdhur në ar, në madhësi reale, trupi i Jezu Krishtit. Batania shtrihet mbi atë që quhet kuvukul, i cili, në procesion, i zbukuruar sipas traditës ortodokse, nxirret nga kisha ose katedralja dhe shëtitet rreth tyre) me trupin e Jezu Krishtit u nxor nga kisha Vangjelizmoit (Ungjillëzimit), që ndodhej në qendër të Tiranës dhe u shëtit përreth tempullit, të bënte atë që quhej “Udha e Kryqit”. Papritur, në errësirën e natës, u lëshua një breshëri gurësh nga një grup të rinjsh, që pas këtij akti të shëmtuar, u larguan pa i hyrë gjemb në këmbë. Gjithçka po projektohej për të goditur fenë. Si mbarova fakultetin e mjekësisë, në vitin 1966, u emërova mjek në qytetin e Kavajës, ku bashkëjetonin, si kudo në vendin tone, njerëzit e të dy besimeve, myslimane e ortodokse. Gjatë viteve që qëndrova në atë qytet, në saj të profesionit, u miqësova me shumë të rinj e të moshuar, të krishterë e muhamedanë. Do të qëndroj te këta të dytët. Zakonisht, kur ata merrnin rrogën, të ashtuquajturin pesëmbëdhjetëditësh, vinin nëpër klube apo restorante, e pinin ndonjë gotë raki shoqëruar me mezera, si dhe duhan, që nuk e hiqnin nga buzët. Kur vinin ditët e agjërimit, ata zhdukeshin. Shumë prej tyre, ku kishte dhe anëtarë partie, i ngacmoja, gjithmonë me respekt dhe ata më përgjigjeshin “Doktor, ne nuk besojmë, por respektojmë prindërit”, e pra në shtëpitë e tyre festohej Bajrami. Ose në ditët e agjërimit rezervistët ngriheshin në stërvitje dhe nuk kishin fuqi të rezistonin, pasi nuk hanin dhe nuk pinin. Nuk kishte më turp për shtetin. Sado që u përpoqën, besimin e shqiptarëve ndaj Zotit, ata nuk mundën ta largonin. Dhe këtë e vërtetoi më së miri ardhja e demokracisë, që u shoqërua me hapjen e kulteve fetare dhe vërshimin e besimtarëve drejt tyre. Do të vinte shtatori i vitit 1967, që u shoqërua, jo vetëm me luftë të hapur ndaj besimit fetar, por dhe me prishjen masive të kulteve fetare. Çuditërisht, kjo batërdi përkoi me 50 vjetorin e Grushtit të Shtetit, ose të ashtuquajturin Revolucion Socialist të Tetorit dhe me Revolucionin Kulturor Kinez e që do vazhdonte deri në vitin 1990.


Sigal