Sigal

Me synimet më të këqija

E përditshmja italiane e quajti librin “Me synimet më të këqija”, një roman të rrezikshëm. “Që në titull,- shkroi La Repubblica,- ky libër i guximshëm shpalos frymën e zjarrtë luftarake dhe ikonoklastike që e përshkon atë”. Danieli është trashëgimtari tridhjetetrevjeçar i pasurive të familjes Sonnino, e cila është një familje e pasur hebreje-italiane që provoi shkëlqimin dhe rrënimin përgjatë viteve të fundit të Luftës së Dytë Botërore dhe fillimshekullit XXI, çka na dhuron sfondin e larmishëm të kësaj tragjikomedie të spikatur. Danieli ka trashëguar pasionet ekstravagante të gjyshit dhe servilizmin e babait, si dhe mënyrën e tepruar të sjelljes së klasës së tij shoqërore. Ai është gjithashtu viktimë e një përuljeje të zymtë ndaj Gajës, burim i fantazive të tij erotike.

Ky roman është i krahasueshëm me veprat e Philip Roth-it dhe Saul Bellow-t. Një sagë e guximshme dhe e larmishme për ritualin dhe lirinë, dashurinë dhe luftën, seksin dhe tradhtinë, e vendosur në lagjet e pasura të Romës bashkëkohore.

… Dhe ku i dihet, ndoshta një fluks i tillë cinizmi, me të cilin hera-herës asgjësonin pasionet e njëri-tjetrit, s’ishte veçse një mënyrë për ta shtyrë për më vonë atë bisedë të rëndë që – në gjysmë shekulli martesë, të karakterizuar nga tradhtia e ndërsjellë bashkëshortore dhe paratë e shpenzuara pa kursim – s’kishin pasur guxim ta hapnin. Duke ndaluar gjithfarë aludimesh, sipari binte mbi atë dramë të madhe që po ndodhte ende pa u vënë në skenë, sikur e tërë bota të ishte narkotizuar nga eliziri i pudrës dhe kolonjës me aromë limoni jeshil me të cilin Bepi, pas dusheve të mëngjesit, spërkaste pa kursim baqthin; madje edhe frika që fshihej pas Të Paparashikueshmes ishte dëbuar nga ajo familje absurde, ku përjashtim bënin vetëm disa devijime rituale: ankthet që e trazonin Bepin në mes të natës, në pritje të telefonatës së një zyrtari publik që ta njoftonte për një aksident automobilistik ku njëri nga bijtë kishte humbur jetën, lajm që befas do ta shndërronte ngjarjen ekzemplare njerëzore Bepi & family në një terr të pashprehshëm vuajtjeje. Por të paktën kjo nuk i ndodhi.

E megjithatë duheshin kuptuar! Pasi kishin gëlltitur, pas një adoleshence të rehatshme, dozën e frustrimit erotik të ligjeve antihebraike të ’38-s, kryekëput të molepsur nga hareja epidemike e pasluftës, këta judej të Romës “së mirë” e kishin zëvendësuar – me çfarë menjëhershmërie – frikën nga Benito Musolini dhe Adolf Hitleri me përnderimin mimetik për Klark Gejbëllin dhe Liz Tejlorin. Sikur ai çift klounesk diktatorësh fashistë të mos kishte ekzistuar kurrë, sikur – në zemrat e tërë Bepëve italianë – ajo të qe varrosur bashkë me skeletet e padallueshme të qindra të afërmve të dëbim: një tabor kushërinjsh, kunetërish, motrash, vjehrrish e nipërish, mbetjet e të cilëve do të mbushnin vetëm disa qese plehrash, për të cilët ishte rreptësisht e ndaluar të flisje dhe për fundin e të cilëve turpëroheshin fshehurazi.

Titulli: Me synimet më të këqija

Autor: Alessandro Piperno

Përktheu: Agim Doksani

Nr. i faqeve: 288

Çmimi: 1000 lekë